TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet me Serbinë, teksa ka kërkuar lirimin e tre efektivëve të policisë së Kosovës, të cilët u rrëmbyen pak ditë më parë nga forcat serbe. Kreu i qeverisë shqiptare thotë se sa më shumë që të mbahen në burg tre efektivët, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet bilaterale me Serbinë të mos bëjnë shumë hapa mbrapa. Rama paralajmëron se kjo do të jetë java e rikthimit të akullit mes nesh, nëse ata nuk lirohen.

Po ashtu kryeministri Rama, ka edhe një thirrje për kryeministrin Albin Kurtit, të cilit i ka kërkuar që të dalë nga guaska e vetizolimit, ndërsa shton që mos ta humbë veriun duke parë kudo armiq dhe tradhtarë. Sipas Ramës sa më shumë që Albin Kurti këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës.

‘Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!

Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova - sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!

E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!’- shkruan Rama.

Forcat serbe në veri të Kosovës rrëmbyen tre efektivë të policisë së Kosovës (14 qershor), të cilët po mbahen në paraburgim në Serbi, megjithë thirrjet e SHBA, Britanisë dhe Gjermanisë për t'i liruar. Qeveria e Kosovës thotë se policët u rrëmbyen në territorin kosovar, ndërkohë Serbia i akuzon për trafik armësh.

Më 13 qershor, policia e Kosovës, kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviç, si i dyshuar një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj. Fill pas tij forcat serbe arrestuan tre efektivët kosovarë Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Mustafë Shemi.