MOSKË - Dy të dyshuar të tjerë u arrestuan nga policia ruse për vrasjen e opozitarit, Boris Nemtsov, njoftoi sot agjencia ruse e lajmeve, Ria Novosti.
Kjo e çon në katër numrin e personave të dyshuar për vrasjen e një prej liderëve kryesorë të opozitës ruse, i vrarë më 27 shkurt pranë Kremlinit.
Albert Barahojev, sekretar i Këshillit të Sigurisë në republikën ruse të Ingushetisë, pranë Çeçenisë, deklaroi se policia ingushete kishte arrestuar dy persona lidhur me ngjarjen.
Një prej tyre është vëllai i Anzor Gubaçevit, arrestimi i të cilit së bashku me Zaur Dadajevin u njoftua nga Shërbimi Federal rus i Sigurisë (FSB)./ATSH/