Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, njoftoi sot se më 8 maj opozita do të vijojë protestën e radhës. Për avokatin Leonard Karaj, nuk ka rëndësi se çfarë date zgjedh Berisha, protestat nuk do të sjellin asnjë lajm të ri.

Por ndryshe mendon Tedi Kopliku, i cili i ftuar në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, thotë se PD dialogun me fraksionet e tjera opozitare duke shfaqur model të vërtetë demokracie.

“PD mund ta pyesësh çfarë po bën për ta bashkuar opozitën. Ka thirrur tryeza vetë, në momentin që partitë e vogla kanë vënë kushte sa u përket garave të pjesshme, menjëherë ka dhënë akordin për kushtet e tyre. Ka thirrur tryeza pa kryetarin meqë kanë fobinë ato partitë. Tani dha okej për sistemin zgjedhor që defavorizon PD dhe favorizon partitë e vogla”, tha Kopliku.

Kurse Karaj kundërshton pasi në PD ka veçse autokraci dhe çdo 5 vjet dalin grupe armiqësore. Avokati thotë se kandidimi i Salianjit do të tregonte demokraci, por përjashtimi i tij bën të kundërtën. Madje, Karaj ‘parashikon’ se pas 23 majit, PD do të jetë edhe më antidemokratike.

“Aty ka autokraci se demokraci nuk ka. Nga 1991 e deri më sot, nën drejtimin e Berishës se ajo parti ka qenë vetëm nën drejtimin e Berishës de facto dhe de juro, çdo 5 vite siç ishin planet e Enverit, ka nxjerrë nga një grup armiqësor. Që nga Azem Hajdari, Peshkëpia etj. Aty bëhen zgjedhje tinëz, jo të pranueshme, edhe pse ka degë që mund të kenë bërë zgjedhje reale, por në pjesën më të madhe kanë vendosur flamurin kush do të jetë kryetar, nënkryetar, sekretar. PD nuk i bënte asgjë kandidimi i Ervin Salianjit apo Alesia Balliut, përkundrazi, kjo do të ishte demokratike. Përjashtimi është antidemokratik, moslejimi. Futja e partisë në një proces gjyqësor është shkatërrimtar për një forcë politike që pretendon të marrë në 2027 pjesën më të madhe të bashkive dhe në 2029 të vijë në pushtet, nuk do të ndodhë. Pas datës 23 maj që vjen shumë shpejt, kjo PD do të jetë më antidemokratike sesa është tani sepse nuk do të ndryshojë asgjë nga lidershipi aktual”, u shpreh Karaj.

Kopliku pranon se PD vuan nga mungesa e disiplinës dhe se betejën e perceptimit e kanë të humbur.

“Partia Demokratike nëse vuan nga diçka është mungesa e disiplinës, secili mendon që ka të drejtë të bëjë gjithçka përtej kompetencave që ka. Betejën e perceptimit e kemi plotësisht të humbur. Duhen gjetur alternativa të tjera. Nuk them që nuk ekzistojnë këto që thuhen, perceptimi është ajo që thoni ju, realiteti është krejt tjetër”, tha Kopliku.

Sipas Karajt, PD duhet të marrë shembull nga Hungaria, e cila po ashtu vuante nga opozita e fragmentuar që më në fund zgjodhi t’i besonte Peter Magyar duke arritur të rrëzonte Victor Orban pas 16 vitesh në pushtet. Avokati nënvizon se figura si Berisha, tashmë i moshuar politikisht dhe biologjikisht, nuk ngjallin besim.

“Këtu nuk beson më njeri te një 82-vjeçar që ka 35 vite në politikë dhe ka qëndruar vetëm 13 vjet në pushtet. 22 vite i ka vetëm opozitë ky zotëria. Ndërkohë, kundërshtari i tij, Rama, ka 28 vite në politikë, nga të cilat 26 e deri më sot i ka konsumuar në pushtet dhe vetëm 2 në pushtet. Kë duhet të besojnë njerëzit?”, përfundoi Karaj.