Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji paralajmëron se protestat e opozitës do kulmojnë përpara Kryeministrisë. I ftuar në studion e Report Tv ligjvënësi demokrat u shpreh se mosbindja civile dhe protesta e sotme e biznesit të vogël janë vijim i protestave pavarësisht nga forma si protestohet. Sipas tij, opozita do përshkallëzojë protestat nëse Rama nuk tërhiqet nga rritja e taksave dhe tarifa në “Rrugën e Kombit”. 

“Bllokimi i rrugëve ishte një formë, kjo e sotmja ishte një tjetër protestë. Do ketë forma të ndryshme të protestës. Do protestojmë dhe me naftëtarët e Ballshit. Nuk ndalet protesta në asnjë ditë pavarësisht formave si protestohet. 

Protesta do vijë duke u përshkallëzuar dhe rritur, këto janë forma të ndryshme të të protestuari. Do akumulohet i gjithë shpërthimi i qytetarëve dhe protesta, sipas vendimmarrjes, kulmon te Kryeministria. Nëse kryeministri nuk reagon, padiskutim që protesta kulmon përpara përgjegjësit të kësaj situate.  Mosbindja civile ishte bllokimi i rrugëve, në katër pikat ku ishin mbi 2 mijë qytetarë”. 

Ervin Salianji, deputet i PD 

A është opsion djegia e mandateve?
Asnjë mundësi nuk përjashtohet, por asnjë mundësi nuk është shtruar deri më sot, përveç mosbindjes civile, përkrahjes së qytetarëve, për të qenë në krah të qytetarëve dhe duke i mbështetur ata. Jemi duke shqyrtuar çfarë do lloj varianti. Nuk është diskutim nëse do marrim pjesë sot apo nesër, kjo do vijë në kohë. Nëse qytetarët janë siç ishin sot në protestë, siç ishin protestën e kaluar, ne jemi me qytetarët. 

Çfarë po ndodh brenda PD?
Ka një vendimmarrje për mendimin ndryshe në parti ku do të jetë Kuvendi i PD në 28-29 prill, ku do të ketë propozime të ndryshime statusore dhe Kuvendi do marrë vendimin në përputhje me interesin e demokratëve. Ish të përndjekurit dhe pronarët janë pjesë e rëndësishme e PD. Ka një thirrje për t’u bashkuar të gjithë me PD-në. Shumë prej zërave që kanë menduar se duhet të ketë ndryshime statusore janë bashkangjitur dhe janë pjesë e këtyre protestave që PD po organizon me qytetarët në të gjithë Republikën. 

PD-LSI bashkë në zgjedhje?
Duhet të ulen palët dhe të bien dakord për koalicion ose jo koalicion, për mënyrën e bashkëpunimit. Opozita është e bashkuar, edhe me LSI-në, si dhe të gjithë aktorët e tjetër të LSI që janë në reagim ndaj keqqeverisjes së Edi Ramës. PD do vijojë procesin për zgjedhjen e kandidaturave pas ndryshimeve në statut, pas Kuvendit kombëtar. Pasi të ketë vendimmarrje Kuvendi, PD do të vijojë më tej. Sot jemi të fokusuar më tej te mbështetja e qytetarëve në çfarëdolloj proteste.