Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, zhvilloi një takim në Bruksel me Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ku në fokus ishte ecuria e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimi Europian. Gjatë bisedës u diskutuan hapat e mëtejshëm në negociata, me vëmendje të veçantë tek Kapitulli 28 për shëndetin publik, i konsideruar ndër më sfiduesit në rrugëtimin e vendit drejt bllokut 27-anëtarësh.
“Një takim konstruktiv me Komisionerin Várhelyi, ku diskutuam mbi ecurinë e Shqipërisë dhe hapat e mëtejshëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, me fokus të veçantë tek Kapitulli 28 për shëndetin publik, një nga kapitujt më sfidues. Shpreha mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së në këtë rrugëtim. Jemi të angazhuar për të çuar përpara reformat kyçe, për të forcuar sistemin shëndetësor dhe për t’u përafruar plotësisht me acquis të BE-së, ndërkohë që vijojmë pjesëmarrjen në programin EU4Health si një hap konkret drejt integrimit. Shqipëria mbetet e fokusuar dhe e vendosur për të ecur përpara në rrugën e saj europiane”, u shpreh ministrja.
Komente










