Kanë kaluar 37 vjet nga nata mes 3 dhe 4 qershorit 1989, kur Ushtrisë Popullore Çlirimtare të Kinës iu dha urdhri të qëllonte mbi popullin në Pekin. Masakra e Sheshit Tiananmen mbetet ende një tabu e mbuluar nga sekreti shtetëror, një formë amnezie kolektive e imponuar ndaj kinezëve. Këtë 4 qershor, policia ua ndaloi familjeve të viktimave të vizitonin varrezat në Pekin për të përkujtuar fëmijët dhe nipërit e tyre. Ata të rinj, të vrarë nga breshëritë e mitralozëve dhe të shtypur nga zinxhirët e tankeve vetëm sepse kishin kërkuar një qeveri më të denjë, duhet të fshihen nga kujtesa kolektive, sepse Partia Komuniste nuk është e gatshme të përballet me historinë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze reagoi me ashpërsi këtë mëngjes ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili dje deklaroi se, sado e fortë të jetë censura, “ajo nuk do të mund ta fshijë kurrë të kaluarën, kujtimin e mijëra protestuesve paqësorë të sulmuar nga ushtria me urdhër të Partisë Komuniste. Ata që u sakrifikuan për të mbrojtur të drejtat e tyre të patjetërsueshme për lirinë e shprehjes dhe tubimin paqësor do të marrin drejtësi një ditë”.

Komenti i Rubios pasqyron deklaratat e bëra në prag të çdo përvjetori të masakrës, por fjalët e këtij viti tingëllojnë si një përpjekje për të balancuar qëndrimin amerikan, pasi muajin e kaluar presidenti Donald Trump lavdëroi udhëheqjen e Xi Jinping, duke anashkaluar çdo referencë për të drejtat e njeriut.

Pikërisht për këtë arsye, Mao Ning, drejtoreshë e Departamentit të Informacionit në Ministrinë e Jashtme të Kinës, iu kundërpërgjigj me forcë deklaratës së Rubios: “Komentet e gabuara të palës amerikane shtrembërojnë faktet historike, shpifin ndaj sistemit politik dhe rrugës së zhvillimit të Kinës dhe përbëjnë ndërhyrje në punët e brendshme të vendit”. Ajo përfundoi duke thënë se askush nuk mund të “ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës me pretekstin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Ndalimi i familjeve për të shkuar privatisht, pa bujë, në varreza për të kujtuar të rinjtë e vrarë në Tiananmen, duket si një tjetër ashpërsim i strategjisë së harresës së imponuar. Organizata Amnesty International vëren se në të kaluarën “Nënat e Tiananmenit” kishin mundur të vizitonin të paktën varret e fëmijëve të tyre, megjithëse nën mbikëqyrjen e rreptë të policisë.

Njëra prej tyre është Zhang Xianling, e cila humbi djalin e saj 19-vjeçar gjatë natës së përgjakshme të vitit 1989. Gruaja, sot 89 vjeçe, i tha Radio Free Asia se kishte marrë një paralajmërim nga Zyra e Sigurisë Publike e Pekinit, e cila e kishte urdhëruar të mos shkonte në varrezat Wanan.

“Nga 28 maji ka policë te porta e kompleksit ku banoj, dy të tjerë në hyrje të pallatit dhe tre makina policie jashtë”, tha ajo.

Djali i saj quhej Wang Nan. Ai sapo kishte përfunduar shkollën e mesme në pranverën e vitit 1989, kur të rinjtë nisën të pushtonin Sheshin Tiananmen. Ata nuk kërkonin të rrëzonin qeverinë, por të siguronin reforma liberale. Partia Komuniste i toleroi për javë të tëra, por më pas, nga frika se mos humbiste kontrollin, urdhëroi shtypjen e protestave.

“Duhet të vriten ata që duhen vrarë dhe të dënohen ata që duhen dënuar”, vendosën Deng Xiaoping dhe bashkëpunëtorët e tij.

Qindra, dhe me shumë gjasa mijëra qytetarë të paarmatosur, u masakruan më 4 qershor.

Mes tyre ishte edhe Wang Nan, i vrarë në një kryqëzim vetëm disa dhjetëra metra në veri të Sallës së Madhe të Popullit, ku në mesin e majit Xi Jinping kishte pritur me të gjitha nderimet Donald Trumpin. Wang po udhëtonte me motor kur u godit në ballë nga një plumb, sipas një liste të viktimave të përpiluar nga organizata Human Rights in China.

Ushtarët e varrosën atë së bashku me shumë të rinj të tjerë në një varr masiv, por shirat e rrëmbyeshëm të fundit të qershorit nxorën në sipërfaqe trupat. Familja arriti të rimarrë eshtrat e djalit, i kremoi sipas traditës dhe vendosi hirin e tij në varrezat Wanan./ Corriere della Serra