ELBASAN - Prej disa ditësh Elbasani është kthyer në kantier ndërtimi. Tre nga rrugët kryesore të qytetit, janë bllokuar përkohësisht për shkak të investimeve që po kryen Bashkia e qytetit, me fondet e qeverisë shqiptare, për zgjerimin e rrugëve.

Këto investime përkojnë njëkohësisht edhe me rikonstruksionin total të stadiumit “Ruzhdi Bizhuta” që me vendim të këshillit bashkiak, do të quhet “Arena e Elbasanit”. Pas shembjeve të banesave dhe lokaleve përgjatë rrugës pranë Drejtorisë së Tatimeve, tek rruga “ Qemal Stafa” si edhe tek lagja ”28 Nëntori”, tashmë kanë nisur punimet për ndërtimin e këtyre rrugëve.

elbasan investime

Nga ana e pronarëve të objekteve të cilat u prishën në bazë të planit të ri urbanistik, nuk ka pasur rezistencë pasi ata janë kompensuar më parë nga bashkia e Elbasanit. Segmenti i rrugës tek lagja “28 Nëntori”, apo e njohur ndryshe tek shtëpia e aktorit të njohur Demir Hyskja, segment edhe pse i vogël për nga gjatësia, prej vitesh kishte mbetur pezull duke mos u zgjeruar për shkak të mungesës së fondeve për shpronësime.

Pas miratimit të huas që bashkia e Elbasanit mori nga një bankë e nivelit të dytë, u bë i mundur shpronësimi dhe kompesimi i pronarëve, duke u çelur drita jeshile për zgjerimin e unazës së brendshme të qytetit.

Prej vitesh infrastruktura publike në Elbasan nuk njihte asnjë investim për shkak të mungesës së fondeve për shpronësimin e mbi 100 objekteve në lagje të ndryshme. Me prishjen e objekteve në disa lagje është bërë e mundur tashmë ndërhyrja për zgjerimin dhe rikonstruksionin e disa rrugëve, të cilat do të lehtësojnë me përfundimin e tyre, qarkullimin e mjeteve në qytet.

elbasan investime

Ndër investimet më të rëndësishme është pikërisht ai i vazhdimit të By Passit në hyrje të qytetit, që vjen nga rrethrrotullimi i luleve deri tek posta, ai pranë shtëpisë së Demir Hyskes por edhe në akse të tjera. “E gjithë infrastruktura rrugore pritet të ndryshojë në një kohë rekord, pasi Elbasani do të jetë qyteti ku do të luajë ndeshjet kombëtarja shqiptare, duke u bërë kështu qytet që do të presi mijëra tifozë dhe sportdashës”, thotë kreu i bashkisë Qazim Sejdini.

Nga ana tjetër, burime nga institucioni i bashkisë bëjnë të ditur se “ të gjitha këto investime kryhen mbas projekteve që bashkia hartoi për sistemin e urbanizimit të ri të qytetit, dhe që kanë fituar nga qeveria. Për këto projekte sa më sipër por edhe për të tjera që janë në prokurim e sipër qeveria ka akorduar një fond prej 5 milion dollarësh, me qëllim kthimin e qytetit të Elbasanit, në një qytet me histori dhe me një pamje ndryshe.

elbasan investime

Një tjetër investim madhor që po kryhet paralel me rrugët e qytetit është edhe Stadiumi “Elbasan Arena” punime të cilat duket se do të jenë gati para afateve të paracaktuara. Punimet po ecin me ritme të shpejta ndërsa në të gjithë sektorët e stadiumit punohet me ritme të shpejta. Firma kontraktore kohët e fundit ka shtuar ritmin e punimeve me qëllim dorëzimin para afatit të “shtëpisë” së re të kombëtares.

Shkallët dhe tribunat kryesore të stadiumit janë drejt përfundimit, ndërsa ka mbetur shumë pak për tu betonuar. Ndërkohë në sektorin e fushës ritmet e punës ecin paralelisht me pjesën tjetër të punimeve. Pas nivelimit dhe vendosjes së sistemit vaditës, në fushë ka nisur edhe shtrimi i tapetit të blertë.

Punimet po vijojnë edhe në pjesët e brendshme të stadiumit, si dhe në tarracë, ku në këtë të fundit ka nisur edhe izolimi nga lagështira. Ndërsa në pjesën ballore janë duke u vendosur pjesët e hekurit, që do të mbajnë panelet e xhamit. Paralelisht me punimet e firmës që po ndërton stadiumin, bashkia e qytetit ka nisur shembjen dhe zgjerimin e sheshit përpara stadiumit. Ndërkohë pritet që shumë shpejt të nis puna edhe për rehabilitimin e këtij sheshi, i cili do të shndërrohet në parking për stadiumin.

elbasan investime

Pas përfundimit të punimeve, ky impiant pritet të plotësojë të gjitha kriteteret e vendosura nga FIFA dhe UEFA, për të luajtur ndeshje ndërkombëtare. Kapaciteti përfundimtar i stadiumit pritet të jetë 14 mijë vende, përfshirë tribunën Vip dhe gazetarët. Federata Shqiptare e Futbollit duket se ka arritur një marrëveshje edhe me Ministrinë e Sporteve, ku kjo e fundit do të marrë përsipër edhe ndërtimin e pistës së vrapimit rreth fushës së blertë.Në të gjithë këtë punë thuajse të përbashkët për një qytet të pastër dhe me hapësirë po punohet 24 orë në ditë. Katër subjekte private po punojnë për restaurimin e rrugëve sa më sipër. Meqënëse është një sezon turistik, edhe për trafikun rrugor brenda në qytet janë marrë masat. Mjetet tashmë qarkullojnë me dy korsi brenda rrugëve kryesore dhe dytësore në qytet, ndërsa në çdo kryqëzim janë të dislokuar efektiva të Policisë Rrugore për të bërë të mundur qarkullimin lehtësisht të mjeteve. Parashikohet që të gjitha punimet të përfundojnë në fillim të muajit tetor

Marrë nga A.T.SH

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)