Rreziku nga azilkërkuesit e gënjeshtërt nga Ballkani Perëndimor në BE

Rreziku nga azilkërkuesit e gënjeshtërt nga Ballkani Perëndimor në BE

Me përjashtim të Kosovës, për më shumë se 12 vjet, të gjitha vendet tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor gëzojnë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Kjo u mundëson qytetarëve të tyre të udhëtojnë pa viza për një periudhë në vendet e zonës Shengen, që pos shumicës së vendeve të BE-së përfshinë edhe Zvicrën, Islandën, Lihtenshtajnin dhe Norvegjinë.

Por, gjatë kësaj periudhe për disa vende anëtare të Bashkimit Evropian ky liberalizim ka paraqitur një sfidë pasi ka shkaktuar ardhjen e një numri të madh të qytetareve, të cilët e kanë keqpërdorur liberalizimin e vizave për të qëndruar ilegalisht në to, për të kërkuar azil pa ndonjë bazë apo edhe për t’u përfshirë në aktivitete kriminale.

Përvojën me shembuj të tillë disa shtete edhe sot e përmendin si arsyetim për skepticizmin e tyre ndaj heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës, ndonëse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet para katër vjetësh.

Franca ka qenë ndër shtetet më skeptike në këtë drejtim. Dhe, vërtet, nëse shikohen shifrat për kërkesat e bazuara për strehim politik (azil), sidomos nga Shqipëria, Franca ka qenë destinacioni më i madh dhe kjo ka përbërë një barrë për administratën e këtij vendi. Por, ka pasur edhe vende tjera me përvojë të ngjashme.

“Kur janë liberalizuar vizat për Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, Komisioni po ashtu pati thënë se janë përmbushur të gjitha kushtet. Por, pas heqjes së vizave patëm shumë njerëz që erdhën në vendet tona, përfshirë edhe kriminelë dhe ekstremistë. U keqpërdor ky liberalizim dhe u rrit numri i azilkërkuesve të rrejshëm. U desh të kalojë një kohë që ta zgjidhim këtë problem”, ka thënë para disa ditësh një diplomat i lartë i BE-së.

Ai ka argumentuar se vendet skeptike tash duan që “në rastin e Kosovës së pari të bindemi se ka besim të plotë me autoritetet se nuk do të kemi problem, e atëherë të liberalizohen vizat”.

Por, me kalimin e kohës, sipas ekspertëve të BE-së dhe të shteteve anëtare, me disa prej të cilëve ka biseduar Radio Evropa e Lirë, ky problem është zvogëluar dukshëm. Ndonëse ende ka një numër të konsiderueshëm të kërkesave të pabazuara për azil dhe qëndrim mbi 90 ditë në vendet e BE-së që është shkelje e ligjit dhe keqpërdorim, sidomos nga shtetasit e Shqipëris, që nga viti 2014 ky numër është në zvogëlim e sipër.

Shqiptarët më nuk janë ndër grupet më të mëdha të azilkërkuesve të pabazuar në vendet e BE-së. Dhe, Shqipëria jep kontribut në anën tjetër edhe për përpjekjet e përbashkëta me BE-në për të menaxhuar migrimin ilegal.

Një rol të tillë pozitiv për vendet e rajonit, që ka qenë një rutë refugjatësh në vitin 2015 dhe 2016, e ka pranuar edhe Këshilli i BE-së në konkluzat e fundit për vendet e procesit të zgjerimit. Këshilli, me atë rast, ka lavdëruar nivelin e bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit me BE-në për çështjet e kontrollimit të migrimit.

“Sa i përket migracionit, Shqipëria është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor ku Marrëveshja për statusin e gardës kufitare dhe bregdetare evropiane ka hyrë në fuqi. Operacioni i parë i përbashkët i BE-së me Frontexin është dëshmuar si i suksesshëm. Numri total i kërkesave të pabazuara për azil është zvogëluar dukshëm, por kjo duhet të monitorohet për së afërmi nga autoritetet e Shqipërisë edhe në vazhdim”, kanë thënë ministrat e BE-së.

Ndonëse numri i kërkesave të pabazuara për azil nga shtetasit e Shqipërisë ishte zvogëluar secilin vit, Franca mbetet shteti me përqindjen më të madhe të shtetasve të Shqipërisë për azil në mesin e shteteve të BE-së. Që nga viti 2014 është zvogëluar vazhdimisht edhe numri i azilkërkuesve nga Bosnja e Hercegovina dhe nga Serbia. Por, edhe ata të paktë që vendosin ta bëjnë këtë, kryesisht kanë shkuar në Francë.

Në rastin e Serbisë, BE-ja ka nënvizuar “nevojën që Serbia të përmbushë obligimet për përshtatje me politikën e vizave të BE-së”. Ky është një problem sepse shtetasit e vendeve, për të cilët kërkohet viza për hyrje në BE, mund të vijnë në Serbi pa viza e nga atje të nisen ilegalisht drejt BE-së. Në të kaluarën ka pasur shumë raste të tilla për disa shtete nga Azia për të cilat Serbia i kishte hequr vizat. BE-ja kërkon që vendet e rajonit të vendosin viza, aq sa është e mundur, për vendet për të cilat vetë BE-ja ka regjim të vizave.

Maqedonia e Veriut është lavdëruar po ashtu për rolin e saj në menaxhimin e migrimit. “Këshilli mirëpret faktin se Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdon të luajë rol aktiv dhe konstruktiv në menaxhimin e valëve të ndryshme të emigrantëve duke bashkëpunuar në mënyrë efikase me vendet fqinje dhe shtetet anëtare të BE-së”.

Ndoshta sfidën më të madhe sa i përket migrimit e ka Bosnja e Hercegovina, por jo për shkak të shtetasve të saj që shkojnë në BE, por më shumë për shkak të presionit të imigrantëve nga vendet e treta që kanë ardhur në këtë shtet dhe tentojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian. Por, BE-ja, po ashtu, e ka lavdëruar këtë shtet për rolin e tij.

“Këshilli mirëpret hapat pozitivë të ndërmarrë për të përmirësuar menaxhimin dhe koordinimin e migracionit dhe përpjekjet e tilla duhet të vazhdojnë” është thënë në konkluzat e fundit të BE-së nga muaj dhjetor dhe është kërkuar që ky shtet të sigurojë një funksionim të duhur të sistemit të azilit për t’u përballur me sfidën e migracionit.

Ndonëse kohë pas kohe disa shtete të BE-së shprehin shqetësim kur shohin rritje të numrit të azilkërkuesve, që ndodh nga një muaj në tjetrin, varësisht nga rrethanat, në selinë e BE-së në Bruksel mendojnë se një rrezik i bazuar nuk ekziston. Për ta më shumë sfidë është ardhja e refugjatëve nga vendet e treta përmes vendeve të Ballkanit sesa rreziku nga ardhja e qytetarëve nga ky rajon.

Një prej problemeve që përmendin ekspertët evropianë janë edhe disa shema për t’u dhënë shtetësi personave nga vendet e tjera që investojnë shuma të caktuara, e me ato pasaporta mund të udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së. Komisioni Evropian në vazhdimësi u ka bërë ftesë shteteve që kanë liberalizim vizash që të heqin dorë nga një praktikë e tillë.

Për të siguruar mekanizma për veprim të shpejtë, në raste të rritjes së rrezikut për BE-në apo vendet anëtare, ishin miratuar edhe mekanizmat për suspendimin e përkohshëm të liberalizimit të vizave. Por, në praktikë një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tash, megjithëse ka pasur para disa vitesh kërkesë nga Holanda që kjo të ndodhë për Shqipërinë. Por, Komisioni Evropian nuk ishte pajtuar se ekzistimi i liberalizimit të vizave për shtetasit e Shqipërisë paraqet rrezik domethënës për BE-në.

Mekanizmat e suspendimit të liberalizimit të vizave parashohin se ato mund të rivendosen përkohësisht në rast të rritjes së madhe të keqpërdorimeve, mbi 50 për qind rritje, qoftë përmes qëndrimit të palejuar të zgjatur, refuzimit të hyrjes apo kërkesave të pabazuara për azil. Po ashtu, mund të rivendosen nëse një shtet që ka liberalizim vizash refuzon riatdhesimin e atyre që kanë qëndruar ilegalisht në vendet e BE-së.

Megjithëse ka një “trend pozitiv” dhe bashkëpunimit gjithnjë e më të madh të vendeve të Ballkanit, ekspertët e BE-së kërkojnë vazhdim të vëmendjes sepse valët e emigrantëve varen nga faktorë të ndryshëm. Dhe, zvogëlimi i madh i numrit të tyre nga vendet e Ballkanit në vitin 2020, që merret si vit reference në raportet e fundit të BE-së, mund të ketë qenë pjesërisht edhe për shkak të pandemisë.

Por, së paku më nuk shihet si problem mungesa e shteteve të rajonit për të bashkëpunuar në parandalimin e keqpërdorimeve të liberalizimit të vizave, për çka, mendojnë në BE, ka ndihmuar edhe ekzistimi i mundësive që liberalizimi edhe të suspendohet./REL

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Së shpejti do të merrni një propozim shumë interesant...çfarë kanë rezervuar yjet për sot

Së shpejti do të merrni një propozim shumë interesant...çfarë kanë rezervuar yjet për sot