Abuzimi me fondet e BE në SASPAC, zgjaten me 3 muaj afatet e paraburgimit për Ilir Beqajn dhe Ermal Kurtulajn! GJKKO rrëzon kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë

Abuzimi me fondet e BE në SASPAC, zgjaten me 3 muaj afatet e paraburgimit për Ilir Beqajn dhe Ermal Kurtulajn! GJKKO rrëzon kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë

Ilir Beqaj

TIRANË - Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesën e Ilir Beqajt dhe Ermal Kurtulajt për zbutje të masës së sigurisë, nga “arrest në burg”, në “arrest shtëpie”, ndërsa pranoi kërkesën e prokurorisë për shtyrjen me 3 muaj të afateve hetimore.

Gjatë seancës, ish drejtori i SASPAC Ilir Beqaj dhe avokati mbrojtës Ermal Yzeiraj ishin dakord me zgjatjen e afateve hetimore dhe kërkuan të kryhen disa hetime shtesë, por ndërkohë këmbëngulën në ndryshimin e masës së sigurisë, kërkesë që u rrëzua.

Gjykata, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Rudina Palloj, vendosi zgjatjen e afateve nga data 4 janar 2025, duke siguruar vazhdimësinë e hetimeve. Vendimi mund të apelohet brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ky vendim vjen si pjesë e përpjekjeve për të garantuar zhvillimin e plotë të hetimeve në çështje që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. 

Ilir Beqaj, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikollaj u arrestuan në datë 4 korrik të këtij viti me urdhër të SPAK, lidhur me hetimet për dosjen e SASPAC, ku Beqaj dyshohet se ka abuzuar me fondet e BE kur ishte në krye të kësaj agjencie.

Kurse për çështjen e Sterilizimit, ish-ministri po ndiqet në gjendje të lirë. Në këtë dosje ka 8 persona nën akuzë, mes tyre edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, teksa në muajin Mars të këtij viti SPAK e dërgoi dosjen e Sterilizimit për gjykim.

Njoftimi i GJKKO: 

1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 16.12.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zgjatjen e afateve të paraburgimit për një periudhë tre mujore në lidhje me masën e sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale për personat nën hetim Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulaj, caktuar me vendimin Nr. 65 datë 03.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 238, 263 dhe 264 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 731, datë 30.12.2024, vendosi:

1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me Nr. 731 regjistri themeltar, datë regjistrimi 16.12.2024, me kërkues Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me objekt “Zgjatjen e afateve të paraburgimit për një periudhë tre mujore në lidhje me masën e sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale për personat nën hetim Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulaj, caktuar me vendimin Nr. 65 datë 03.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

2. Zgjatjen e afatit të paraburgimit, përkatësisht të kohëzgjatjes së masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, caktuar me vendimin Nr. 65 datë 03.07.2024, vazhduar me vendimin Nr. 73 datë 06.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal Nr. 190 të vitit 2023, për personin nën hetim Ilir Hamid Beqaj, për një periudhë prej 3 (tre) muajsh, duke filluar ky afat nga data 04.01.2025.

3. Zgjatjen e afatit të paraburgimit përkatësisht të kohëzgjatjes së masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, caktuar me vendimin Nr. 65 datë 03.07.2024, vazhduar me vendimin Nr. 73 datë 06.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal Nr. 190 të vitit 2023 , për personin nën hetim Ermal Xhemal Kurtulaj, për një periudhë prej 3 (tre) muajsh, duke filluar ky afat nga data 04.01.2025.

4. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar. Tiranë, më datë 30.12.2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni në vitin 2025?



×

Lajmi i fundit

Sfidat e BE-së në vitin e ri 2025

Sfidat e BE-së në vitin e ri 2025