Pas publikimit të shkrimit në gazetën Shqiptarja.com, se Ministri teknik i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, kishte votuar kundër propozimit të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, e dënuar me katër vite burg për korrupsion, ka reaguar vetë ministri teknik.

Në reagimin e tij, Bardhi sqaron se shkarkimi i gjyqtares Andrea, ashtu sikurse i çdo gjyqtari të Gjykatës së Lartë, nuk është kompetencë e KLD-së (pas reformës shndërrohet në KLGJ), por e Presidentit dhe Kuvendit.

Dhe deri në ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Bardhi sqaron se kompetenca i takon sërish Presidentit dhe Kuvendit e jo Këshillit të Lartë të Drejtësisë ku edhe është hedhur propozimi për shkarkimin e Majlinda Andreas. 
 
"Shkarkimi nga Presidenti dhe Kuvendi"
"Emërimi dhe shkarkimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, bëhej sipas një proçedure bashkëpunimi midis Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë. Pas, ndryshimeve kushtetuese, kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë i ka kaluar Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në këtë kuadër, deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nuk i transferohet KLD (kjo do të ishte e paprecedentë), por vijohet të ushtrohet nga organi që e kishte përpara miratimit të ndryshimeve (pra, Presidenti dhe Kuvendi).

Reagimi i plotë i ministrit teknik të Drejtësisë Gazmend Bardhi:
Më lejoni të theksojë me forcë, se sikundër kam theksuar në mbledhje (që pasqyrohet edhe në proçesverbal), rasti në fjalë është rast tipik dhe i detyrueshëm për shkarkim. Madje shkarkimi është pasojë e drejtëpërdrejtë nga Kushtetuta dhe ligji. Mirëpo, në referim të neneve 140 dhe 179 të Kushtetutës, nenit 160 të ligjit nr. 96/2016, si dhe vendimit nr. 37/2017 të Gjykatës Kushtetuese (paragrafi 30), kjo nuk është kompetencë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Për informim të gazetarit, gazetës dhe televizionit tuaj, përpara miratimit të ndryshimeve kushtetuese, emërimi dhe shkarkimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, bëhej sipas një proçedure bashkëpunimi midis Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë. Pas, ndryshimeve kushtetuese, kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë i ka kaluar Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në këtë kuadër, deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nuk i transferohet KLD (kjo do të ishte e paprecedentë), por vijohet të ushtrohet nga organi që e kishte përpara miratimit të ndryshimeve (pra, Presidenti dhe Kuvendi). Ky rregull buron nga parimi kushtetues i vazhdimësisë dhe koherencës institucionale, çka nënkupton që organet ekzistuese vijojnë të ushtrojnë kompetencat e tyre siç i kanë patur përpara ndryshimeve, deri në krijimin e organeve të reja. Në këtë kuptim, shkarkimi nga detyra i një anëtari të Gjykatës së Lartë, nuk ka qënë, nuk është dhe nuk mund të jetë kompetencë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në rast se KLD do të marrë kompetencat e reja që Kushtetuta i ka njohur KLGJ-së, atëherë kjo do të shërbente si precedent edhe për marrjen e kompetencës së emërimeve në Gjykatën e Lartë. Akte të tilla do të ishin thellësisht antikushtetuese, dhe qëndrimi i Ministrit të Drejtësisë ka qenë tërësisht teknik dhe kushtetues. 

Gjithashtu, dëshiroj të sjellë në vëmendjen tuaj se nisur nga fakti që Kuvendi ishte i shpërndarë (pra, shkarkimi nuk mund të ndodhte nga një bashkëveprim midis Presidentit dhe Kuvendit), Ministri i Drejtësisë ka propozuar një rrugë tjetër kushtetetuese, që arrinte të njëjtin qëllim, atë të shkarkimit nga detyra. Konkretisht, duke qenë se dënimi për korrupsion, përbën kusht për moszgjedhshmërinë në funksion sipas ligjit të dekriminalizimit, Ministri i Drejtësisë ka propozuar që shkarkimi i saj nga detyra të bëhej nga Presidenti i Republikës, në zbatim të dispozitave të ligjit për dekriminalizimin dhe nenit 139 të Kushtetutës. Për pasojë, vendimi i KLD ka patur përmbajtje të tillë: “Rrëzimin e kërkesës së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të mungesës së kompetencës, dhe kalimin e kësaj çështje për kompetencë tek President i Republikës.”.

Siç kuptohet edhe nga analiza më lart, i gjithë qëndrimi i Ministrit të Drejtësisë në mbledhje, ka qenë në respekt të pozicionit të tij, për të respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Për analogji, pranë KLD mund të paraqitet edhe një kërkesë nga pronari i medias tuaj, që të shkarkohet artikullshkruesi i shkrimit të botuar dhe kronikës së publikuar. Edhe në këtë rast, Ministri i Drejtësisë do të votonte kundër kërkesës, me argumentin që kjo nuk është kompetencë e KLD, edhe pse rasti do të ishte qartësisht për shkarkim, për mungesë të theksuar profesionalizmi dhe keqinformim me dashje i opinionit publik.

Përsa më lart, kërkojmë nga media juaj, marrjen e masave të menjëhershme, për korrigjimin dhe përgënjeshtrimin e lajmit. Në të kundërt, lajmi do të konsiderohet si shpifje me dashje, dhe Ministri i Drejtësisë do të ndjekë proçedurat sipas ligjit. Gjithashtu, nisur nga fakti që keqinformimi me dashje i opinionit publik mbi rrethana që lidhen me personin tim, është rast i përsëritur nga i njëjti gazetar, kërkoj që të merrni masa për mos përsëritjen e situatës në të ardhmen.

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin, dhe me besimin e plotë tek profesionalizmi i medias tuaj!

MINISTRI
GAZMENT BARDHI"


Skandali/Ministri teknik i PD mbron gjyqtaren e korruptuar
Ministri teknik i Partisë Demokratike në krye të Ministrisë së Drejtësisë, Gazment Bardhi, ka votuar kundër propozimit të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, e dënuar me katër vite burg për korrupsion, dënim ky i konvertuar në tre vite shërbim prove.

Në mbledhjen e datës 17 korrik të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pikërisht disa ditë pas dënimit të gjyqtares, ministri i Drejtësisë Gazment Bardhi, i cili është edhe anëtar i KLD, është pozicionuar kundër shkarkimit të gjyqtares, me pretendimin se një vendim i tillë nuk është në kompetencë të KLD. Sipas procesverbalit të votimit, i zbardhur nga Shqiptarja.com, përpos Gazment Bardhit, kundër propozimit për shkarkimin e Majlinda Andreas kanë votuar edhe anëtarët:

Gjin Gjoni, Artan Broci, Ridvan Hado, Gerd Hoxha, Brunilda Kadi dhe Eneida Civici. Ndërkaq, pro shkarkimit të gjyqtares së dënuar për korrupsion, kanë votuar ish-kryetari i KLD, Bujar Nishani dhe anëtari i KLD Neritan Cena. Të dy palët, të pozicionuar në pole të kundërta, kanë paraqitur argumente dhe kundërargumente për të mbrojtur pozicionin e tyre.

Por, me shumicë votash, KLD ka refuzuar shkarkimin e gjyqtares së dënuar, duke shënuar një tjetër akt të paprecedentë në drejtësinë shqiptare. KLD, i konsideruar si pjesë më e kompromentuar dhe e kalbur e drejtësisë së vjetër, ka vendosur edhe një herë të mbrojë korrupsionin në drejtësi, duke e lënë fatin e gjyqtares së dënuar në duart e Këshillit të Lartë Gjyqësor, organit të ri që do të zëvendësojë KLD. Sipas arsyetimit të shumicë së KLD, deri në ngritjen e KLGJ, gjyqtarët mund të bëjnë ç’të duan.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com