- Projektligji mbërrin në Kuvend -TIRANË, 13 Mars/ATSH/.- Qeveria shqiptare do të ndjekë një procedurë të veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës koncesionare/PPP me kompanisë kineze "China State Construction Company"(CSCC) për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Rrugës së Arbrit.
Kjo procedurë, e përcaktuar në një pr/ligj të posaçëm i depozituar për miratim në parlament, synon lidhjen në një kohë të shpejtë dhe të efektshme të kontratës për këtë vepër të rëndësishme. Kjo do t'i hapë rrugën edhe fillimit të ndërtimit të këtij segmenti rrugor në një kohë më të shkurtër, duke mundësuar kursimin e kohës së udhëtimit dhe kursimin e kostove operacionale të mjeteve.
Projekti i Rrugës së Arbrit
Rruga nis në dalje të qytetit të Tiranës, rrëzë malit të Dajtit, pasi kalon segmentet e projektuara, tenderuar dhe në proces ndërtimi nga ARRSH, dhe si segment i pafilluar ka një gjatësi prej 26.8 km, me gjerësi 10.5 m, me dy korsi të asfaltuara me gjerësi nga 3.75 m dhe me shpejtësi të projektuar 50-60 km/orë.
Në këtë segment parashikohet ndërtimi i 15 urave të mesme dhe të mëdha, me gjatësi totale rreth 1500 m, ndërtimi i dy tuneleve, me gjatësi respektive prej 2600 dhe 560 m. Zbatimi i projektit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit do të ketë impakt pozitiv, ekonomik, social dhe kulturor, duke shkurtuar distancat lidhëse të qyteteve dhe zonave të banuara si dhe do të realizojë standarde të larta teknike në të gjitha fazat e projektit. Sipas ministrisë së Transporteve, Haxhinasto, ky projekt do të rritë jo vetëm standardet e rrugëve në vend, por gjithashtu do të sjellë nxitjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik në zonat përreth.
Po ashtu, ky segment rrugor do të rrisë bashkëpunimin me Maqedoninë, duke bërë të mundur shkurtimin e gjatësisë me këtë vend me 75 km. Ndërtimi i Rrugës së Arbrit shkurton në mënyrë të ndjeshme distancat e transportit që lidhin Tiranën dhe Portin e Durrësit me Dibrën, Peshkopinë, Matin dhe Shkupin.
/a.s/ /a.ke/









