Kryeministri Edi Rama ka postuar një fotoalbum me momentet më të veçanta nga pritja e lidervëe të Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë.  Rama e ka konsideruar si një ngjarje të paharrueshme në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.

“Mirëmëngjes, dhe me fotoalbumin e një ngjarjeje të paharrueshme në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë”-shkruan Rama në facebook.

Ditën e djeshme, Rama priti liderët e 27 vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin e përbashkët të organizuar në Tiranë. Gjatë samitit, u firmosën një sërë marrëveshjesh duke nisur nga ajo për heqjen e tarifave ‘Roaming’ mes BE dhe Ballkanit Perëndimor, tek siguria kibernetike, sektor për të cilin do të investohet edhe më shumë nga Bashkimi Europian për të pasur një parandalim të sulmeve.

I vetmi prej liderëve të BE-së që mungoi në samit, ishte kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez i cili nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit Rama, ka shprehur se nuk mund të ishte i pranishëm për shkak se në vendin e tij ditën e djeshme festohej Dita e Kushtetutës.

Ndërsa një nga risitë e veçanta të një samiti të këtij niveli ishte koncerti me valle popullore shqiptare që u mbajt për t’i njohur liderët europianë më shumë me traditën shqiptare.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:22
Olaf Scholz ndan fotot nga Tirana: Është koha që procesi i anëtarësimit drejt BE-së të fitojë shtysë të re

 

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka ndarë disa prej fotove nga vizita e tij e djeshme në Tiranë në kuadër të samtitit të përbashkët mes BE dhe Ballkanit Perëndimor. Scholz shkruan se tashmë ishte koha që t’i jepej një shtysë e re procesit të anëtarësimit të rajonit drejt Bashkimit Europian.

Ai theksoi se samiti i sotëm ishte një hap për të treguar angazhim të BE-së drejt zgjerimit.

“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e familjes evropiane. Ky sinjal buron nga samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku mora pjesë sot së bashku me homologët e mi nga vendet e tjera anëtare të BE-së. Është mirë që ky takim i rëndësishëm u organizua për herë të parë në vetë rajonin në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Pothuajse 20 vjet më parë, BE i tregoi Ballkanit Perëndimor perspektivën e anëtarësimit. Por ne nuk kemi arritur aq larg sa mendonim në atë kohë. Prandaj është e rëndësishme që ky proces i anëtarësimit të fitojë tani një shtysë të re.

Sigurisht, si BE, ne kemi pritshmëri të qarta edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Për shembull, ne presim që vendet e anëtarësimit të përafrohen me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë. E kam thënë shumë qartë në Tiranë. Samiti i sotëm ishte një angazhim për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Një hap i rëndësishëm i ndërmjetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe një shenjë shprese”-shkruan Scholz në postimin e tij.

 

Ora 08:58
Xhaçka për samitin e mbajtur në Tiranë: Sinjal i qartë i përkushtimit të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka tha se mbajtja e samitit të përbashkët mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, ishte një sinjal i qartë i përkushtimit të Bashkimit Europian ndaj rajonit tonë.

 “Krenare për mbajtjen e Samitit të 1 të BE- Ballkani Perëndimor në Shqipëri  si asnjëherë më parë jashtë kufijve të BE. Mirënjohje  ndaj të gjithë atyre që kontribuan në mbajtjen e këtij samiti. Ky samit është një sinjal i qartë i përkushtimit të BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha Xhaçka.

Ora 08:57
Rama batuta me stafin e BE: Ky ishte samiti më i mirë që do të merrni pjesë ndonjëherë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama falënderoi stafin e prapavijës së Bashkimit Evropian që ka ndihmuar për organizimin e Samitit BE-Ballkani Evropian.

“Faleminderit stafit të prapavijës së BE, i pranishëm prej ditësh në Shqipëri për të asistuar organizimin e ngjarjes historike të 6 dhjetorit. Dhe patjetër, shumë krenar që Shqipëria, stafi ynë, atmosfera e Tiranës, u kanë lënë një mbresë të pashlyeshme ndërsa për Samitin dëgjojini vetë”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë nuk ka kursyer batutat as me stafin e BE-së të cilëve iu thotë se ky ishte samiti më i mirë në të cilin do të marrin pjesë ndonjëherë.

“Me njerëzit tejet punëtorë të BE, pa ta realizimi i samitit do të ishte i pamundur. Na ndihmuam të kuptonim ku të pozicionim Emmanuelin, ku të poziciononim Olafin, ku të poziciononim Vuçiç, Vjosën, po si të pozicionojmë gazetarët. Prandaj ju falënderojmë shumë por ju duhet të pranoni se ky është samiti më i mirë në të cilin do  të merrni pjesë ndonjëherë”, tha Rama.