Rruga e vetme që i ka mbetur tani Lulzim Bashës

Rruga e vetme që i ka mbetur tani Lulzim Bashës

Lulzim Basha

Më në fund, drejtësia e ndau shapin nga sheqeri. Mirë apo keq, tashmë jemi përballë një fakti të kryer dhe është humbje kohe që të fillojmë të analizojmë si e pse ndodhi. Trupa gjyqësore mund të jetë treguar pragmatiste në atë vendimmarrje, por nëse do fillojmë t’i sulmojmë, thjesht do biem në moçalin kënetor të modelit “Berisha”.

Ligjërisht Lulzim Basha ka të drejtë t’i bëjë rekurs vendimit të Apelit në Gjykatën e Lartë. Kjo do të rezultojë një humbje kohe kur tashmë jemi futur në vitin zgjedhor. Të shpresosh se Gjykata e Lartë do i rikthejë vulën e PD-së Lulzim Bashës, do të thotë që të mbetesh peng i një besimi naiv që të çon në rrugë qorre.

Sado e dhimbshme që të jetë për Lulzim Bashën dhe ata që besojnë tek ai, ata duhet ta pranojnë si përfundimtar vendimin e Apelit dhe të njohin Sali Berishën si kryetar të PD-së. Vula dhe sigla e PD-së ishin shumë të rënda për shpatullat e Bashës pa Berishën në prapavijë. Mjafton që të bëjmë diferencën e votave të PD-së të vitit 2021 me ato të vitit 2023.

Ftesa e Berishës për bashkim me Lulzim Bashën, është një ftesë për gjunjëzimin e këtij të fundit. Aq sa mund të pranojë djalli temjanin, aq mund të pranojë Sali Berisha dhe shpura e tij Lulzim Bashën dhe mbështetësit e tij. Edhe sikur, për një çast, do besonim se kjo do ishte një ftesë e sinqertë, këtë “bashkim” nuk do e pranonte baza demokrate e të dyja palëve.

Bashkim do të thotë që Lulzim Basha dhe një pjesë e atyre që përbënin deri dje PD-në zyrtare, të jenë në listën prej 140 kandidatësh që Berisha do shpalosë për zgjedhjet e vitit 2025. Por kjo nuk mund të ndodhë. Palët kanë qenë kaq shumë të ndarë në akuza të ndërsjella ndaj njëri tjetrit, po edhe në qasjen që kanë ndaj drejtësisë dhe faktorit ndërkombëtar këto vite që kur Basha e pezulloi Berishën nga PD-ja, saqë çdo bashkim i sforcuar do ishte thjesht një ushqim i pangrënshëm. Plus që Berisha ka kaq shumë detyrime ndaj atyre që i qëndruan besnikë në këtë periudhë të vështirë të jetës së tij politike, saqë Basha dhe grupi i tij as bëhet fjalë të pranohen në SHQUP, jo më pastaj të jenë pjesë e listave për deputetë.

Me humbjen e vulës dhe logos së PD-së, sot Lulzim Basha është i “mbytur” politikisht. E vetmja fije bari që e mban mbi ujë, është mandati i deputetit që i jep mundësinë të ketë zë në tempullin e politikës që është Parlamenti. Por ky mandat deputeti është i përkohshëm, sepse ka filluar numërimi mbrapsht. Pranvera e zgjedhjeve vjen shpejt dhe ai, bashkë me pasuesit e vetë, duhet ta ndajnë mendjen se çfarë duhet të bëjnë; Të shkojnë tek Berisha për të qenë të fundit e qytetit që s’u hyjnë në punë kurrkujt, apo të krijojnë një parti të re politike, duke shpresuar se do jenë të parët e fshatit.

Sot për sot, nisur nga zgjedhjet e fundit vendore, Lulzim Basha ka një elektorat prej 103,719 votuesish që u përkthye në 123 mandate këshilltarësh në 55 nga 61 bashkitë e vendit. Këto vota duken qartë që kanë qenë vota anti-Berisha. Dhe të tilla do të mbeten, krijon ose jo parti të re Lulzim Basha,

Këta demokratë që nuk i besojnë non grata-s dhe izolimit ndërkombëtar të PD-së, sido që të jetë, ose do të gjejnë alternativa të tjera politike siç mund të jetë partia e Agron Shehajt apo parti të tjera të djathta, ose në rastin më të keq, do tregohen indiferent duke bojkotuar zgjedhjet.

Për këtë arsye, Lulzim Basha është i dënuar të mos i tradhtojë ata, duke ua lënë t’i përthithin të tjerët. Prandaj, e vetmja alternativë që Basha, Alibeaj e të tjerë që besojnë tek ta, është që t’i mbajnë fort këtë kontingjent të sigurt votuesish dhe të kenë objektiv elektoral 200 mijë vota nëse arrijnë të integrojnë në koalicion parti të tjera opozitare që janë absolutisht kundër qeverisë, por as nuk pajtohen me faktin që opozita zyrtare udhëhiqet nga Berisha. Kjo është mënyra e vetme që ata t’i imponohen PD-së në vitin 2025, kur Berisha të humbë zgjedhjet.

Ajo që duhet të bëjë Basha dhe ata që deri dje njiheshin si PD-ja e vulës, është të mos ndrydhen nga Berisha dhe ftesa e tij tinëzare, por të organizohen politikisht për të mos e humbur elektoratin e 14 majit 2023. Të krijosh një parti normale, me intelektualë të spikatur të së djathtës, jashtë ekstremizmit anormal që karakterizon linjën e Berishës, mund të jetë një qasje dobiprurëse për të arritur objektivat politikë.

Periudha deri në zgjedhjet parlamentare nuk i favorizon për të kryer konsulta të gjata të cilat shtyjnë në kohë agoninë politike. Ajo që Lulzim Basha duhet të bëjë për të qenë Fair Play me ata që e kanë mbështetur deri tani, është që t’u lërë një periudhë të shkurtër kohe për të ndarë mendjen brenda muajit qershor se me cilin krah politik do të pozicionohen, me të apo me Berishën.

Sado i pabesueshëm që të duket profili politik i Lulzim Bashës, koha e shkurtër deri në zgjedhje e bën atë të vetmin lider që grupi anti-Berisha në PD, mund të kenë. Nuk është e lehtë që në një periudhë më pak se 12 mujore një individ tjetër të ngjitë si emër anekënd vendit. Mirë a keq, emri i Lulzim Bashës ka 19 vite në politikë dhe si i tillë njihet edhe në skajet më të largëta të Shqipërisë, ku politika nuk është në plan të parë.

Lulzim Basha që të mbijetojë, duhet të krijojë një lidership me ata që i besojnë pa mëdyshje projektit të tij politik dhe të fokusohet me kohë të plotë për zgjedhjet e vitit 2025. Sigurisht, nëse e ka patur seriozisht përballjen 2-vjeçare me Berishën dhe ka dëshirë e vullnet për të qëndruar në politikë, për të udhëhequr ato 100 mijë zgjedhës që ka. Nëse i mungon vullneti dhe pasioni për ta bërë këtë, më mirë mos lodhet fare. Thonë që Holanda ka nevojë të ngutshme për Dee Jay.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Endri: 13/06/2024 07:24

    Problemi kryesor eshte se Lyl hajduti nuk eshte alternative, sepse eshte hajdut por edhe dembel

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër