Rrethi vicioz i eksporteve; Renditja
e 100 eksportuesve më të mëdhenj

Rrethi vicioz i eksporteve; Renditja<br />e 100 eksportuesve më të mëdhenj
Edhe pas gati tri dekadash, eksportet shqiptare nuk po dalin nga rrethi vicioz, ku i ka futur shfrytëzimi i pasurive natyrore dhe krahut të lirë të punës, teksa ka munguar sofistikimi, investimet në teknologji që do të rrisnin vlerën e shtuar dhe diversifikimi sipas vendit të origjinës. Të gjitha këto i kanë lënë eksportet të varura nga zhvillimet e një grushti kompanish dhe nga kërkesa e fqinjit tonë, Itali. Bankers Petroleum realizoi në vitin 2014 rreth një të pestën e shitjeve jashtë vendit, ndërsa Italia është pritësi i më shumë se gjysmës së eksporteve.
Edhe në krahasim me vendet e tjera të rajonit (me përjashtim të Malit të Zi), Shqipëria ka pozicionimin më negativ, si në treguesin e eksporteve të mallrave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ashtu dhe në gjeografinë sipas shteteve. Me shitjet jashtë vendit që janë sa 18% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), pavarësisht përmirësimit në vite, Shqipëria renditet shumë më poshtë se Maqedonia, Serbia e Bosnjë-Hercegovina.
Në Indeksin e Konkurrueshmërisë të publikuar së fundmi nga Forumi Ekonomik Global, Shqipëria renditet e 72-ta në botë në treguesin e eksporteve të të mirave dhe shërbimeve në raport me PBB-në, duke mbetur prapa të gjitha vendeve të rajonit.
Ndryshe nga Shqipëria, që lundron e pasigurt drejt shtetit përtej detit, të goditur nga kriza e borxheve, fqinjët kanë gjetur një mburojë më të sigurt, Gjermaninë, që është motori ekonomik i Europës.
Në Maqedoni, Gjermania është partneri i parë për eksportet me rreth 30% të totalit, i ndjekur nga Serbia me 14%, më pas renditen Bullgaria, Italia etj.
Gjermania është partneri i parë për eksportet edhe i Serbisë, me 11% të totalit, po të njëjtën peshë zënë dhe eksportet drejt Italisë, ndërsa Bosnja është partneri i tretë, me rreth 9%.
Edhe në Bosnjë, Gjermania dhe Italia kryesojnë listën e eksporteve, me 15% të totalit secila.
Gjermania është një ndër destinacionet kryesore të eksporteve edhe për Bullgarinë e Rumaninë, ndërsa përveç Shqipërisë nuk është në listën e pesë të parave as në Malin e Zi.
Megjithatë, duhet theksuar se këto vende kanë pasur lidhje të hershme biznesi e tregtie me Gjermaninë, që nga koha e ish-Jugosllavisë dhe e kanë më të zhvilluar edhe industrinë e rëndë. Në Shqipëri, Gjermania ishte partneri i tetë i eksporteve në vitin 2014, me 2.8% të totalit, nga vendi i katërt që zinte në 2005-n, me rreth 3.3% të totalit.
Fqinjët kanë avancuar dhe në sofistikimin e shumëllojshmërinë e produkteve që shesin kryesisht në Europë. Në Serbi, kryesojnë produkte të tilla si automjetet, gomat, hekuri dhe çeliku, veshjet, gruri, frutat e zarzavatet, metalet, pajisjet elektrike, armët etj. Në Maqedoni mbizotërojnë produktet ushqimore, pijet, duhani, tekstilet, industria përpunuese, hekuri, çeliku, pjesët e automjeteve etj.
Në Shqipëri, shitja e pasurive natyrore ka dominuar në 2014-n. Produktet minerale (lëndët djegëse, xeherorët, gëlqere, çimento) përbënin gati 34% të totalit të eksporteve. Metalet bazë (bakri, nikeli, zinku, giza, çeliku), me një nivel relativisht të ulët përpunimi, zunë rreth 14% të totalit.
Ndonëse pesha e këtyre produkteve, që kryesisht janë pasuri natyrore, në eksporte është e lartë, kontributi i tyre në ekonomi është minimal, sidomos në drejtim të të ardhurave buxhetore. Buxheti i shtetit siguron nga renta minerale rreth 100 milionë euro në vit, apo maksimumi 3-4% të të ardhurave totale, ndërsa të hyrat e tjera janë të papërfillshme, teksa shumë prej kompanive, të përfshira në industrinë me kapital intensiv (çka nënkupton se kërkojnë shuma të mëdha parash dhe burime të tjera financiare për të prodhuar një mall a shërbim, por jo shumë burime njerëzore) deklarojnë humbje, apo fitime minimale.
Tekstilet dhe këpucët janë një tjetër grup i rëndësishëm, që kanë siguruar 34% të eksporteve në 2014-n, duke pasur si avantazh kryesor koston e lirë të punës. Gjithsesi, kjo industri e mbështetur në punën intensive ka qenë veçanërisht e rëndësishme për të punësuar një shtresë të varfër dhe të brishtë të shoqërisë.
Në total, shitja e pasurive natyrore dhe shfrytëzimi i krahut të lirë të fuqisë punëtore na kanë siguruar 80% të eksporteve në 2014-n. Me dobësitë strukturore aktuale, Shqipëria duket tepër larg tendencës globale, që po promovon një zhvillim të qëndrueshëm, që plotëson nevojat e së tashmes, pa kompromentuar aftësitë e brezave që vijnë, për të plotësuar nevojat e tyre, ndërsa promovon uljen e varfërisë, rritjen e punësimit dhe përdorimin më të drejtë të burimeve.
Edhe lista e 90 eksportuesve më të mëdhenj, që “Monitor” po e publikon ekskluzivisht (shiko tabelën kryesore) e nxjerr qartë dobësinë strukturore të eksporteve shqiptare. Në renditje ka pak kompani të mëdha për nga qarkullimi vjetor, mbizotërojnë sipërmarrjet e naftës që nxjerrin, përpunojnë, apo thjesht rieksportojnë karburant, nuk mungojnë ricikluesit. Nga kompanitë bujqësore ka vetëm tregtues të bimëve mjekësore (edhe këta që përdorin një burim shterues), por mungojnë industritë e mirëfillta përpunuese ushqimore, që nuk po arrijnë të çajnë jashtë vendit. Të shumta janë kompanitë prodhuese të çimentos, që lulëzuan në Shqipëri, pasi gjetën kritere më pak të rrepta për ndotjen e mjedisit dhe shfrytëzimin e lëndës së parë. Mbizotërojnë në numër sipërmarrjet e prodhimit të veshjeve të këmbëve, që mund të konsiderohet si industria që ka përparuar më shumë vitet e fundit, teksa ka arritur të mbyllë ciklin dhe të rrisë vlerën e shtuar.
 
Bankers, i pari, me 20% të totalit të eksporteve
Bankers Petroleum, kompania që shfrytëzon me koncesion burimin e naftës në Patos Marinzë, është jo vetëm sipërmarrja kryesore në vend, sipas qarkullimit vjetor, por edhe eksportuesi më i madh. Sipas të dhënave nga tatimet, eksportet e kompanisë në vitin 2014 ishin 50.5 miliardë lekë, duke përbërë 20% të totalit të eksporteve gjithsej në vend për vitin në fjalë. Në raport me një vit më parë, eksportet kanë rënë me rreth 22%, teksa Bankers shiti një pjesë të prodhimit në tregun e brendshëm. Në total, Bankers ka deklaruar një qarkullim vjetor (i rakorduar me deklarimet tatimore PDF të kompanisë për efekt të TVSH-së) prej 67.3 miliardë lekësh, me një rënie fare të lehtë në raport me 67.7 miliardë lekë një vit më parë
Pasha e madhe e Bankers në totalin e eksporteve shqiptare i bën këto të fundit shumë të varura nga ecuria e kompanisë, siç ndodhi në gusht të këtij viti, ku shtyrja e transportit të një anijeje për në shtator “tronditi” gjithë treguesit, duke bërë që shitjet jashtë vendit në total të binin gati 18% e bazës vjetore.
Prej muajsh, Bankers është në konflikt me institucionet shtetërore, pasi Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) nuk i ka njohur rreth 300 milionë dollarë shpenzime për vitin 2011, dhe në bazë të kësaj, tatimet kanë iniciuar një tatim prej 57 milionë eurosh, që është kundërshtuar nga Bankers. Çështja është lënë pezull teksa Bankers Petroleum ka firmosur termat e referencës me Agjencinë Shqiptare të Burimeve Natyrore (AKBN) dhe ministrin e Energjisë për të angazhuar një auditor ndërkombëtar, si palë të tretë për të asistuar në zgjidhjen e çështjes së auditimit të pakonkluduar të kostove të rikuperueshme.
Që prej fillimit të aktivitetit, kompania nuk ka dalë asnjëherë me fitim sipas konceptit fiskal të kompanive komerciale, që sipas marrëveshjes koncesionare do të duhet të tatohej me 50%. (Rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ por bazuar në Marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers miratuar në 2004-n, sipas së cilës rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative dhe kapitale të bëra nga nënkontraktori). Drejtori i Bankers, Leonidha Çobo, ka pohuar se “aplikimi i taksave shtesë (renta minerare, akciza, taksa e karbonit, taksa e qarkullimit, etj.) të cilat nuk kanë ekzistuar në industrinë e naftës në kohën kur marrëveshjet janë nënshkruar në vitin 2004, si dhe amendimet e mëvonshme të këtyre marrëveshjeve kanë bërë të mundur parapagimin e fitimit tek autoritetet shqiptare për një total rreth 283 milionë dollarësh. Si rezultat i këtyre taksave shtesë, si dhe amendimit të marrëveshjeve, kompania duhet të rikuperojë këto taksa, si dhe investimet para se të mund të deklarojë fitime”.
….Operatori i dytë më i madh koncesionar në vend i nxjerrjes së naftës TransAtlantic Petroleum(ish-Stream Oil) ka shënuar një rënie të ndjeshme të eksporteve me 50%, duke zbritur në 1.6 miliardë lekë. TransAtlantic Petroleum bleu rreth një vit më parë Stream Oil, e cila shfrytëzonte 4 vendburime të njohura nafte dhe gazi në Shqipëri, atë të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës, në bazë të një kontrate koncesionare 25-vjeçare, me të drejtë zgjatjeje 5-vjeçare.
Në vitin 2014, periudhë kur u bë ndërrimi i pronësisë, kompania uli ritmet e aktivitetit. Për më tepër, nga fundi i vitit 2013, koncesionari ishte në konflikt me qeverinë e re shqiptare, kjo lidhet me faktin se kompania, ndonëse i ka shfrytëzuar këto burime prej disa vitesh, nuk kishte paguar detyrimet që i rrjedhin nga marrëveshja koncesionare, lidhur me ndarjen e prodhimit me Albpetrol.
 
Kurum, konkurrente në rajon
Kurum International, e përqendruar në industrinë e metaleve dhe së fundmi dhe atë të energjisë, është eksportuesi i dytë më i madh në vend, me shitje jashtë vendit prej 13.5 miliardë lekësh, me një rënie prej 16%, ndonëse xhiro e saj në total u rrit me 16% në 28.3 miliardë lekë, me një zgjerim prej 16% në raport me një vit më parë (ky përmirësim ka ardhur nga përfshirja në aktivitetin e energjisë përmes blerjes së katër hidrocentraleve në fund të 2013-s, Bistrica 1,2, Ulëz dhe Shkopet me fuqi totale të instaluar 76.7 MË).
Sipas burimeve nga kompania, Kurum në Kosovë mbulon 85% të tregut; në Maqedoni 35-40% të tregut; në Mal të Zi 20-25%. “Në rajon jemi konkurrentë, duke pasur parasysh që ka dhe kompani nga Greqia, Bosnja, Bullgaria, që tregtojnë në rajon. Është Greqia ajo që ka barriera të mëdha, për shkak të mbrojtjes së prodhimit vendas atje, si lejet që duhen marrë në institucionet e tyre, për standardet etj. Hekuri në tregun e Greqisë është shumë i shtrenjtë, dhe kompanitë vendase e kanë shumë të lartë normën e fitimit, deri në 25%, kurse te ne nuk është më shumë se 2-3%. Kjo pasi në Greqi nuk ka asnjë shans që të hyjë prodhim hekuri nga vendet e tjera dhe as nuk importon dot lëndë të parë, ndërkohë që Greqia importon pa barriera lëndë të parë nga Shqipëria”, pohon Koray Zeytinoglu, menaxheri i përgjithshëm i Kurum International.
Pas rënies së ndërtimit në tregun vendas, Kurum po i kushton vëmendje eksporteve, ndonëse marzhi i fitimit nga shitjet jashtë vendit është ndjeshëm më i ulët se në territorin e Shqipërisë.
 
Nafta, kompanitë shqiptare mbulojnë deri në 60% të tregut në Kosovë
Në listën e 10 eksportuesve më të mëdhenj janë katër kompani që merren me tregtimin dhe përpunimin e naftës.
Kastrati është eksportuesi i tretë më i madh në vend (në fakt rieksportues), me 7.9 miliardë lekë shitje jashtë vendit, duke u zgjeruar me 65% në raport me një vit më parë. I katërti në listën totale dhe i dyti rieksportues në fushën e naftës është Europetrol Durrës Albania, me 6.2 miliardë lekë, rënie 3.2% me bazë vjetore.
Dy sipërmarrje përpunuese dhe tregtuese të naftës Deverol Oil Albania dhe TPD Trading Petrol & Drilling kanë hyrë fuqishëm në tregun e eksporteve në 2014-n, duke realizuar shitje jashtë vendit përkatësisht në 5.5 dhe 2 miliardë lekë. Të dy këto kompani shfrytëzojnë me qira rafinerinë e ARMO. Deveron është krijuar në nëntor të 2013-s. Prej shkurtit të vitit 2014, operon në rafinerinë e Ballshit me kapacitet të përpunimit të naftës bruto prej 1 milion tonësh në vit, por me një përpunim real 110 mijë tonësh. TPD-Trading Petrol & Drilling, në shtator të 2013-s, ka nënshkruar marrëveshje me ARMO-n dhe operon në rafinerinë e Fierit në kapacitet përpunimi 500 mijë tonë në vit, që nëpërmjet qirasë shfrytëzon një nga impiantet e përpunimit të naftës së ARMO-s.
Sipas sipërmarrësve, tregu kryesor i rieksporteve të karburanteve dhe naftës së prodhuar në rafineritë e ARMO-s është Kosova dhe më pak Mali i Zi dhe Maqedonia.
Në Kosovë vlerësohet se sipërmarrjet nga Shqipëria mbulojnë deri në 60% të nevojave të tregut, ndërsa pjesa tjetër sigurohet nga Maqedonia, Bullgaria dhe më pak nga Serbia. Kompanitë shqiptare janë konkurrente për shkak të afërsisë gjeografike dhe fuqizimit të kompanive përmes depozitave në Portin e Durrësit. Ndërsa aktorët e tregut i shpjegojnë çmimet më të ulëta për litër të naftës në Kosovë në tregun e pakicës me barrën më të ulët të taksave në shtetin fqinjë.
 
Albchrome, rritje si rrjedhojë e investimeve
Albchrome ishte eksportuesi i gjashtë më i madh në vend në vitin 2014, duke realizuar shitje jashtë vendit në vlerën e 4.4 miliardë lekëve, me një rritje prej 14% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në këtë zgjerim, sipas burimeve nga kompania, ka ndikuar mirëmenaxhimi, investimet dhe ulja në maksimum e shpenzimeve, ndërkohë që koniunktura ndërkombëtare nuk ka qenë e favorshme. “Besojmë që me investimet e reja që po bëjmë në këtë kompani, me një vlerë prej 25 milionë eurosh, për hapjen e pusit 9, kompania vitin tjetër do të ketë rezultate më të mira. Pusi 9 pritet të arrijë një rezervë shumë të madhe, të pahapur ndonjëherë, (pusi i fundit është hapur në vitin 1981) dhe tani pas më shumë se 30 vjetësh po hapet një pus tjetër. Ky është pusi më i thellë i minierës dhe do të na bëjë të arrijmë rezerva të konsiderueshme minerare dhe në këtë mënyrë të konsolidojmë pozicionin tonë jo vetëm në Shqipëri, por duke qenë se jemi prodhuesit e dytë më të mëdhenj në Europë për kromin, të konsolidohemi si industri në të gjithë tregun europian”, pohoi Samir Mane, CEO i Grupit Balfin, që ka në pronësi dhe Albchrome.
 
Prodhuesit e çimentos, të mëdhenjtë rriten, të vegjlit ulen
Prodhuesit e çimentos janë munduar të neutralizojnë frenimin e kërkesës në tregun e brendshëm të ndërtimit përmes zgjerimit në tregjet rajonale.
Fushë-Krujë Cement Factory është eksportuesi më i madh i çimentos dhe i shtati në total, me shitje jashtë vendit prej 3.6 miliardë lekësh, 17% më shumë se një vit më parë. Kompania ka siguruar rreth 40% të të ardhurave të saj (që ishin gati 9 miliardë lekë në 2014-n) nga eksporti.
Antea Cement është eksportuesi i tetë më i madh në vend për 2014-n dhe e dyta nga kompanitë e çimentos që ka shitur jashtë vendit 2.6 miliardë lekë, me një rritje minimale të eksporteve në raport me një vit më parë, ndërkohë që të ardhurat totale të kompanisë ishin 8.3 miliardë lekë, duke zbritur me 11%.
Elbasan Cement Factory ka realizuar eksporte minimale prej 900 milionë lekësh, me një rënie të ndjeshme prej 30%. Edhe në total kompania ka parë një tkurrje 3% të të ardhurave, në 1.73 miliardë lekë.
Edhe Colacem Albania ka parë rënie të ndjeshme të eksporteve me 45% në 247 milionë lekë, ndonëse të ardhurat në total janë rritur me 47% në 1.6 miliardë lekë.
 
Ikja e Beralb
Në fund të vitit 2014, Beralb, kompania e nxjerrjes, pasurimit dhe eksportit të bakrit, ishte eksportuesi i nëntë më i madh në vend, me shitje jashtë vendit prej 2.2 miliardë lekësh, një reduktim prej 50% në raport me vitin e mëparshëm. Performanca negative e kompanisë ka vazhduar edhe në 2015-n, duke e detyruar kompaninë të mbyllë aktivitetin. Administratori i kompanisë, Nazmi Kumanova, pohon se në fillim të shtatorit 2015 u eksportua sasia e fundit e mbetur e mineralit të bakrit, me një vlerë 930 dollarë për ton. Kostoja e nxjerrjes, pasurimit dhe transportit, sipas tij, është rreth 1020 dollarë, ose gati 100 dollarë më shumë se çmimi aktual. Në fillim të vitit, Beralb po eksportonte në vlerën 1020-1050 dollarë për ton.
Në barrën e kostove të saj ka rënduar edhe pagesa e rentës minerare. Me vendim gjykate, doganat duhet t’i kthejnë kompanisë një vlerë prej më shumë se 2 milionë dollarësh. Renta minerare paguhet paraprakisht dhe pas vlerësimit të nivelit të pasurisë, renta ka rezultuar më e ulët se ajo që është paguar. Sipas drejtuesve të kompanisë, nëse doganat do të kishin paguar detyrimin e tyre, kompania do të mund të vijonte prodhimin në kushtet e mbijetesës edhe për 5-6 muaj të tjerë, kohë ndoshta e mjaftueshme për të pritur çmimet më të favorshme në treg.
Shoqëria Beralb Sh.A, në zbatim të marrëveshjes së Koncesionit të miratuar me Ligjin 8761, datë 02.04.2001 ka marrë në koncesion minierat e bakrit Munellë dhe Lakrosh, si dhe fabrikën e pasurimit të bakrit Fushë-Arrës. Mbetet e paqartë se çfarë do të bëhet me këtë koncesion, tashmë që kompania ka ndërprerë aktivitetin.
 
Biznesi i skrapit
Të shumta janë kompanitë në listën e eksportuesve më të mëdhenj që merren me riciklim. Zodiac është operatori më i madh në këtë fushë (i 11-i në listën totale), me eksporte prej 1.8 miliardë lekësh, rritje 4% me bazë vjetore. Kompania është e fokusuar në riciklimin e bakrit, aluminit, bronzit, baterive.
AMA Recycling (përpunimi i aluminit) është një tjetër operator me eksporte prej 950 milionë eurosh (-2% me bazë vjetore); MET-Alb, që ka parë rënie me 40% të eksporteve në 590 milionë lekë.
Albat-Recycling ka realizuar eksporte prej 308 milionë lekësh.
Industria e riciklimit, sipas aktorëve të tregut, vlerësohet se qarkullon rreth 70-80 milionë euro në vit (pa përfshirë Kurum), me volumin më të madh (rreth 50%) që i takon segmentit të metaleve dhe produkteve të tij.
 
Prodhuesit e këpucëve, modeli pozitiv i mbylljes së ciklit
Prodhuesit e këpucëve mbizotërojnë nga numri dhe qarkullimi vjetor në listën e eksportuesve më të mëdhenj në vend.
Industria e këpucëve në Shqipëri mbetet më e zhvilluar se ajo e tekstileve, me mbi 80% të prodhuesve të veshjeve të këmbëve që e mbyllin vetë ciklin, duke rritur në këtë mënyrë vlerën e shtuar dhe xhiron e realizuar, në një shembull që duhet të ndiqet nga eksportuesit e tjerë, sidomos ata të tekstileve.
Calzaturificio Adelchi ishte eksportuesja më e madhe e këpucëve për 2014-n, me një qarkullim vjetor prej 1.7 miliardë lekësh, duke u rritur me 14% me bazë vjetore. E lokalizuar në zonën industriale Shkodër, ajo ka synim për t’u bërë prezent sa më shumë në një treg global të këpucëve me “Made in Albania” të kuruara në detaje nga eksperienca italiane. Janë rreth 600 punonjës të punësuar direkt në kompaninë Calzaturificio Adelchi sh.p.k., ndërkohë që efekti i saj nëpërmjet dhënies së punës te nënkontraktorë shtrihet edhe tek afro 800 punonjës të tjerë në Tiranë, Krujë, Fushë-Krujë, Mamurras, Gjirokastër. Fehmi Golemi, sipërmarrës i kompanisë, pohon se atij i duhet të shkojë nëpër panaire të specializuara të këpucëve 4 herë në vit, veprimtari këto ku lidhen kontratat e ndryshme e kur bëhen porositë e prodhimit. Dy herë në verë për prodhimet e dimrit dhe dy herë në dimër për prodhimet e pranverës. Këto i shërbejnë atij për vitin e ardhshëm, për të përcaktuar sasitë dhe llojet e prodhimit me të cilat duhet të merret kompania përgjatë vitit.
Donianna është sipërmarrësja më e madhe e këpucëve në Shqipëri, me një qarkullim vjetor prej rreth 2 miliardë lekësh në 2014-n, por renditet si eksportuesja e dytë në këtë sektor, teksa një pjesë të prodhimit ajo e shet në tregun vendas. Për 2014-n, eksportet e kompanisë ishin 1.7 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 37% në raport me një vit më parë. Dalja si prodhues direkt rezultoi e suksesshme dhe për më tepër ishte një hap i detyrueshëm për qëndrueshmërinë afatgjatë të kompanisë”. Znj. Mici është optimiste edhe për ecurinë e 2015-s. “Po punojmë me strategji të reja, parashikimet janë shumë optimiste, të zgjerojmë tregjet”. Kompania shënoi rënie të aktivitetit në 2013-n, pasi u shkëput nga partnerët italianë dhe doli në treg me markën e saj. Por, znj. Mici nuk u dorëzua dhe kishte besim të patundur se do t’ia dilte. “Duhej shumë punë për të thyer mendimet se si do t’ia arrinim vetë, pa italianët”, pohon ajo. Shumëkush e paragjykoi, nëse do të arrinte të punonte vetëm, pa partnerët e saj që ishin thelbësorë në gjetjen e tregjeve. Iu desh të punësonte modelistë dhe të investonte në design dhe prodhimin e dy markave të saj “Donianna” dhe “Mici’s”. Sot ka një staf programacioni ku punojnë 90 vetë në modelim, përgatitje, programacion, që ajo e quan personelin më të rëndësishëm. “Dikur kemi pasur pas shpine kompani të mëdha që punojnë prej 60 vitesh në treg, kurse tani gjithçka e bëjmë vetë, që nga dizajni deri te prodhimi”, tregon zj. Mici, e cila sot është e kënaqur me ecurinë e aktivitetit si prodhuese direkte dhe është mjaft aktive me pjesëmarrje në panaire për gjetjen e tregjeve.
Albaco Shoes, e specializuar në prodhimin e këpucëve të lëkurës dhe që punon kryesisht me porosi me të tretë, ka rritur eksportet me 7% në 1.6 miliardë lekë.
Eksportues të tjerë të këpucëve në listën e më të mëdhenjve janë dhe Fital (rritje 12% e eksporteve në 1.1 miliardë lekë); Alba Shoes Group; Ital Mec; Remal; Dophil etj.
Në vitin 2014, eksportet e këpucëve u rritën me 27% me bazë vjetore, duke përbërë 17% të totalit. Por ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm këtë vit, kryesisht nga performanca e dobët e sipërmarrjeve të vogla, ndërsa të mëdhatë kanë raportuar një aktivitet pozitiv.
Pavarësisht hapave pozitivë, industria e këpucëve mbetet e varur nga partnerët italianë, çka e bën atë të ndjeshme ndaj çdo zhvillimi negativ, si p.sh. krizë, apo rënie e kërkesës në vendin fqinjë. Në vitin 2014, në Itali shkuan 90% e eksporteve të këpucëve, me ulje vetëm 7 pikë përqindje, në raport me 4 vite më parë.
 Sipas të dhënave të INSTAT-it dhe shoqatave të tekstileve e këpucëve, numri i kompanive që operojnë në sektorin e veshjeve të këmbëve llogaritet në rreth 120-150, që punësojnë direkt ose indirekt rreth 40,000 persona, me një qarkullim vjetor prej rreth 100 milionë eurosh.
Industria luan rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke zënë rreth 15% të totalit të eksporteve.
 
Tekstilet, të mëdhenjtë rezistojnë
Sipërmarrësit e tekstileve kanë mbetur disi më prapa se ata të këpucëve. Industria italiane, ndër të paktat që vazhdon të porosisë vetëm disa procese tek të tretët, i ka “dembelosur” sipërmarrësit shqiptarë, që me përjashtim të kompanive të mëdha, nuk kanë investuar në mbylljen e ciklit. Sot, pjesa më e madhe e sipërmarrjeve me fason punojnë me sistemin CMT (pres, qep hekuros), ndërsa kompanitë europiane sot nuk kërkojnë më kompani që punojnë me material porositësi, por duan të kthehen thjesht në porositës të prodhimeve.
Rreth 76% e eksporteve të tekstileve kishin destinacion Italinë, një rënie shumë e lehtë në raport me 79% që ishte kjo peshë në 2008-n.
Picari, me qendër në Patos, ka kaluar në eksportuesin më të madh të tekstileve në vitin 2014, pas një zgjerimi të fortë të eksporteve, me 45% në 730 milionë lekë. Kompania ka në fokus të aktivitetit prodhime e konfeksione të ndryshme, import-eksport dhe tregtim me shumicë e pakicë të mallrave të ndryshme industriale.
Bly Sky, pjesë e industrisë së veshjeve Krienko, ishte eksportuesi i dytë më i madh i tekstileve, me një rritje prej 21% në 690 milionë lekë. Kompania ka pasur ecuri pozitive në mbylljen e ciklit, ndërsa ka dalë dhe në tregun e brendshëm me markën e vet, Krienko. Prodhimet e kompanisë, e specializuar në “blue jeans”, eksportohen në shtete si Danimarka, SHBA, Franca, Italia, Gjermania, sipas burimeve të saj zyrtare. Firma ka arritur të prodhojë për marka të njohura si Meltin ‘Pot, Only Jeans, Jack & Jones, Tommy Hilfiger etj. Industria e veshjeve Krienko aktualisht prodhon 4800 palë konfeksione të ndryshme në ditë, duke arritur në këtë mënyrë një kapacitet të lartë prodhimi, pra rreth 1.2 milionë palë në vit, sipas burimeve të saj zyrtare.
Industria ballkanike e veshjeve, me qendër në Devoll, ka 519 punonjës dhe operon në fushën e tekstileve për prodhimin e veshjeve sportive dhe të notit për tregun ndërkombëtar. Edhe kjo sipërmarrje ka parë një rritje dyshifrore me 26% në 530 milionë lekë në 2014-n.
Eksportues të tjerë të rëndësishëm të tekstileve janë Naber Konfeksion, Arisa Konfeksion, Ital Style, Kler, Alb Impex, Ambra, etj.
 
Mbyllja e ciklit të këpucëve, hapësira për bizneset mbështetëse
Teksa industria e prodhimit të këpucëve po kalon drejt ciklit të mbyllur të prodhimit, është rritur kërkesa për produktet mbështetëse, një pjesë e të cilave fare mirë mund të prodhohen në vend, çka do të reduktonte kostot për sipërmarrësit. Donika Mici e Donianna thotë se mund të nxiten linja të tjera prodhimi edhe për 70 nënprodukte, që duhen deri në ciklin final të këpucës. Mici thotë se, të gjitha këto produkte importohen nga vendet e tjera për të realizuar këpucën e gatshme në treg. Që nga etiketa e çmimit, lidhëset, kartonët e paketimit, mastiçi, perçinat, zinxhirët e shumë artikuj të tjerë mund të prodhohen në vend, pasi e kanë tregun e garantuar dhe me marzh të lartë fitimi. Krijimi i klasterave për të nxitur rritjen e ciklit prodhues në vend është një formë e njohur në ekonomitë e tjera prodhuese.
Mici sugjeron se, Ministria e Bujqësisë duhet të krijojë terrenin edhe për të nxitur përpunimin e lëkurës në vend, ashtu siç ka bërë për bulmetrat. Nëse industria e përpunimit të lëkurës do të zhvillohej në vend, kosto për këtë lëndë të parë që i duhet lëkurës do të ulet me 40%.
Daniel Guçe, drejtor i Departamentit të SME-ve dhe Zhvillimit të Eksportit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), pohon se po bëhet një analizë për sektorin e lëkurë-këpucës, për të cilin dikur Shqipëria i plotësonte vetë nevojat e tregut të brendshëm me lëndë të parë. Sot, kjo gjë bëhet e mundur vetëm në masën 10%. “Ne po shikojmë të gjitha mundësitë që cikli të mbyllet brenda vendit dhe të mund të dilet për eksport. Parashikohet që brenda dhjetorit të këtij viti të përfundojnë analizat për këta dy sektorë e më pas do të vazhdohet me të tjerë”, pohon ai.
 
2015-a nxjerr në pah dobësitë strukturore: Bien 4% për 8 mujorin
Eksportet arritën në 165.2 miliardë lekë për 8-mujorin e këtij viti, duke shënuar rënie me 3.8% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas statistikave të publikuara nga INSTAT, pas rritjes dyshifrore në 2014-n. Performanca e dobët e “minerale, lëndë djegëse, energji” vijon të jetë faktori kryesor që ndikon në këtë prirje rënëse të eksporteve, ndërsa dhe tekstilet e këpucët janë larg zgjerimit të fortë të një viti më parë.
Ecuria e eksporteve këtë vit nxjerr në pah dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare, tepër e varur nga shitja e lëndëve të para, që për më tepër janë të papërpunuara dhe me pak vlerë të shtuar, duke dhënë një kontribut minimal si në punësim ashtu dhe në të ardhurat në buxhet.
Grupet e tjera janë në përmirësim, të ndjeshëm, sidomos “pijet, ushqimet e duhani” dhe “makineri e pajisje”, por pesha e tyre e vogël, në raport me totalin, bën që ato të mos kenë ndikimin në trendin e përgjithshëm të eksporteve.
Eksportet e “minerale, lëndë djegëse, energji” ranë me 24%, në 47.2 miliardë lekë. Koniunktura e pafavorshme ndërkombëtare, sidomos për naftën, është arsyeja kryesore e rënies, teksa operatorët nuk kanë interes të prodhojnë e eksportojnë, kur çmimet kanë prekur fundin. Edhe importet e energjisë janë në rënie, për shkak të rritjes së prodhimit vendas.
Eksportet e tekstile e këpucëve u rritën me 2.3% në gati 58 miliardë lekë për 8-mujorin, duke qenë grupi më i madh i eksportuar në vend me 35% të totalit (një vit më parë kryesonin lëndët djegëse e energjia me 36% të totalit). Ndonëse ky grup e ka marrë veten, pas rënies në muajt e parë të vitit, sërish ai mbetet larg rritjeve dyshifrore që u panë vitin e kaluar. Aktorët e tregut pohojnë se rritja e ndjeshme e kostove të aktivitetit po e bën këtë industri më pak konkurruese, ndërkohë që kërkesat nga partnerët e huaj nuk po mungojnë.
Materialet e ndërtimit dhe metalet u rritën me 4.5%, në 25.2 miliardë lekë. Kompania Kurum bëri të ditur se ka rritur eksportet e metaleve, për të kompensuar rënien e kërkesës në tregun e brendshëm, si rrjedhojë e krizës së ndërtimit.
Eksportet e ushqimeve, pijeve e duhanit kanë shënuar rritjen më të madhe në vlerë absolute për 8-mujorin, duke u zgjeruar me gati 3 miliardë lekë, apo 31%, për të arritur në 12.5 miliardë lekë.
Edhe grupi i makinerive e pajisjeve të këmbimit vijoi rritjen, duke u zgjeruar me 42% në 7.7 miliardë lekë, si rrjedhojë e rritjes së aktivitetit të fasonit industrial. Megjithatë, në gusht, ai pa për herë të parë një rënie të lehtë me bazë vjetore.
Eksportet e “prodhime druri dhe letre” ranë me 7.3%, ndryshe nga viti i kaluar, kur ky grup kishte një performancë mjaft pozitive. /Marrë nga Monitor/

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim