'SafeJournalists': Shqetësime për procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së! Mungon transparenca, Kuvendi të kërkojë shpjegime

'SafeJournalists': Shqetësime për procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së! Mungon transparenca, Kuvendi të kërkojë shpjegime

Godina e RTSH-së

Hapja e konkursit më 6 Janar nga Këshilli Drejtues i RTSH-së për drejtorin e ri po shoqërohet edhe me shqetësime dhe reagime publike.

Faza e aplikimeve u mbyll më 20 janar dhe dje (27 Janar) Këshilli votoi edhe 2 kandidatura për të vijuar garën më tej, teksa skualifikoi 3 të tjerë. Sot ka qenë rrjeti “Safe Journalist” që shprehu shqetësim të hapur për procesin e përzgjedhjes së drejtorit të ri të Përgjithshëm të RTSH-së.

Më herët ishte kryetarja e Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa, që denoncoi se ishin 8 kandidatë në garë që plotësonin kriteret ligjore, por “Këshilli votoi vetëm për 5 prej tyre dhe miratoi vetëm 2 prej tyre”.

“Numri i aplikantëve në total, sa prej tyre nuk plotësonin kriteret dhe arsyet e skualifikimit mbeten të paqarta, duke reflektuar mungesën e transparencës së Këshillit Drejtues në këtë proces kritik”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e ‘SafeJournalist”.

Ata vënë në dyshim procedurën ku kandidatët nuk u dëgjuan për platformat e tyre por u skualifikuan nga Këshilli, duke mos iu dhënë e drejta e caktuar me ligj.

“I bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë, në cilësinë e tij mbikëqyrëse, të kërkojë shpjegim të plotë nga Këshilli Drejtues i RTSH-së lidhur me parregullsitë procedurale dhe mungesën e transparencës në procesin e përzgjedhjes”, vijon deklarata.

Gjithashtu ngrihet shqetësimi për kryerjen e procesit me votim të hapur dhe jo të fshehtë sipas ligjit.

Reagimi i plotë i “SafeJournalist”:

“Më 6 janar 2025, Këshilli Drejtues i RTSH (Radio Televizioni Shqiptar – transmetuesi publik) shpalli hapjen e konkursit për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH). Afati i aplikimit u caktua më 20 janar 2025. Më 27 janar 2025, Këshilli Drejtues zhvilloi fazën e parë të procesit të përzgjedhjes. Sipas vendimit nr.5 të Këshillit Drejtues, datë 27.01.2025, Këshilli votoi dhe përzgjodhi vetëm dy kandidatë për të vijuar procesin dëgjimor, ndërsa skualifikoi me votim tre të tjerë. Deklaratat e Kryetares së Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe organizatat e medias sugjerojnë se ishin tetë kandidatë që plotësonin kriteret ligjore, megjithatë Këshilli votoi për pesë dhe lejoi vetëm dy të avanconin, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe drejtësinë. Për më tepër, numri i aplikantëve në total dhe sa prej tyre nuk plotësonin kriteret ligjore dhe arsyet e skualifikimit mbeten të paqarta, duke reflektuar mungesën e transparencës së Këshillit Drejtues në këtë proces kritik.

Rrjeti SafeJournalists është thellësisht i shqetësuar për parregullsitë procedurale që minojnë parimet e përzgjedhjes së bazuar në merita dhe llogaridhënies publike. Sipas nenit 11 të Statutit të RTSH-së, të gjithë kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore të pranueshmërisë duhet t’u jepet mundësia të paraqesin platformat, përvojën dhe vizionin e tyre gjatë një seance dëgjimore, duke siguruar një vlerësim të drejtë dhe të plotë përpara se të skualifikohen. Megjithatë, vendimi i Këshillit Drejtues për skualifikimin e kandidatëve përpara fazës së dëgjimit bie ndesh me këto dispozita ligjore dhe shkel parimet e transparencës dhe drejtësisë.

Gjithashtu, neni 104 i Ligjit për Mediat Audiovizive (Nr. 97/2013, i ndryshuar) thotë se një kandidat mund të skualifikohet vetëm nëse nuk plotëson kriteret specifike ligjore, si përvoja, kualifikimet drejtuese ose konflikti i interesit. Raportet që tregojnë se të tetë kandidatët plotësuan këto kritere dhe e bëjnë vendimin e Këshillit Drejtues për të kufizuar pjesëmarrjen shumë të diskutueshëm. Po ashtu, mungesa e një shpjegimi të qartë dhe publik mbi skualifikimet ngre dyshime për integritetin e procesit.

Një tjetër çështje kritike është shkelja e procedurave të votimit të fshehtë, të cilat kërkohen sipas nenit 102 të Ligjit për Mediat Audiovizive. Këshilli Drejtues duhet të votoj nëpërmjet votimit anonim dhe të fshehtë, për të garantuar drejtësi dhe pavarësi. Çdo devijim nga ky proces, përfshirë raportet për votim në distancë, rrezikon legjitimitetin e vendimeve të Këshillit dhe gërryen më tej besimin e publikut ndaj RTSH-së si një institucion i pavarur.

I bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë, në cilësinë e tij mbikëqyrëse, të kërkojë shpjegim të plotë nga Këshilli Drejtues i RTSH-së lidhur me parregullsitë procedurale dhe mungesën e transparencës në procesin e përzgjedhjes. Parlamenti duhet të sigurojë që Këshilli Drejtues të jetë në përputhje me kuadrin ligjor, veçanërisht me parimet e transparencës, drejtësisë dhe respektimit të normave demokratike në qeverisjen e transmetuesit publik.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 28.1.2025

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të BH

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi”.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 29 Janar, 13:14

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?



×

Lajmi i fundit

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë