Edhe Rumania u gjend krah Shqipërisë jo vetëm me ndihma në ushqime, por edhe me specialistë ushtarakë që ndihmuan gjatë gjithë operacionit të kërkim shpëtimit për trupat nën rrënojë nga tërmeti i 26 nëntorit. Ambasadori rumun në vendin tonë tha se ishte tragjike të shihje qytetin e Durrësit me godinat e kthyera në gërmadha. Kryeministri Edi Rama tha se ishte mallëngjyes të shihje solidarizimin e Rumanisë me Shqipërinë teksa ndezën ngjyrat e flamurit shqiptar.
Ambasadori i Rumanisë: Në Rumani pati një emocion të thellë pas kësaj tragjedie. Populli rumun përgatiti që orët e para avion dhe kemi qenë këtu me 12 ton mallra dhe 52 specialistë ushtarakë për të ndihmuar. Ata kanë punuar gjatë gjithë ditës dhe është një histori e shkëlqyer. Pashë sot Durrësin, ishte një tragjedi. Dua t'ju informoj se vendi ynë ju mbetet pranë. Nesër do të kemi dy avionë të tjerë. Javën që vjen do të kemi inxhinierë të specializuar në ndërtim dhe për këto raste vështirësish.
Rama: Ka pasur dy pamje në 28 nëntor që ishin si qetësues të dhimbjes. Ato dekorime në Bukuresht që kremtonin Shqipërinë, tregonin mëshirë, flamurë kaq të bukur shqiptarë, të ndriçuar, një flamur edhe në Abu Dabi i ndriçuar i gjithi...Kështu që faleminderit shumë ambasadorë për këtë, nuk do t'ju harrojmë kurrë. Është më e mrekullueshmja, apo e vetmja pjesë e mrekullueshme e historisë që po kalojmë, sepse duket si një kremtim i njerëzimit që shpresoj të vazhdojë e do të përmbyllet duke i kthyer buzëqeshjen gjithë njerëzve duke i parë të hapin dyert e shtëpive të tyre të reja.
Na falni për çdo shqetësim që është krijuar nga burokracia. Jam i sigurt që ka pasur episode të tilla, por përgjithësisht gjërat kanë funksionuar mirë për përmasat kundrejt kësaj katastrofe përkundrejt kapacitet për ta përballuar.
Lajmi kryesor: