Rritja e pagave për punonjësit e shtetit, shifrat rekord të shitjes së pasurive të paluajtshme dhe bumi turistik, ishin motorët kryesorë të rritjes ekonomike gjatë vitit 2024. Instituti i Statistikave thotë se Prodhimi i Brendshëm Bruto gjatë vitit të kaluar u rrit me gati 4% (3.96%) në raport me vitin 2023, aq sa ishin pritshmëritë e institucioneve vendase dhe të huaja.
Vetëm në tre muajt e fundit të vitit 2024, ekonomia është rritur me 3.63% duke u ngadalësuar në raport me sezonin veror kur u rrit me 4%. Degët kryesore gjatë këtij 3-mujori në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2023 kanë qenë administrata publike me rritje prej 11.3%, e ndikuar prej finalizimit të reformës së pagave që ndërmori qeveria, që solli rritje të pagës mesatare që tashmë është 1000 euro.
Së dyti është tregu i pronave me rritje prej 10.7%, duke treguar për flukse të larta parash që qarkullon ky sektor, gjë që tregohet edhe nga investimet që gjatë 2024-ës u përqendruan në blerje pronash. Përpos çmimeve të larta, shitjet nuk kanë të ndalur, duke u udhëhequr më së shumti nga kërkesa për prona nga të huajt.

Për shkak se ky tremujor përkon me festat e nëntorit dhe të ndërrimit të viteve është rritur me 9.5% në raport me 2023-shin aktiviteti i sektorit të arteve dhe argëtimit, për të vijuar me turizmin me rritje prej 4.3% e deri tek ndërtimi me +1.5%.
Nga ana tjetër viti 2024 e ka thelluar krizën në sektorin e industrisë dhe bujqësisë. INSTAT thotë se aktiviteti industrial u ul me 7.7% gjatë vitit të shkuar dhe bujqësia u tkurr me 2.7%. Kriza që ka nisur prej gati 5 vitesh i ka dhënë më shumë efektet tek blegtoria, pasi numri i krerëve të bagëtive është në rënie të fortë.
Për të ringritur edhe një herë bujqësinë Banka e Shqipërisë ka miratuar programin me kredi të buta në vlerën 250 milionë euro, dhe brenda vitit do të aktivizohet një garanci sovrane po për këtë sektor.
G.M./r.k./Shqiptarja.comKomente

