Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, Rama: Mbetemi vend i vogël, por Shqipëria ka fituar respekt ndërkombëtarisht

Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, Rama: Mbetemi vend i vogël, por Shqipëria ka fituar respekt ndërkombëtarisht

Scholz, Rama dhe Von der Leyen

“Mbetemi vend i vogël, me hallet e problemet tona që duan kohën për t’u zgjidhur, por kemi fituar shkallë respekti ndërkombëtarisht.” Ky është reagimi i Edi Ramës për mbajtjen e Samitit të BE-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor në Tiranë.

Pasi mori propozimin nga kancelari gjerman Olaf Scholz, me një postim në Facebook, Rama i cilësoi Procesin e Berlinit dhe Samitin e BE-Ballkani Perëndimor si ngjarje historike për vendin tonë që nuk imagjinoheshin më parë. Si një 'thumb' për opozitën, Rama shkruan se nuk imagjinohej më parë që një qeverie të mëparshme t'i besohej një ngjarje kaq e madhe që do të sjellë liderët europianë në Shqipëri. 

Me një mesazh për të gjithë që të mos e shajnë Shqipërinë në sytë e botës, thotë se lutet që shqiptarët që komunikojnë me botën të mësojnë se vendi duhet të marrë vetëm promovim për të mirat e saj. Për të metat që ka, kreu i qeverisë e sqaron se mjafton të diskutohet në gjuhën shqipe. 

“Sot Shqipërisë iu dha me propozim të kancelarit Scholz, kryesimi i Procesit të Berlinit dhe organizimi në Tiranë i Samitit të ardhshëm. Më 6 dhjetor në Shqipëri do të mbahet i pari Samit i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor në rajonin tonë. Këto ngjarje të mëdha ndërkombëtare të pandodhura kurrë më parë në Shqipëri, të paimagjinueshme deri disa kohë më parë për t’iu besuar një qeverie të Shqipërisë, janë domethënëse për shkallën e respektit që Shqipëria ka fituar ndërkombëtarisht.

Ne mbetemi një vend i vogël, me hallet e problemet tona që duan kohën, durimin e punën tonë për t’u zgjidhur, por ne sot kemi fituar respekt duke u dhënë të gjithëve respekt, por edhe duke kërkuar respekt nga të gjithë. Lutem çdo ditë që të gjithë ne, shqiptarët, në radhë të parë ata që komunikojnë me botën, politikanë, gazetarë, artistë, sportistë e të tjerë, ta mësojmë nga popuj të tjerë pa humbur akoma kohë të pafundme, se Shqipëria është shtëpia jonë, që nuk shahet kurrë në gjuhë të huaj, por vetëm mbrohet e promovohet për njëmijë e një të mirat e saj. Ndërsa për të metat e mangësitë, dëmtimet e riparimet që ka nevojë, na del e tepron ta bëjmë në shqipen tonë të bukur dhe të pasur”, shkroi Rama.

 Në samitin që mbahet për herë të dytë brenda vitit, mes liderëve që pritet të vijnë në kryeqytet janë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Olaf Scholz. Samiti vjen në një moment kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur negociatat, ndërsa Kosova pret liberalizimin e vizave dhe Bosnje-Hercegovina pret statusin e vendit kandidat. Nga ana tjetër, Serbisë po i kërkohet më shumë progres në dialogun me Kosovën për të avancuar në procesin e integrimit në BE.

Ballkani Perëndimor ka kërkuar të mos lihet vetëm nga Brukseli përballë krizës energjetike me të cilat po përballet e gjithë bota. Ndërkohë BE ka premtuar se do të përfshijë 6 vendet e BE në projekt e saj për t’iu gjendur pranë në këtë periudhë krize.

Kujtojmë se më 19 korrik Shqipëria shënoi një hap historik drejt integrimit të vendit në BE, atë të çeljes së negociatave, pas pritjes disa vjeçare. Kryeministri Rama tha se tashmë bëhet fjalë për një rrugëtim për jetë a vdekje në në vrapin e fundit drejt anëtarësimit të plotë. Eurokomisioneri Varhelyi dhe Borell vlerësuan përpjekjet e qeverisë dhe thanë se tashmë duhet konsensus politik për të ecur më tej. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)