Pjesa më e madhe e rrugës së re Delvinë-Kardhiq ka përfunduar, ku punimet tashmë janë fokusuar edhe tek pjesa më e vështirë e projektit ajo e ndërtimit të tunelit të Skarficës. Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga punimet në tunelin Skarficës, ku ai tashmë është hapur dhe se po vijohet puna për ndërtimin e tij me standardet perëndimore.
“Mirëmëngjes dhe me punën që vijon në tunelin Skarficës përgjatë rrugës së re Delvinë – Kardhiq, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Tuneli i Skarficës po ndërtohet në Qafën e Skarficës dhe është segmenti me kushtet më të vështira si nga ana ndërtimore dhe nga kushtet gjeologjike të të gjithë aksit të ri rrugor Delvinë-Kardhiq. Tuneli pritet të hapet në shtator -tetor të 2021 duke realizuar një lidhje më të shpejtë mes Sarandës e Gjirokastrës, që parashihet t'i japë një hov të ri turizmit, ekonomisë, punësimit.
Projekti për ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë u nda në 7 lote, ku loti i 1,2 dhe 3 kanë përfunduar dhe janë drejt përfundimit lotet 4, 5, 6. Loti 7 është edhe pika e ndërtimit të tunelit të Skarficës, e cila kap vlerën e ndërtimit prej 1.78 miliardë lekë.