Rrjeti në mbështetje të gazetarëve, SafeJournalists Network, ka reaguar lidhur me largimin nga Report Tv të gazetarit dhe botuesit Ilir Babaramo, për prishje të marrëdhënies së mirëbesimit.
SafeJournalists ka deklaruar se raste të tilla, ku ndërthuren pretendime për presion politik dhe akuza për shkelje profesionale, kërkojnë një vlerësim të kujdesshëm dhe të bazuar në fakte.
Teksa pret verifikimin në mënyrë të pavarur të pretendimeve të palëve, SafeJournalists thekson se për integritetin e medias, është e rëndësishme jo vetëm mbrojtja e gazetarëve, por edhe respektimi i standardeve profesionale nga ana e tyre.
“SafeJournalists Network (SJN) vlerëson se rastet ku ndërthuren pretendime për presion politik dhe akuza për shkelje profesionale kërkojnë një vlerësim të kujdesshëm dhe të bazuar në fakte. Pretendimet e palëve nuk janë verifikuar ende në mënyrë të pavarur dhe procedura e ndjekur për shkarkimin nuk është bërë publike në tërësi. Dimensioni publik që ka marrë ky rast, me përfshirjen e aktorëve politikë dhe mediatikë, e bën edhe më të domosdoshëm një sqarim të pavarur dhe transparent. SJN bën thirrje për transparencë të plotë mbi arsyet dhe procedurat e ndjekura në këtë rast, përfshirë respektimin e procesit të rregullt dhe të garancive për pavarësinë editoriale. Ruajtja e balancës mes mbrojtjes së gazetarëve dhe respektimit të standardeve profesionale mbetet thelbësore për integritetin e mjedisit mediatik”, shkruhet në reagimin e SafeJournalists Network për këtë çështje.
Babaramo u largua nga Report TV pas një bashkëpunimi mbi 10-vjeçar, pasi gjatë një transmetimi live më datë 22 mars 2026, ai deklaroi dy herë se kolegu i tij në studio, Denis Minga merrte porosi dhe orientim politik nëpërmjet kufjeve, një praktikë që në Report Tv nuk është përdorur kurrë, siç vetë Babaramo mund ta dëshmojë.
Insinuata të tilla cenojnë besimin e publikut ndaj televizionit në të cilin ai punon dhe dëmtojnë imazhin personal dhe profesional të kolegut të tij, gjë që është e papranueshme në një media profesionale, në shkelje të hapur të etikës, Kodit të Punës dhe kontratës.
Lajmi kryesor:
Reagon Report Tv: Babaramo largohet për shkelje të rëndë etike profesionale (VIDEO)











