Rritet numri i të miturve në konflikt me ligjin në Shqipëri, vepra penale të lidhura me narkotikët dhe shkeljet e qarkullimit rrugor

Rritet numri i të miturve në konflikt me ligjin në Shqipëri, vepra penale të lidhura me narkotikët dhe shkeljet e qarkullimit rrugor

Foto ilustruese

Të dhënat zyrtare flasin për një rritje në Shqipëri të procedimeve penale për të miturit në konflikt me ligjin. Veprat penale lidhen kryesisht me narkotikët dhe shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor. Studiuesit e këtyre çështjeve bëjnë thirrje për forcimin e bashkëpunimit në nivel vendor për parandalimin e veprave penale dhe rritjen e shërbimeve për këtë kategori të të miturve.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare gjatë vitit 2022, bazuar në dispozitat e Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, u regjistruan në Shqipëri 821 procedime penale për të miturit në konflikt me ligjin, me një rritje prej 16,6% krahasuar me vitin 2021.

Raporti i Prokurorisë së Përgjithshme flet se në vitin 2022 janë regjistruar 572 të mitur si të pandehur, ose persona nën hetim, për kryerjen e veprave penale dhe ndaj 25 prej tyre është vendosur masë sigurimi arrest në burg, e cila përbën rreth 4,3% të të pandehurve të mitur.

Sipas raportit për vitin 2022 në 83,6 % të çështjeve ndaj të miturve janë vendosur masa alternative të shmangies së dënimit me burg dhe pjesa tjetër është pushuar për shkaqe të tjera procedurale.

Përfshirja e të miturve në konflikt me ligjin është komplekse, thotë Loreta Mamani, psikologe në Gjirokastër:

“Të miturit mund të jenë viktima, mund të jenë dëshmitarë, mund të jenë ata që kanë kryer këto vepra penale. E rëndësishme është që sido që të jenë, në komisariatet e policisë ku pyeten të miturit, gjithmonë ka psikologë që i shoqërojnë ata dhe procedura është standarte”.

Zonja Mamani thotë më tej se numri i psikologëve në disa qarqe është i pamjaftueshëm për të mbuluar nevojat.

“Në qytetin e Gjirokastrës ka mungesë të psikologëve. Duhet të jenë më shumë psikologë për të përballuar rastet ku kërkohet prania e tyre, sipas ligjit. Kjo varet nga prurjet pasi shumë studentë përfundojnë studimet dhe qëndrojnë në Tiranë apo largohen jashtë vendit dhe kemi një mungesë të burimeve njerëzore".

Piro Boboli, avokat në Gjirokastër, thotë se ka një seri veprash penale ku përfshihen më shumë të miturit.

 

“Bëhet fjalë për çështje që kanë të bëjnë me shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, për veprën penale të vjedhjes dhe më pak raste në Qarkun e Gjirokastrës për vepra penale në fushën e narkotikëve”.

 

Zoti Boboli thotë se shqetësuese është që këto raste janë në të shumtën e herës të përsëritura.

 

"Ka një ndryshim të theksuar në trajtimin e rasteve të të miturve. I jepet përparësi kryesore të drejtave që kanë të miturit dhe synimi kryesor është shmangia e procedimit penal, pra shmangia e të miturit në konflikt me ligjin i cili mund të jetë viktimë e veprës penale, dëshmitar apo autor i një vepre penale dhe më tej kur nuk arrihet shamngia, qëllimi kryesor është të jepen dënime alternative që të mos arrihet në dënimin përfundimtar, i cili është ai me burg".

Zoti Boboli thot se rastet më të shumta të përfshirjes së të miturve në vepra penale vijnë nga familje në shkallë të lartë varfërie.

Studiuesit e fushës vlerësojnë se ndërsa vihet re një rritje e veprave penale që lidhen me të miturit duhet punuar sidomos në nivele vendore nga institucionet, siç janë institucionet arsimore, bashkitë dhe Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve për parandalimin e tyre.

Pëllumb Nako, studiues i çështjeve të sigurisë dhe veprave penale me të mitur thotë se institucionet nuk kanë një strategji parandalimi.

“Në vendin tonë nuk ekziston një strategji e parandalimit të kriminalitetit të adoleshentëve. Dhe pikërisht problemi i parandalimit më shumë se institucional është edhe shoqëror. Kjo pasi presupozon institucione të shumta, organizata joqeveritare, presupozon në përgjithësi shoqërinë”.

Zoti Nako thotë më tej se edhe institucionet e shëndetësisë duhet të kenë një rol më të madh sidomos me problematikat e përdorimit të narkotikëve nga adoleshentët.

“Sot në Shqipëri nuk shohim të impenjuar edhe institucione si Ministria e Shëndetësisë apo Drejtoritë e Shënndetit Publik që të bëjnë një luftë ndërgjegjësuese, edukuese apo të komunikojnë me publikun për problematikën e konsumatorëve të drogës, të llojeve të drogës. E them këtë pasi pjesë e konsumatorëve të drogës janë edhe adoleshentët”.

Në janar të vitit 2018, në Shqipëri hyri në fuqi Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur, që solli sipas studiuesve të fushës një përmirësim në trajtimin e çështjeve, por rritja e veprave penale flet sipas tyre për rritjen e sfidave me të miturit në konflikt me ligjin. VOA

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve