Në kuadër të javës ndërkombëtare të gjuhës së shenjave dhe personave me aftësi të kufizuara, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti në një takim Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Zëvendësministren e këtij institucioni, Bardhylka Kospiri, si dhe një grup personash me aftësi të kufizuara.
Në këtë takim, Manastirliu i prezantoi Kryetarit të Kuvendit iniciativën e shoqërimit me gjuhën e shenjave të seancave plenare në ditën e zhvillimit të tyre, një praktikë kjo shumë e rëndësishme që aplikohet në disa vende të tjera të Evropës. Në vlerësimin e Manastirliut, konkretizimi i kësaj iniciative vjen në përputhje me angazhimet e shprehura nga qeveria shqiptare, e cila ka pranuar me VKM zyrtarizmin e gjuhës së shenjave për personat që nuk dëgjojnë dhe njëkohësisht ka miratuar një plan veprimi për personat me aftësi të kufizuara edhe në përputhje me konventat ndërkombëtare.
Kryetarit i Kuvendit vlerësoi se një iniciativë e tillë është jo vetëm jo vetëm një e drejtë, por një detyrim në shërbim të aksesit të personave me aftësi të kufizuara në informacion dhe qasjen e tyre në vendimmarrjen parlamentare. Ruçi shprehu dakordësinë për këtë nismë dhe vuri në dukje se Kuvendi ka vullnetin e plotë për mbështetjen e saj, duke vlerësuar dhe konsideruar të gjitha mundësitë dhe modalitetet për realizimin e saj në të ardhmen.
Në përfundim, falënderimet për mbështetjen dhe këtë takim me Kryetarin e Kuvendit, shprehën dhe përfaqësues të personave me aftësi të kufizuara të pranishëm në këtë takim.