Shqiptarët veçanërisht në dy dekadat e fundit janë marrë më shumë me të shkuarën se sa me tashmen dhe aq më tepër me të ardhmen, së cilës nuk i kanë rezervuar asnjë vend. Duhet pranuar se shpesh ne i ngatërrojmë gjërat, pse jo dhe krijojmë disa situata mjaft të pakëndshme.

Me të shkuarën, duhet merren historianët, shkrimtarët prej nga gjejnë burime frymëzimi, subjekte studimi. Me të tashmen, merren politikë-bërësit, sektorët ekzekutivë që dalin nga politika dhe zgjedhjet popullore dhe ekspertët e specialistët e fushave të ndryshme.

Për shkak se ne jemi mësuar të merremi vetëm me të sotmen, e ardhmja ka mbetur jetime, ose merren fare pak me të ekonomistët, të cilët bëjnë sikur bëjnë prognozat.

Fakti që investimet janë produkt politik dhe i së tashmes dhe gjithçkaje tjetër, i bëjnë gabim pa parashikuar të ardhmen e brezave që vijnë, tregon për punën e dobët të të gjithëve pa dallim.

Gjithsesi, unë nuk e kisha fjalën tamam këtu, por diku tjetër. Titulli i artikullit lidhet me zgjedhjet e 23 Qershorit të vlerësuara si shumë të rëndësishme, jo vetëm nga faktori politik shqiptar, por dhe ndërkombëtar. Nga këto zgjedhje populli pret me padurim rotacionin, i cili është rrjedhojë e punës së keqe që ka bërë qeveria në këto tetë vjet, por dhe i varfërisë që ka pllakosur vendin dhe familjet shqiptare.

Sigurisht që kjo nuk është e lehtë, për shkak se mazhoranca e sotme e drejtuar nga Partia Demokratike në 14 zgjedhje të zhvilluara në vendin tonë e ka deformuar votën e zgjedhësve.

Tashmë nuk bëhet fjalë për zgjedhje të lira e të ndershme, por për vjedhje, tjetërsim, korrupsion elektoral; të cilat herë-herë shkojnë deri tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kjo u pa në zgjedhjet e fundit vendore, në të cilat me kuti të shpuara u sajua rinumërimi nga ku rezultatin e bënë si deshi ky Komision Qendror me Ristanin në krye.

Në këtë rast, ideatori u shpërblye jo me dekorata, se ato nuk ia japin dot, por e emëruan Zëvendësministër të Brendshëm të deformimit të votave, sepse zotëria në fjalë plotësonte kushtet si specialist dhe si ekspert i zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, “Ai” mund ta çojë deri në fund aventurën e tij në se e lënë.

Kjo duket sheshit, ku në urdhrin e fundit iu hiqet vendbanimi zgjedhësve, që do të thotë se prurjet nga veriu, emigrantët, mund të votojnë disa herë dhe sa të duan, duke prodhuar në këtë mënyrë vota informale.

Sindroma e pushtetit në vendin tonë është e veçantë në llojin e vet, kjo dhe për shkak të së shkuarës, varfërisë dhe mentalitetit shqiptar primitive. Ideja për t’u pasuruar shpejt dhe për pak kohë e bën politikën të sillet keq ndaj shoqërisë, së cilës të gjithë i kemi borxh.

Është e papranueshme ideja e mbajtjes së pushtetit dhe atëherë kur krijon borxhe, plagë sociale, madje dhe gjynahe. Kjo do të thotë se duhet ta dorëzosh pushtetin, t’ia lësh vendin një force tjetër, e cila merr përsipër korrigjimin e gabimeve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Nuk është turp të gabosh gjatë qeverisjes, por turp është të mos njohësh gabimet dhe të mos luftosh e përpiqesh t’i korrigjosh ato, aq ma tepër kur gabimet kanë karakter publik dhe cenojnë interesat publike.

Gjithsesi gjithë këtë parathënie e bëra për të thënë diçka për partinë Lëvizja Socialiste për Integrim. Të jem i sinqertë, disa nga gabimet e kësaj mazhorance kanë qenë dhe të LSI-së si pjesë e këtij koalicioni.

Edhe pse LSI-ja i ka mëshuar gjithmonë integrimit, prapë se prapë nuk e ka mbetur pa mëkate. Kështu ajo ka kryesuar Ministrinë e Ekonomisë, e cila mbahet kampion i korrupsionit. Të gjitha paudhësitë kanë ardhur nga ajo Ministri, e cila ka dhënë me konçension qindra licenca hidrocentralesh, minierash dhe mjaft ekonomi dhe sipërmarrje të tjera.

LSI-në nuk e bashkon programi politik me Partinë Demokratike, madje as programi qeverisës. Kjo u pa qartë kur me çështjen e integrimit u mor më tepër Kryetarja e Parlamentit, e cila nuk la vend në botë pa shkuar, por dhe Kryeministri.

LSI-ja u bë ortak me PD-në, sepse ju desh të devijonte në programin qeverisës, pra privatizuan sektorët strategjikë, ushqyen monopolet dhe nga pikëpamja sociale reduktuan ndihmën ekonomike, vende të reja pune nuk u hapën, shërbimet spitalore u bënë me para, medikamenteve, ujit të pijshëm, energjisë, telefonit, ju vendosën TVSH dhe tarifa shërbimi.

Sidoqoftë, artikulli nuk synon të analizojë punën e qeveritarëve të kësaj force politike, por të japi një ide e sugjerim për atë që pritet të ndodhë pas 23 Qershorit.

Programi i Lëvizjes Socialiste për Integrim është thuajse njëlloj me Partinë Socialiste. Objektivat afat mesme dhe afat gjata gjithashtu njëlloj dhe njerëzit që militojnë tek LSI-ja janë edukuar dhe dalë nga e njëjta shkollë politike.

A nuk është e drejtë që kjo forcë politike të kthehet në identitet, të divorcohet nga Partia Demokratike, e cila me programin qeverisës u paraqit parti e ekstremit djathtë? Në se do duhet t’i bashkohet programit të Partisë Socialiste, kur do të ndodhë dhe a duhet të ndodhë para zgjedhjeve?

Të mos harrojmë se Shqipëria po përjeton një periudhë krize, ku fajtorët kryesorë janë ata që qeverisin sot dhe kësisoj dy forcat tona politike duhet të bashkojnë energjitë për t’i kapërcyer ato që janë bërë keq nga qeverisja e keqe e Berishës.

Asnjëherë nuk është vonë, madje është koha pikërisht tani që LSI-ja t’i largohet të keqes e të kthehet në familjen evropiane të socialistëve të vërtetë.

Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)