Pjesëmarrja ime në Samitin e Diasporës nuk është thjesht një udhëtim i radhës, por një vazhdimësi e një angazhimi që e konsideroj mision: vlerësimin e kësaj ngjarjeje si një mundësi me rëndësi të madhe kombëtare për shkëmbimin e ideve mes nesh që jetojmë jashtë dhe institucioneve shqiptare.
Megjithatë, duhet thënë troç se ky Samit duhet të jetë, mbi të gjitha, një hapësirë ku flasin ata që vijnë nga jashtë, dhe jo një skenë ku ne ftohemi vetëm si spektatorë me biletë për të dëgjuar ligjëratat e autoriteteve. Ky format organizimi vazhdon të mbetet një handikap kronik në të gjitha samitet, pa treguar asnjë vullnet real për korrigjim.
Në Panelin e parë, "Diaspora dhe Demokracia përfaqësuese në hapësirën shqiptare", përballë Kryetarit të Kuvendit, z. Peleshi dhe z. Balla, zgjodha të mos isha thjesht një dëgjues pasiv. Kur moderatori kërkoi vetëm pyetje, mbrojtja e parë që duhej bërë ishte ajo e lirisë së diskutimit: ne nuk jemi aty vetëm për pyetje-përgjigje teknike, por për të diskutuar thelbin e pranisë sonë.
E vërteta është se me të drejtën e votës, politika shqiptare nuk na ka bërë asnjë "nder". Na keni dhënë një të drejtë kushtetuese me vonesë të tejskajshme, si pasojë e mungesës së vullnetit politik, dhe madje edhe tani na e keni dhënë "përgjysmë". Sot, ne kemi të drejtë të votojmë, por nuk kemi të drejtë reale të përfaqësohemi.
Me Kodin Zgjedhor aktual, një kandidat nga diaspora që tenton listat e hapura gjendet përpara një misioni të pamundur: atij i duhet të kërkojë votuesit e zonës së tij në të gjithë shtetin ku jeton, për shembull në të gjithë Italinë, duke e bërë hyrjen në parlament praktikisht të paarritshme.
Opsioni i mbetur është ai i listave të mbyllura të partive të mëdha, ku kandidati detyrohet të ndjekë axhendën partiake, duke rrezikuar të mos përfaqësojë më interesat specifike të diasporës, edhe pse është shtetas që vjen nga jashtë.
Është e paarsyeshme që qindra mijëra vota të shqiptarëve jashtë vendit të mos prodhojnë asnjë mandat të mirëfilltë përfaqësimi. Zgjidhja është e qartë dhe kërkon guxim: ose krijimin e një zone të dedikuar elektorale për shqiptarët që jetojnë jashtë, ose një ndryshim rrënjësor të këtij Kodi Zgjedhor që na mban peng.
Po ashtu, integrimi ynë nuk duhet të ndalet te vota; diaspora duhet të jetë pjesë e gjallë e shërbimit diplomatik dhe kontribuese e drejtpërdrejtë në institucionet shqiptare përmes ekspertizës së fituar jashtë. Pjesëmarrja ime në këto tryeza do të jetë gjithmonë e tillë: një mundësi për të ngritur zërin dhe për të kërkuar të drejtat tona, jo si mysafirë, por si pjesë integrale e të ardhmes së Shqipërisë.
Komente











