SHBA - Në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, debateve mbi ndryshimet klimatike iu është bashkuar për herë të parë edhe Kina e cila tha se do të bëjë gjithçka që ekonomia e saj të bëhet më efiçente në drejtim të këtij qëllimi.
 
Zv/kryeministri kinez Zhang Zholi tha në takim se deri në vitin 2020 Kina do të synojë zvogëlimin e lëshimit të karbonit me 45%, krahasuar me të dhënat e vitit 2005. “Si një vend me përgjegjësi të madhe, me zhvillim po aq të madh, Kina do të bëjë përpjekje madhore për të adresuar ndryshimet e klimës”, thotë Zhang.
 
Ndërsa presidenti amerikan, Barack Obama u shpreh se ndryshimi klimatik po avancon më shpejt se përpjekjet për trajtimin e tij duke shtuar se Shtetet e Bashkuara dhe Kina kishin një përgjegjësi edhe në udhëheqjen e vendeve të tjera.
 
Ky samit, i mbledhur nga Ban Ki Moon kishte për qëllim inkurajimin e 120 shteteve anëtare për nënshkrimin e një marrëveshje gjithëpërfshirëse globale për klimën.
 
Edhe më herët, OKB ka paralajmëruar se ndikimet e ngrohjes globale, me shumë gjasë do të jenë shumë të rënda, depërtuese dhe të pakthyeshme duke çuar në probleme të tilla si rritja e nivelit të detit, rreziqet nga përmbytjet dhe ndryshime të tjera.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)