Rrëfimi i Helidon Gjergji: Mesazhi historik i veprës Tango Down 2 në BunkArt1

“Tango Down 2” në BunkArt1, e realizuar nga Helidon Gjergji është më shumë se një provokacion artistik, më shumë se një mesazh, më shumë se një vepër e përkohshme. Efektet e kësaj vepre të lënë pa fjalë. Ti përfshihesh, bëhesh protagonist, ndërsa imazhet njerëzore shumëfishohen përmes rrugëve virtuale të dukurisë së pasqyrimit dhe të kopjimit të gjurmëve, e shkojnë deri në shifra të pabesueshme. Shumëfishimi më i fundit vihet re deri në atë kohë kur mund ta shoh gjithsecili, por në veprën e Helidon Gjergjit vazhdon, vazhdon, pa limit, ashtu si historia e njeriut në tokë. Ndaj edhe vepra do të mbetet përgjithmonë në një nga dhomat e muzeut antibërthamor BunkArt 1, e lidhur si një zinxhir me vijimësinë e gjendjes së jetës humane që kalon përmes rreziqeve dhe luftërave.

E ndërsa harron të kthesh kokën pas, kësaj paqes së sotme i rikthehet historia tragjike e së kaluarës. Helidon Gjergji e vendos pikërisht veprën e tij në një atmosferë muzeale të së shkuarës, kur vetë vepra projekton një muze të së ardhmes. Kjo vepër ka zanafillë “Tango Dawn1” në Bosnje, të vendosur në Bunkerin Antiatomik të këtij vendi. Dhe, si një diptik Helidon Gjergji projekton një tjetër të ngjashme në BunkArt 1, në Tiranë.

Të dyja janë shumë të ngjashme, sa i përket mentalitetit të luftës antiatomike. Në Bonjë vepra u ngrit për rastin e Bienales së Bosnjes. Ndërsa, kur pashë bunkerin këtu, doja që ta bëja për shkak të periudhës kohore, që përfaqëson ky vend. Tema është mbi luftën antiatomike, është një punë që i përket këtij vendi, jo një punë që e sjell nga jashtë. Ideja është reflektimi mbi luftën atomike sot.”, thotë Helidon Gjergji, duke na kujtuar se rreziqet e luftës atomike po bëhen më të afërta. Vepra në BUnkArt2 vjen edhe si një mesazh i së ardhmes, si një thirrje e brendshme e artistit për rritjen e vigjilencës ndaj dhunës.

Ndërsa na lë të lirë në fantazinë që ndez vepra, Helidon Gjergji rrëfen për “Shqiptarja.com” disa mistere të çastit kur vepra Tango Down 2 u ngjiz...

Helidon, ky është stacioni i dytë i “Tango Down”. Dimë që në fillim startoi një e tillë në Bosnjë dhe tjetra vjen këtu në BunkArt 1. Si të lindi ideja për të stacionuar veprën tënde në një nga dhomat muzeale të BunkArt1?

-Ideja e luftës atomike po e ndjek njerëzimin kudo, madje kufijtë rrezikut po vijën duke u ngushtuar shumë. Është një luftë që përmendet, parashikohet, duke u parashikuar madje edhe si të parandalohet nga çdo shtet. Pra siç duket, edhe pse luftërat tragjike të shekullit që shkoi nuk i kanë mbyllur plagët, sot e kësaj dite lufta është një temë që na ndjek të gjithëve dhe që iu përket të gjithëve.

E them këtë, që një temë që na përket të gjithëve, për t’i dhënë një pjekje reale kësaj teme, sepse në momentin që futesh në bunker nis të kuptosh një realitet tjetër historik nga ajo që na është treguar. Të duket sikur lufta në thelb i përket së kaluarës, mirëpo kjo luftë që është bërë dhe e mendojnë të distancuar është historike, ku në pamje të parë të duket se ka distancë, por nuk është e vërtetë që ka distancë. Ndaj frika më madhe është kur njerëzit desensibilizohen dhe e humbasin vigjilencën e tyre ndaj dhunës. Mjafton të kujtojmë fëmijët që luajnë me video game, madje dhe të rriturit. I sheh ata sesi luajnë, sesi vrasin me plumba virtualë, sesi sulmojnë, por kjo është një botë ireale dhe nuk ka lidhje me të vërtetën.  Ky koncept nisi me Tango Dawn në Bosnje në Bunkerin Antiatomik. Të dy janë shumë të ngjashme, sa i përket mentalitetit të luftës antiatomike. Në Bonje u bë me rastin e Bienales së Bosnjes, ndërsa, kur pashë bunkerin këtu, doja që ta bëja për shkak të periudhës kohore që përfaqëson ky vend. Tema është mbi luftën antiatomike, është një punë që i përket këtij vendi, jo një punë që unë po e sjell nga jashtë. Ideja është reflektimi mbi luftën atomike sot. Ajo që është më shqetësuese është sesi njerëzit reagojnë në shtëpinë e tyre sot.

Në impaktin e parë, kjo vepër duket si një libër i madh pasqyrash që përcjell deri në infinit imazhet e riprodhuara dhe të e duket se nuk shterin këto imazhe, syri s’e kap dot fundin. Cili është roli që luan vepra juaj në këtë muze?

-Unë nuk e di sesi do ta përjetojë gjithsecili që e shikon veprën time. Dhe nuk e di kur përfundon komunikimi me të. Por është një pasqyrim i realitetit historik, duke nisur që nga mediat, nga mënyra sesi i hartojnë dhe sesi rrjedhin nga njëra media në tjetrën lajmet e rreme, duke u shumëfishuar. Pra a jemi ne këtu për të parë e prekur këtë vepër që është e vërtetë, apo jemi për të parë imazhet në pasqyrë që e bëjnë këtë realitet të shumëfishuar në mënyra të ndryshme. Ky është reflektimi i parë që vjen nga vepra. Dhe në rastin e muzeut lidhet me faktin se Muzeu BunkArt 1 ka një kronologji që lidhet me historinë dhe që lidhet me ndërtimin e tij dhe me periudhën e komunizmit. Këtu nisin të komplikohen gjërat, sepse edhe historia vet ka një element artistik. Ajo nuk është kurrë e ngrirë, por as nuk është kurrë shkencë. Edhe sot bëhet një demonstratë para kryeministrisë dhe interpretohet në mënyra të ndryshme, pa u evidentuar mirë kush e bënë këtë protestë, kush e drejton.

Ju keni kaluar fëmijërinë në diktaturë, ç’lidhje kanë me ju bunkeret, si i shihnit në atë kohë?

-Normalisht për mua që vij nga një familje me gjyshër të persekutuar këta bunkerë nuk duhet të kishin një lidhje të mirë. Unë edhe e kam përhetuar kampin e përqëndrimit duke qëndruar disa kohë pranë gjyshes sime, e ndoshta do të duhej t’i urreja. Por unë isha fëmijë atëherë, dhe kam pasur kujtime të bukura me bunkerët, sepse fëmijëria ime lidhet me historinë e fundit të komunizmit. Më kujtohet kur ne shkonin në Himarë gjatë verës, dhe ajo ishte mbushur me bunkerë. Por për syrin e një fëmije ata bunkerë nuk ishin gjë tjetër veçse një sheh loje apo një trampolinë që ne të hidheshim në det. Ky ishte perceptimi im si fëmijë. Dhe tani kur i shoh në mëshirën e natyrës dhe të pambrojtur kam një nostalgji. 

Cili është mesazhi që ke ngulmuar më tepër për t’ua përcjellë vizitorëve të BunkArt1?

Në artistët kur e krijojmë një vepër, përpiqemi të mos shpjegojmë shumë, sepse veprat flasin vetë. Synimi kryesor është që të ketë një mesazh të qartë, më demokratik, një mesazh që të jetë i lexueshëm nga çdo lloj moshe dhe për atë që nuk ka eksperiencë për artin. Mesazhi në thelb nënvizon rrezikun për mënyrën sesi përdorim kompjuterët, ipadet, dhe gati-gati po futem njerëzit brenda tyre. Është një botë virtuale.



 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis