Rriten punonjësit në dy ministri
dhe paga për policët e burgjeve

Rriten punonjësit në dy ministri<br />dhe paga për policët e burgjeve
Në mbledhjen e sotme qeveria ka marrë disa vendime të rëndësishme. Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e vendimit për trajtimin me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit, të studentëve dhe të kursantëve në institucionet arsimore të Policisë së Shtetit si dhe të shtetasve të ndaluar ose të arrestuar, deri në sqarimin e pozitës së tyre.
 
Sipas vendimit trajtimi me ushqim i punonjësve të Policisë së Shtetit bëhet i domosdoshëm për shkak të natyrës së veçantë të punës që kryejnë efektivat e kësaj strukture, përgjegjësisë dhe rrezikshmërisë së lartë në detyrë në raport me strukturat e tjera të administratës shtetërore.
 
Gjithashtu u miratua vendimi për rritjen e numrit të punonjësve të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës me 15 veta, duke e çuar numrin e punonjësve për këtë ministri në 448 punonjës, dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë me 10 veta, duke e çuar numrin e punonjësve për këtë ministri në 437 punonjës.
 
Ky numër akordohet për të plotësuar nevojat për staf të dy institucioneve të reja të krijuara, përkatësisht, Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, me 15 veta, dhe Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, me 10 veta.
 
Një tjetër vendim me rëndësi ishte edhe ai për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të Policisë së Burgjeve.
 
Ky vendim ka si qëllim miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave për gradë për punonjësit e Policisë së Burgjeve sipas hierarkisë së gradave dhe roleve në të cilat janë të përfshira gradat e tyre, si dhe realizimin e rritjes së përgjithshme të pagave për punonjësit buxhetorë, me synim trajtimin financiar më të mirë të punonjësve të kësaj strukture në mënyrë të njëjtë më strukturat e tjera të ngjashme.
 
Konkretisht, në vendim propozohet edhe ndryshimi i pagës bazë për gradë me rritje 7% për secilën gradë.
 
Gjithashtu sot u miratua edhe vendimi për krijimin e muzeut kombëtar “Gjethi” .
 
Vendimi ka për qëllim krijimin e Muzeut Kombëtar “Gjethi”. Ky muze do të ketë tematikë kryesore përkujtimin e dhunës psikologjike të regjimit komunist e të kontrollit të qytetarëve përmes përgjimeve të kryera nga ish-Sigurimi i Shtetit.
 
Muzeu Kombëtar “Gjethi” do të ketë selinë në Tiranë, rruga “4 Shkurti” dhe do të funksionojë si person juridik publik në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë.
 
Numri i punonjësve dhe fondi i pagave për krijimin e Muzeut Kombëtar “Gjethi”, për vitin 2017, do të përballohet nga numri i punonjësve dhe buxheti i miratuar, për këtë vit, për Ministrinë e Kulturës.
 
Të gjitha vendimet e sotme të qeverisë

MIRATOHET

PROJEKTVENDIME:

4. Për trajtimin me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit, të studentëve dhe të kursantëve në institucionet arsimore të Policisë së Shtetit si dhe të shtetasve të ndaluar ose të arrestuar, deri në sqarimin e pozitës së tyre.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME

Projektvendimi përcakton kategoritë e punonjësve të Policisë së Shtetit që përfitojnë trajtim me ushqim gjatë shërbimit ose për shkak të tij, si edhe mënyrën e realizimit të këtij trajtimi. 

Trajtimi me ushqim i punonjësve të Policisë së Shtetit bëhet i domosdoshëm për shkak të natyrës së veçantë të punës që kryejnë efektivat e kësaj strukture, përgjegjësisë dhe rrezikshmërisë së lartë në detyrë në raport me strukturat e tjera të administratës shtetërore.

Punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët kanë për mision ruajtjen e rendit e të sigurisë publike dhe parandalimin, zbulimin, hetimin e veprave penale, për natyrën e punës dhe të shërbimit që kryejnë, harxhojnë një sasi të lartë të k/kalorive, për shkak të ngarkesës së lartë fizike dhe psikologjike në ushtrimin e detyrave dhe të shërbimeve operacionale që ata kryejnë.

MIRATOHET

5. Për transferimin në pronësi të Bashkisë Kolonjë, në njësinë administrative Mollas, të pronës me numër pasurie 321, në zonën kadastrale 2691, me sipërfaqe 19350 m2, dhe për një ndryshim në vendimin nr.1087, datë 23.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në komunën Mollas, të qarkut të Korçës”.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME

Qëllimi i këtij projektakti është kalimi në pronësi të Bashkisë Kolonjë, në njësinë administrative Mollas, të pronës me numër pasurie 321, në zonën kadastrale 2691, me sipërfaqe totale 19 350 m2, e cila do të përdoret si stacion i ndërmjetëm i mbetjeve të ngurta dhe për varreza publike. Vendi i propozuar për ndërtimin e stacionit të transferimit nuk prek apo nuk cenon ndonjë zonë trashëgimie, arkitektonike, historike apo kulturore. Projektakt ka synim zbatimin e një sistemi të qëndrueshëm të menaxhimit të mbetjeve në rajonin e Korçës, që mbron burimet natyrore e mjedisin, si dhe shëndetin e njeriut. Kjo do të kontribuojë në përmirësimin e shëndetit publik, mbrojtjen e burimeve natyrore dhe shmangien e ndotjes mjedisore.

MIRATOHET

6. Për kalimin në përgjegjësi administrimi Agjencisë për Zhvillimin Ekonomik Rajonal të godinave dhe truallit funksional të tyre, ndodhur në zonën kadastrale 8210, me numër pasurie 3/74, me sipërfaqe 5 044.85 m2, dhe me numër pasurie 3/183, me sipërfaqe 1 580.89 m2.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME

Ky projektvendim ka për qëllimim kalimin në përgjegjësi administrimi Agjencisë për Zhvillimin Ekonomik Rajonal të godinave e të truallit funksional të tyre, ndodhur në zonën kadastrale 8210, me numër pasurie 3/74, me sipërfaqe 5044.85 m2, dhe me numër pasurie 3/183, me sipërfaqe 1580.89 m2, me qëllim zhvillimin e projektit “Qendra multifunksionale e shërbimeve për sipërmarrjet e reja “Betahaus Tirana””. 

Agjencia synon të nxitë dhe të ndërtojë partneritete, ndërmjet aktorëve zhvillimorë të sektorëve publikë dhe privatë, me qëllim rritjen e impaktit të investimeve dhe zhvillimin e potencialeve ekonomike rajonale. 

MIRATOHET

7. Për kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punëve të Brendshme të pronës së paluajtshme shtetërore, ndodhur në zonën kadastrale nr.2573, indeks harte Ko-Mal-C-5 dhe numër pasurie 1-114, për pajisjen e subjektit “Partia Socialiste e Shqipërisë” me ndërtesë, për degën vendore të Partisë Socialiste Maliq.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME

Projektvendimi ka për qëllim kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punëve të Brendshme të pronës së paluajtshme shtetërore, ndodhur në zonën kadastrale 2573, indeks harte Ko-Mal-C-5 dhe numër pasurie 1-114, me qëllim pajisjen e subjektit “Partia Socialiste e Shqipërisë” me ndërtesë, për degën vendore të Partisë Socialiste, Maliq. Ky projektakt autorizon ministrin e Punëve të Brendshme për lidhjen e kontratës së huapërdorjes me subjektin politik, sipas legjislacionit në fuqi.

MIRATOHET

8. Për një ndryshim në vendimin nr.152, datë 29.2.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në pronësi, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit te Bashkia Korçë, të disa mjediseve të pronës me emërtimin “Shtëpia e Ushtarakëve”, me vendndodhje në bulevardin “Republika””, dhe për kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punëve të Brendshme të mjediseve të katit të parë teknik, të pronës me emërtimin “Shtëpia e Ushtarakëve”.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME

Qëllimi i këtij projektvendimi është ndryshimi i përgjegjësisë së administrimit të disa mjediseve të katit të parë teknik të ndërtesës “Shtëpia e Ushtarakëve”, Korçë. Mjediset e transferuara në pronësi të Bashkisë Korçë, me vendimin nr.152, datë 29.2.2016, të Këshillit të Ministrave, nuk përdoren aktualisht nga Bashkia Korçë. Me qëllim përdorimin më të dobishëm të pronës, ky projektvendim ngarkon me përgjegjësi për administrimin e kësaj prone të paluajtshme Ministrinë e Punëve të Brendshme, në cilësinë e organit shtetëror që ushtron shkallën më të lartë të kontrollit mbi pronën.

MIRATOHET

9. Për shfuqizimin e vendimit nr.18, datë 13.1.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të disa mjediseve, nga Ministria e Brendshme Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik”. 

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME

Nisur nga fakti se AKCE nuk vazhdon të ushtrojë aktivitetin e saj administrativ në këto ambiente, pasi është transferuar në godinën e inovacionit, kërkohet të shfuqizohet ky vendim, me qëllim që e gjithë godina, duke përfshirë edhe ambientet, objekt të vendimit nr.18/2010, të Këshillit të Ministrave, të administrohen nga Ministria e Punëve të Brendshme. 

Aktualisht, në këto ambiente ushtron aktivitetin e saj administrativ Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit, institucion në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

MIRATOHET

10. Për miratimin e ndryshimit nr.1 të marrëveshjes së grantit nr.TF019228, të Fondit të Besimit me Shumë Donatorë, “Reparis”, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit të përmirësimit të cilësisë së raportimit financiar, të miratuar me vendimin nr.749, datë 16.9.2015, të Këshillit të Ministrave.

MINISTRI I FINANCAVE

Ndryshimi i marrëveshjes konsiston në zgjatjen e afatit të përdorimit të grantit me 30 muaj, nga 30 qershori 2017 deri në 31 dhjetor 2019. 
Kjo zgjatje e afatit kërkohet për dy arsye:

a) që të përcaktohet një datë e cila të korrespondojë me periudhën fillestare të planifikuar të implementimit të projektit prej 4 vitesh, siç është përcaktuar dhe në miratimin e projektit; 
b) për të marrë në konsideratë dhe datën e shtyrë të programit “Reparis” i cili financon këtë projekt.

MIRATOHET

11. Për përcaktimin e mënyrave, formave, kritereve dhe rregullave për organizimin e lojërave të fatit promocionale.

MINISTRI I FINANCAVE

Ky projektvendim detajon mënyrën, format, kriteret dhe rregullat që duhet të ndjekin organizatorët e lojërave promocionale, të cilët duan të promovojnë produkte apo shërbime të biznesit/veprimtarisë së tyre. Qartësimi i kritereve që duhet të përmbushin organizatorët e lojërave promocionale, duke u shoqëruar dhe me tarifën përkatëse për dhënien e autorizimit, do të mundësojë rritjen e cilësisë dhe të përgjegjshmërisë në zhvillimin e lojërave promocionale nga subjektet e autorizuara.

MIRATOHET

12. Për miratimin e tavaneve përgatitore të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2018-2020.

MINISTRI I FINANCAVE

Ky projektvendim ka për qëllim të përcaktojë tavanet përgatitore në kuadër të programit buxhetor afatmesëm 2018-2020 për të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore. Miratimi i tavaneve përgatitore të PBA 2018-2020 shënon dhe fillimin e procesit të përgatitjes së dokumentit buxhetor afatmesëm 2018-2020. Ky projektvendim nuk shoqërohet me efekte financiare për buxhetin e shtetit.

MIRATOHET

13. Për disa shtesa në numrin e punonjësve për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, për vitin 2017.

MINISTRI I FINANCAVE

Projektvendimi ka për qëllim të shtojë numrin e punonjësve organikë të dy ministrive, konkretisht, Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, me 15 veta, duke e çuar numrin e punonjësve për këtë ministri në 448 punonjës, dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, me 10 veta, duke e çuar numrin e punonjësve për këtë ministri në 437 punonjës. Ky numër akordohet për të plotësuar nevojat për staf të dy institucioneve të reja të krijuara, përkatësisht, Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, me 15 veta, dhe Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, me 10 veta. 
Numri i punonjësve rezervë, i parashikuar në ligjin vjetor të buxhetit, reduktohet me 25 veta, duke e çuar numrin rezervë të punonjësve në 0. 
MIRATOHET

14. Për kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Agjencia e Trajtimit të Kredive te Ministria e Financave, për Degën e Thesarit Sarandë, të një ambienti në pronën nr.13/125-m7 , në zonën kadastrale nr.8641, me vendndodhje në adresën “Lagjja nr.1”, në qytetin e Sarandës, dhe për një ndryshim në vendimin nr.513, datë 15.8.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Financave për Agjencinë e Trajtimit të Kredive”. 

MINISTRIT TË FINANCAVE

Projektvendimi ka për qëllim kalimin në përgjegjësi administrimi nga Agjencia e Trajtimit të Kredive te Ministria e Financave, për Degën e Thesarit Sarandë, të pronës me numër pasurie 13/125-M7, në zonën kadastrale nr.8641, me vendndodhje në adresën “Lagjja nr.1” në qytetin e Sarandës, me një sipërfaqe totale prej 25 m2, për sistemimin e arkivave dhe për përdorim protokolli në këtë degë. 

MIRATOHET

15. Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të Policisë së Shtetit.

MINISTRI I SHTETIT PËR INOVACIONIN DHE ADMINISTRATËN PUBLIKE 
MINISTRI I FINANCAVE

Ky projektvendim ka si qëllim miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave për gradë për punonjësit e Policisë së Shtetit sipas strukturave në të cilat ushtrojnë funksionet policore, trajtimin financiar të kursantëve apo të punonjësve të policisë që kryejnë kurse shkollimi/trajnimi, si dhe trajtimin financiar të bashkëpunëtorëve të institucioneve arsimore të sistemit policor.

MIRATOHET

16. Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të Policisë së Burgjeve.

MINISTRI I SHTETIT PËR INOVACIONIN DHE ADMINISTRATËN PUBLIKE 
MINISTRI I FINANCAVE

Ky projektvendim ka si qëllim miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave për gradë për punonjësit e Policisë së Burgjeve sipas hierarkisë së gradave dhe roleve në të cilat janë të përfshira gradat e tyre, si dhe realizimin e rritjes së përgjithshme të pagave për punonjësit buxhetorë, me synim trajtimin financiar më të mirë të punonjësve të kësaj strukture në mënyrë të njëjtë më strukturat e tjera të ngjashme. 

Konkretisht, në projektvendim propozohet edhe ndryshimi i pagës bazë për gradë me rritje 7% për secilën gradë. 

MIRATOHET

17. Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve me arsim të lartë në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalin Ushtarak Qendror Universitar, në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes, të punonjësve të infermieristikës në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë e Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për trajtimin e mjekëve në strukturat e Forcave të Armatosura”, të ndryshuar. 

MINISTRI I SHTETIT PËR INOVACIONIN DHE ADMINISTRATËN PUBLIKE 
MINISTRI I FINANCAVE

Ky projektvendim ka si qëllim realizimin e rritjes së pagave në sistemin shëndetësor, si dhe rregullimin e disa emërtesave të pozicioneve të punës, për shkak të ndryshimit të legjislacionit. 

MIRATOHET

18. Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.717, datë 23.6.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve mbështetës të institucioneve buxhetore dhe të nëpunësve të disa institucioneve buxhetore”, të ndryshuar.

MINISTRI I SHTETIT PËR INOVACIONIN DHE ADMINISTRATËN PUBLIKE 
MINISTRI I FINANCAVE

Ky projektvendim ka si qëllim realizimin e rritjes së pagave të punonjësve mbështetës në të gjitha institucionet buxhetore, si dhe rregullimet e klasifikimit në pagë për disa pozicione të punonjësve mbështetës në institucione të ndryshme buxhetore. Konkretisht, në projektvendim propozohet që pagat bruto të punonjësve me 10 e 14 klasa të rriten mesatarisht në masën 24.75, për qind, ndërkohë që paga bazë minimale për klasën e parë rritet me 36 për qind dhe arrin në vlerën e 30 000 lekë në muaj. Nga rritja e pagave përfitojnë rreth 4 000 punonjës administrativë/ mbështetës në të gjitha institucionet buxhetore, me një rritje mesatare të përgjithshme në përqindje në masën 24.75%, paga mesatare bruto e të cilëve varion nga 35 201.48 lekë në muaj në 43 913.61 lekë në muaj dhe me një rritje në vlerë prej 8 712 lekësh në muaj. 

Gjithashtu, përveç rritjes bazë për secilën klasë, parashikohet të bëhen edhe disa rregullime të emërtesave të ndryshme të pagave për disa pozicione specifike në institucione të ndryshme. 

Efektet financiare për shkak të politikës për rritjen e pagave do të përballohen nga fondet e miratuara në ligjin nr.130/2016 , “Për buxhetin e vitit 2017”, për politikat e reja të pagave. 

Efektet financiare që vijnë si pasojë e rregullimeve teknike të këtij vendimi janë të parashikuara në fondin e pagave të institucioneve buxhetore, për të cilat janë propozuar ndryshimet përkatëse për vitin 2017 dhe do të përballohen nga secili institucion. 

MIRATOHET

19. Për miratimin, në parim, të marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Cassa Depositi e Prestiti S.p.A., për “Projektin me objekt studime fizibiliteti, hartim dhe planifikim në nivel përfundimtar dhe studim të ndikimit mjedisor në fushën e infrastrukturës”.

MINISTRI I TRANSPORTIT DHE INFRASTRUKTURËS 
MINISTRI I FINANCAVE

Nëpërmjet këtij projektakti synohet miratimi në parim i marrëveshjes financiare për projektin me objekt studime fizibiliteti, hartim dhe planifikim në nivel përfundimtar dhe studim të ndikimit mjedisor në fushën e infrastrukturave, me një hua të butë në shumën 2 100 000 euro, e cila ndahet, si vijon:

- 1 950 000 euro që do të përdoren për financimin e tri studimeve të fizibilitetit, hartimin dhe planifikimin në nivel përfundimtar dhe studimin e ndikimit mjedisor në fushën e infrastrukturës;
- 150 000 euro që do të përdoren për financimin e aftësimit për punë të Njësisë Teknike në MTI.
Objektivi i përgjithshëm i programit është të kontribuojë për përmirësimin dhe për forcimin e planifikimit të rrjetit kryesor rrugor shqiptar gjatë akseve të korridorit VIII dhe të forcojë potencialin e zhvillimit social–ekonomik të Shqipërisë.

MIRATOHET

20. Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe transferimin e tij nga Ministria e Zhvillimit Urban te Bashkia Tiranë për realizimin e pagesës së detyrimit të prapambetur për shoqërinë “Urbaplan”.

MINISTRI I ZHVILLIMIT URBAN

Projektvendimi ka për qëllim shlyerjen e një detyrimi të prapambetur në zbatim të një kontrate, që kanë lidhur Bashkia Tiranë (Klienti) dhe shoqëria “Urbaplan” (Konsulenti) në datën 1 nëntor 2006, me objekt “Kryerja e shërbimit nga shoqëria “Urbaplan”” për projektin “Hartimi i planit rregullues të qytetit të Tiranës”, ku puna është realizuar, por, për shkaqe të ndryshme të neglizhencës dhe burokracisë zvarritëse, nuk është kryer likuidimi përfundimtar i asaj kontrate. 

MIRATOHET

21. Për miratimin e autorizimit të ndërtimit të centralit elektrik eolik, dhënë shoqërisë “ALB-BUILDING” sh.p.k.

MINISTRI I ENERGJISË DHE INDUSTRISË

Ky projektvendim ka për qëllim miratimin e autorizimit të ndërtimit të centralit elektrik eolik dhënë shoqërisë “ALB-BUILDING”, sh.p.k. Autorizimi konsiston në ndërtimin e centralit elektrik eolik, nё përputhje me kushtet dhe karakteristikat e specifikuara në të. 

Shoqëria ka bërë studime të tregut vendas dhe atij rajonal të prodhimit të energjisë elektrike dhe, pasi kanë analizuar zhvillimet ekonomike të vendeve të rajonit, ka konkluduar se ndërtimi i një centrali për prodhimin e energjisë elektrike eolike (nga era) është një aktivitet ekonomik me interes.

MIRATOHET

22. Për një shtesë në vendimin nr.547, datë 9.8.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore”, të ndryshuar.

Me këtë projektvendim propozohet shtesa e një paragrafi në pikën 3, të vendimit nr.547, datë 9.8.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, lidhur me kryerjen nga ana e AKBN-së, brenda fushës së veprimtarisë së vet, të oponencës teknike për projektet e ndërtimit të kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike, sipas tarifave të detajuara për kryerjen e saj, me përjashtim të oponencës teknike për punimet e ndërtimit, që kryhet nga institucionet e përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.

MIRATOHET

23. Për shpalljen e Qendrës Historike të qytetit të Korçës dhe miratimin e rregullores për mbrojtjen, konservimin e integruar dhe administrimin e saj e të zonës së mbrojtur përreth. 

MINISTRI I KULTURËS

Projektvendimi ka për qëllim shpalljen e Qendrës Historike dhe zonës së mbrojtur të qytetit të Korçës dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj dhe të zonës së mbrojtur përreth. 

Në projektrregullore përcaktohet struktura e Qendrës Historike të qytetit të Korçës e cila është hapësira urbane me vlera të rëndësishme urbanistike arkitekturore që dokumenton rrugën e zhvillimit historik të qytetit të Korçës dhe arritjet në arkitekturë dhe urbanistikë. Në këtë rregullore janë përfshirë elementet e përcaktuara në Planin e Përgjithshëm Vendor të miratuar si dhe janë përcaktuar detyrimet e mënyrat për mbrotjen, konservimin e integruar dhe administrimin e vlerave historiko – kulturore të Qendrës Historike dhe zonës së mbrojtur të qytetit të Korçës. 

MIRATOHET

24. Për krijimin e muzeut kombëtar “Gjethi” .

MINISTRI I KULTURËS

Projektvendimi ka për qëllim krijimin e Muzeut Kombëtar “Gjethi”. Ky muze do të ketë tematikë kryesore përkujtimin e dhunës psikologjike të regjimit komunist e të kontrollit të qytetarëve përmes përgjimeve të kryera nga ish-Sigurimi i Shetit.

Muzeu Kombëtar “Gjethi” do të ketë selinë në Tiranë, rruga “4 Shkurti” dhe do të funksionojë si person juridik publik në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë.

Numri i punonjësve dhe fondi i pagave për krijimin e Muzeut Kombëtar “Gjethi”, për vitin 2017, do të përballohet nga numri i punonjësve dhe buxheti i miratuar, për këtë vit, për Ministrinë e Kulturës.

MIRATOHET

25. Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikim urban, shesh, park publik, teatri ‘Petro Marko’” në Bashkinë Vlorë.

MINISTRI I ZHVILLIMIT URBAN

Projektvendimi ka për qëllim shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikim urban, shesh, park publik, teatri ‘Petro Marko’” në Bashkinë Vlorë. 

Pasuritë që shpronësohen janë “tokë truall”, me vlerë të përgjithshme të shpronësimit prej (81 331 044 (tetëdhjetë e një milionë e treqind e tridhjetë e një mijë e dyzet e katër) lekësh. 
Kjo vlerë do të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë, ndërsa shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban. 

Shpronësimi do të bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.

MIRATOHET

26. Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.678, datë 16.8.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi, vënia në punë, administrimi dhe mirëmbajtja e hidrocentraleve të Gojanit, Gjegjanit, Peshqeshit, Ura e Fanit, Fangut”, të ndryshuar.

MINISTRI I ENERGJISË DHE INDUSTRISË

Ndryshimet në projektvendimin e sipërpërmendur kanë për qëllim shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, 7 parcela dhe 1 ndërtesë, të cilat janë prekur nga ndërtimi, vënia në punë, administrimi e mirëmbajtja e hidrocentraleve të Gojanit, Gjegjanit, Peshqeshit, Ura e Fanit, Fangut, të cilët nuk janë përfshirë në vendimin nr.678, datë 16.8.2013, të Këshillit të Ministrave. 

Vlera e përgjithshme e shpronësimit nga 343 143 391.70 (treqind e dyzet e tre milionë e njëqind e dyzet e tre mijë e treqind e nëntëdhjetë e një pikë shtatëdhjetë) lekësh bëhet 346 011 639.70 (treqind e dyzet e gjashtë milionë e njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e nëntë pikë shtatëdhjetë) lekë dhe do të përballohet nga fondet e shoqërisë “AYEN AS energji”, sh.a.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Protesta e PD te Bashkia e Tiranës, Policia njofton masat dhe rrugët që bllokohen sot! Koha dhe itinerari që duhet të ndjekin shoferët

Protesta e PD te Bashkia e Tiranës, Policia njofton masat dhe rrugët që bllokohen sot! Koha dhe itinerari që duhet të ndjekin shoferët