Rritet numri i shqiptarëve të
prekur nga sëmundjet mendore

Rritet numri i shqiptarëve të<br />prekur nga sëmundjet mendore
Shqiptarët po preken çdo ditë e më shumë nga sëmundjet  mendore. Ky fenomen shqetësues tashmë është i dokumentuar. Statistikat e 10 viteve të fundit për pacientët e prekur nga diagnoza të shëndetit mendor, që janë kuruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, tregojnë se kulmi ka qenë viti 2011 me 1765 vetë të trajtuar në këtë spital. Por, për të gjykuar mbi përmasat e vërteta të shtrirjes së sëmundjeve mendore, shifrave të QSUT-së duhet t’i shtojmë edhe numrin e pacientëve të vendosur në katër spitalet psikiatrike në të gjithë vendin. Një numër të konsiderueshëm zenë edhe qendrat ditore, ku shkojnë persona në fazën e parë të sëmundjes.
Alarmi për rritjen e të prekurve nga sëmudjet mendore është dhënë edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
 
Shkaqet
Specialistët  që kanë kontakt të drejtëpërdrejt  me pacientët, evidentojnë disa nga shkaqet që vijnë si pasojë e këtyre sëmundjeve.  Doktoresha Psikiatre, Arjana Rreli shprehet se faktorët që ndikojnë në shtimin e të sëmurëve janë të shumtë. “Shkaqet janë biologjike, përshembull pacientë që e kanë të trashëguar gjenetikisht. Por, mund të ketë lidhje edhe me sëmundje të tjera, si p.sh një kancer, i cili sigurisht që shoqërohet me një problem mendor. Nuk mbeten pas shkaqet sociale, të cilat mund të jenë probleme të ndryshme si papunësia, migrimi i popullsisë, konfliktet, divorcet e prindërve, pamundësia për një jetesë normale, siç mund të jetë strehimi”, shprehet doktoresha Rreli. Sipas saj, i dhimbshëm është fakti kur një personi të predispozuar nga ana biologjike i mbivendoset edhe ana sociale. Ky rast nuk ka shpëtim nga një sëmundje mendore.
Adela Lamçja, psikologia e spitalit psikiatrik në Elbasan “Sadik Dinçi”, i grupon në një mënyrë  tjetër arsyet që nxisin sëmundjet mendore. “Janë shkaqe predispozuese. Faktorë mund të jenë terreni ku rriten si dhe hapësira në të cilën ata kalojnë kohën e lirë. Ndërsa shkaqet percipituese kanë të bëjnë me keqjetesën, abuzimin dhe traumat që mund t’i kenë kaluar në një moshë të vogël, por që shfaqen më vonë. Së fundmi është edhe faktori gjenetik, pacientët që e kanë të trashëguar sëmundjen”, shprehet psikologia.
 
Veçoritë
Por sëmundjet nervore kanë edhe veçoritë e tyre. Një nga këto është që prej tyre preken më shumë meshkujt në raport me femrat. Nga një studim i bërë në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, ka rezultuar se raporti që zenë në këtë spital meshkujt me femrat është 2 me 1. “Kjo ndodh për shkak të natyrës së tyre të dobët, janë më të mbyllur ndaj shoqërisë dhe mund të braktisen më lehtë nga familjarët”, shprehet psikologia e spitalit Adela  Lamçja.
Përsa i përket grupmoshave që preken më shumë nga këto sëmundje, ato janë 20-50 vjeç. Doktoresh Rreli thotë se është kjo grupmoshë, për shkak se individi është më i ekspozuar ndaj zhgënjimeve dhe ka më shumë përgjegjësi familjare. Gjithashtu një 20-vjeçar është më shumë i predispozuar të abuzojë me substancat. Nuk përjashtohet rasti kur sëmundjet mendore fillojnë që në moshën 18-vjeç.
 
Diagnostikimi
Sëmundjet mendore janë të vështira për tu kuptuar qoftë nga familjarët e të sëmurit, rrethi shoqëror apo edhe nga vetë mjekët. Në tërësinë e tyre çrregullimet mendore mund të jenë edhe të fshehura, duke u shfaqur në momente delikate të jetës apo edhe para një traume. Këto e bëjnë akoma më komplekse sëmundjen nga e cila vuan pacienti por edhe kohën kur ajo shfaqet.
Megjithatë specialistët e shëndetit mendor vendosin disa parametra që tregojnë se kur një person është normal, kur është duke vuajtur dhe kur është i prekur nga një sëmundje mendore.
Psikologia e spitalit psikiatrik “Sadik Dinçi”, Adela Lamçja tregon se tipari kryesor që e dallon një të sëmurë është izolimi nga rrethi shoqëror dhe mendimet negative që e dominojnë. “Për ne, një person vuan nga një sëmundje mendore kur demonstron disa tipare. Kur shkëputet nga realiteti, ka shkarje të mendimeve dhe besime të gabuara”.
Konstatimi i sëmundjes tek një person, është vetëm hapi i parë i një kalvari të gjatë. Përcaktimi i diagnozës përfundimtare, bëhet nga mjeku në bashkëpunim me psikologun.
 
Trajtimi
Trajtimi në kohë dhe kapja e sëmundjes në fazën e parë rrit shpresat për një kurim efikas dhe një afat më të shkurtër mjekimi. Sipas doktoreshës Arjana Rreli, një person me probleme të shëndetit mendor duhet të trajtohet me medikamente antidepresive dhe të bëjë kujdes me cilësinë e jetesës, duke qëndruar larg stresorëve që përkeqësojnë shëndetin e tij. “E rëndësishme është marrja e dozës së medikamenteve kundër depresionit, e cila ka të bejë me stabilizimin e veseve. Përshembull, personat të cilët përdorin medikamente kundër depresionit dhe ankthit, nuk duhet të përdorin kafe, alkool dhe cigare sepse ulin efektet e barnave dhe nxisin më shumë sëmundjen”.
Nga pacienti në pacient diagnoza ndryshon, duke u nisur nga të dhënat dhe detajet që ata tregojnë. Pavarësisht nga gama e madhe e sëmundjeve mendore, diagnozat më të shpeshta janë tre: çrregullime ankthi, çrregullime humori dhe çrregullime në të menduar.
Lidhur me kurën e vendosur, doktoresha tregon se pacienti nuk mund ta ndërpresë vetë atë kur e shikon që është më mirë, pasi mund të ketë elementë të fshehur të sëmundjes që shfaqen më vonë. “Kura, përcaktohet dhe ndërpritet nga mjeku kur ai e shikon të nevojshme. Shpesh herë ka raste të rikthimit të sëmundjes, ndaj nuk mund të vendoset nga pacienti se kur do ta ndërpresë atë”, shprehet Rreli. Sipas saj, kurimi fillestar i këtyre sëmundjeve zgjat nga 3 deri në 6 muaj.           
 
Politikat shtetërore

Për një trajtim serioz të sëmundjeve mendore, ashtu sikurse edhe për çdo sëmundje tjetër të rëndë, përveç institucioneve përkatëse rol përcaktues kanë edhe politikat shtetërore. Raportet vjetore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rekomandojnë shtimin e medikamenteve me rimbursim, shtimin e qendrave të rehabilitimit dhe krijimin e më shumë shërbimeve sekondare si një suport social. Në këtë mënyrë të sëmurët ndërkohë që janë nën ndikimin e terapive, mësojnë një profesion aq sa niveli i sëmundjes iu lejon. Një fenomen që shoqëron të sëmurët mendorë dhe që rëndon situatën e tyre është paragjykimi. Personat me çrregullime mendore paragjykohen dhe etiketohen në mënyrë pezhorative. Sipas specialistëve ka akoma paragjykime për ata që kërkojnë thjesht ndihmë që sëmundja të mos agravojë më tej. Ata kërkojnë të ketë më tepër sensibilitet nga rrethi shoqëror, për t’i pranuar të sëmurët mendorë ashtu siç janë. 

Flet Gazmend Bejtja Drejtori i Shëndetit Publik
 
Mbrojtja e të sëmurëve, qeveria plan 10-vjeçar
 

Të sëmurët mendorë kanë një status të veçantë dhe të drejtat e tyre mbrohen me ligj. Sipas Drejtorit të Shëndetit Publik pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, qeveria ka ndërmarrë një plan 10-vjeçar veprimi, 2013-2022, për ngritjen në një tjetër nivel të shërbimeve të shëndetit mendor. “Ngritja e këtij Rrjeti të Integruar të Shërbimeve të Shëndetit Mendor bazohet në përmbushjen e dy objektivave madhorë strategjikë, atë të decentralizimit të shërbimeve të shëndetit mendor përmes shtrirjes dhe atë të pasurimit të rrjetit ekzistues me shërbime sa më pranë komunitetit dhe Deinstitucionalizimit. Kjo mund të realizohet përmes reduktimit të numrit të shtretërve psikiatrik, ngritjes dhe fuqizimit të shërbimeve komunitare të shëndetit mendor”, shprehet Bejtja. Një tjetër përpjekje që vlen të theksohet është ajo për t’i mbrojtur të prekurit e sëmundjeve mendore nga diskriminimi. “Vizioni për të ardhmen frymëzohet nga filozofia e mbrojtjes të së drejtave të personave me çrregullime dhe nevoja të veçanta të shëndetit mendor. Gjithashtu e rëndësishme është edhe  lufta kundër përjashtimit dhe diskriminimit shoqëror, nëpërmjet një rrjeti të integruar të shërbimeve të shëndetit mendor për trajtim, rehabilitim dhe riintegrim shoqëror”, shprehet ndër të tjera ai. Ndonëse shumë nisma janë ndërmarrë në funksion të një trajtimi bashkëkohor të kësaj kategorie pacientësh, sërish vendi ynë është larg standardeve europiane. Diskriminimi shoqëror, pamundësia ekonomike dhe mungesa e një shërbimi të specializuar, jo vetëm që nuk ndihmojnë në trajtimin mjekësor të rasteve, por bëhen shkak për fshehjen e dhjetëra apo qindra rasteve të tjera. 


tab 1

tab 2

Redaksia Online
(a.n/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan