Paga minimale do të rritet me 10 mijë lekë në muajin janar. Prej vitit të ardhshëm asnjë punonjës si në shtet ashtu edhe në privat nuk duhet të ketë pagë më të ulët se 50 mijë lekë në muaj.

Aktualisht në vend, gati 35% e të punësuarve paguhen deri në vlerën 50 mijë lekë në muaj, dhe praktikisht e gjithë kjo kategori përfiton. Janë më shumë se 300 mijë përfitues të rritjes së pagës minimale, dhe që janë të përjashtuar edhe nga tatimi mbi pagat.

Për të shmangur rritjen e kostove për sipërmarrjen private e cila është e detyruar që prej 1 janarit të vitit të ardhshëm të zbatojë pagën e re minimale, qeveria do të paguaj kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore me një kosto prej 10 milionë euro.

Pavarësisht kësaj rritje, që është e cila do të jetë e 6-ta nën drejtimin e socialistëve, ajo nuk do të jetë e fundit. Deri në 2029-ën qeveria ka premtuar rritje të pagës deri në 70 mijë lekë në muaj.

Kjo rritje e rrogës minimale gjykojnë ekspertët bëhet për të amortizuar kostot e inflacionit ndër vite, si dhe për të mbajtur fuqinë punëtore në vend, pasi prej vitesh tashmë vendi vuan për punonjës. Aktualisht janë 6 mijë vende të lira pune të shpallura nga bizneset për profesione nga elementaret deri tek ato më të kualifikuara.

SHQIPËRIA DHE RAJONI PËR PAGËN AKTUALE MINIMALE

Megjithëse rroga minimale në Janar të vitit 2026 do të rritet, përsëri renditja në raport me rajonin do të jetë e ulët, duke ndikuar në fuqinë konkurruese të rajonit.

Me pagën aktuale Shqipëria lë pas vetëm Kosovën. Por edhe me rritjen që pritet në janar, përsëri vendi do të renditet i katërti mes gjashtë shteteve, pasi kryeson Mali i Zi me pagë minimale aktualisht 670 euro, Serbia 618 euro dhe Maqedonia e Veriut 584 euro.

SHTETI ME PAGA MË TË LARTA SE PRIVATI

Për herë të parë në vitin 2026 pagat e shtetit do të indeksohen me normën e inflacionit.

Paga mesatare në sektorin privat aktualisht është në vlerën 77.137 lekë, ndërsa në sektorin publik ka arritur në 99.525 lekë, pra rreth 22 mijë lekë më shumë paguhen punonjësit e administratës në raport me stafet e bizneseve private.

Brenda këtij mandati qeveria parashikon që pagën mesatare të administratës publike ta çojë në vlerën e 112 mijë lekë, pasi do të rriten pagat për një sërë kategorish, nga mësuesit, mjekët e përgjithshëm, infermierët e deri tek inspektorët, komisarët apo drejtuesit e thjeshtë.

Pagat në shtet janë rritur shpejt për shkak të reformës së pagave që nisi në vitin 2022 dhe u finalizua në vitin 2024. Përmes kësaj reforme paga mesatare mujore e sektorit nga 68,245 lekë që ishte në fund të gjashtëmujorit të parë të 2022-shit, arriti në 99,525 lekë në qershor të këtij viti. Pra është rritur me 31,280 lekë.

Por ky ritëm nuk u ndoq nga sektori privat. Rroga mesatare nga 57,327 lekë në muaj në vitin 2022, arriti në 77,137 lekë këtë vit, pasi rritja brenda 3 vitesh në sektorin privat ishte 19,810 lekë mesatarisht.

Pagat në ‘kthetrat’ e nëndeklarimit

Diferenca e madhe e pagave shtet-privat, në kushtet kur privati duhet të jetë më konkurrues se shteti, për ekspertët lidhet direkt me fenomenin e nëndeklarimit të pagave. Fenomeni i dhënies së një pjese të pagës në dorë, e tjetrën në bankë, po ndikon negativisht jo vetëm në kontributet që paguajnë qytetarët për sigurimet e tyre, por nga ana tjetër pengon edhe zbulimin e pagave reale në vend.

Vetëm nga një aksion i nisur nga tatimet vitin e kaluar, zbuloi se gati 240 mijë punonjës ishin me paga të nëndeklaruara, fenomen i përhapur thuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Pavarësisht aksioneve kundër nëndeklarimit të pagave nga bizneset apo rritjes së tyre të detyruar nga mungesa e punonjësve, shifrat e INSTAT, tregojnë se pjesa më e madhe e punonjësve nuk e arrijnë pagën mesatare as të përgjithshme prej 83.906 lekë/muaj.

Referuar shifrave të Institutit të Statistikave gati 47.4% e të punësuarve, paguhen deri në 60 mijë lekë në muaj, më pas, 25.5% marrin paga nga mbi 60 mijë lekë deri në 95 mijë lekë dhe pjesa tjetër 27.1% paguhen mbi 950 euro.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:12
Çoçoli në Report Tv: Qeveria po rrit pagat për të frenuar emigracionin! Shteti më konkurrues se privati

 

Një ndër arsyet se përse qeveria ka vendosur rritjen e pagave, sipas ekspertit Fatos Çoçoli, është edhe frenimi i emigracionit. Në Report Tv, Çoçoli thotë se sektori shtetëror po bëhet më konkurrues se privati.

“Pjesa që e ka detyruar qeverinë të rrisë pagat është se po na ikin njerëzit. Vala e emigrimit nuk është stopuar, por është frenuar disi, sepse sot që flasim të punosh në shtet është më  emirë se në privat. Pjesa më e madhe që e detyroi qeverinë të rrisë pagat është se po na ikin njerëzit.

I bën ata dinjitoze që mos të lenë vendin, ka filluar të ndihet. Në këtë 3 mujorin e fundit kaluam në rritje të popullsisë pozitive, nuk e kemi patur. Janë ca shenja të vogla që kjo politikë po bën efekt, për më tepër që jemi në një situatë ku paga në sektorin shtetëror është më konkurruese se në sektorin privat. Pagat në shtet janë më të larta se në privat. Kjo nuk ndodh askund tjetër, as në rajon. Është e domosdoshme për momentin se po na ikin njerëzit. Afatgjatë nuk është e shëndetshme. Po nga ajo gjendje ku ishim, që njerëzit nuk e donin punë në shtet, ose për të shfrytëzuar, tani e kërkojnë”, tha Çoçoli.

Ora 20:12
Nëndeklarimi i pagave, eksperti Çoçoli: Krim ekonomik! Nëse s’ do kishim trukime masive, paga mesatare do shkonte 90 mijë lekë

Eksperti Fatos Çoçoli i ftuar në Report Tv ngre shqetësimin për nëndeklarimin e pagave, një fenomen që sipas tij po dëmton rëndë tregun e punës dhe konkurrencën e ndershme. Ai e quan krim ekonomik, ndërsa thekson se nëse ky fenomen nuk do të ishte kaq masiv, paga mesatare mund të shkonte deri në 90 mijë lekë, nga 77 mijë lekë që është aktualisht. 

“Pa patur këtë trukimin, që është krim ekonomik, ne mund ta kishim pagën në sektorin privat edhe 90 mijë lek, kaq i madh dhe masiv është trukimi”, thotë ai.

Ora 19:58
Eksperti Çoçoli për Report Tv: Buxheti 2026 ambicioz, paga minimale do të rritet në 500 euro! Për herë të parë indeksim pagës së administratës

 

Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli thotë në Report Tv se pr.buxheti 2026 është ambicioz dhe optimist. Çoçoli thotë se ky buxhet guxon, pasi do të rrisë pagat minimale sërish, nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë.

“Është ambicioz, mirë do ishte të ishte edhe optimist. Realist është, sepse vijmë nga një moment pozitive. Ky buxhet guxon, buxhet guxon të rrisë prapë pagat e administratës, ndërkohë që i ka rritur para 2 vitesh”, thotë Çoçoli.

Për herë të parë, Çoçoli thotë se pagat e administratës do indeksohen me 2.5%. Kjo sipas ekspertit do të prekë gati 150 mijë familje shqiptare.

“Çdo rritje page, kur shoqërohet me rritje prodhimi është e drejtë. Për më tepër që për një periudhë të gjatë pagat në shtet nuk kanë qenë të rritura, madje as të indeksuara. Viti i parë që po indeksohen pagat në shtet, është pikërisht ky vit. Të paktën mbron ata që janë në shtet, janë gati 150 mijë familje. Në Shqipërinë e vogël për nga popullsia është e ndjeshme. Duke u rritur nga 40 mijë lekë të reja në 50 mijë lekë të reja, është një kapërcim i mirë”, thekson Çoçoli.