Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte në Kolonjë ku u dorëzuan disa armë në kuadër të nismës “Shqipëria pa armë”.
 
Tahiri ka komentuar sjelljet e djeshme në Kuvend ku është shprehur se i vjen turp që është deputet i këtij Parlamenti të dhunshëm. 
 
“Kur hapni televizorin prapë dhunë ju del nga parlamenti. Ua them shumë sinqerisht dhe mua më vjen turp që jam deputet e ministër dhe shoh në parlament lloj-lloj dhune, shfaqje të padenja për çdo familje shqiptare. Shfaqje të turpshme për Shqipërinë që duam”, deklaroi ministri.
 
Tahiri u shpreh se qytetarët janë modeli më i mirë për t’i treguar politikës se Shqipëria mund të bëhet më e mirë pa dhunë.
 
“Por sot qytetarët kanë një mundësi t’i tregojnë një model shumë më të mirë politikës dhe të gjithë atyre që në politikë duan të çajnë përpara duke përdorur dhunën. Sot ne mund t’u tregojmë të gjithë atyre se Shqipëria bëhet më mirë me ne. Shqipëria bëhet më e mirë pa dhunë. Shqipëria bëhet më e mirë me të gjithë ata që gjejnë te njëri-tjetri forcën për t’u bërë bashkë dhe forcën për të kaluar çdo vështirësi”, tha Tahiri.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com