Kryeministri Edi Rama merr pjesë sot në samitin mes Kinës dhe 16 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, që zhvillohet në Riga të Letonise.
 
Nisma "16+1" synon të thellojë dhe zgjerojë bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrësve, 11 prej të cilave janë vende anëtare të Bashkimit Europian.
 
12 drejtimet ku synohet rritja e bashkëpunimit janë: energjia, infrastruktura, transporti, teknologjia, bujqësia, zonat ekonomike, shëndetësia, mjedisi, arsimi, kultura, financa, qeverisja lokale.

Në takimin e zhvilluar me Kryeministrin e Kinës Li Keqiang, kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, që shërbejnë si bazë për bashkëpunimin ekonomik e tregtar.

Kryeministri Rama e falenderoi homologun Li Keqiang për inkurajimin që jep qeveria kineze ndaj kompanive shtetërore e private për të investuar në Shqipëri, ku shembujt më të fundit janë kompania China Everbright që ka blerë TIA-n që menaxhon aeroportin e Rinasit dhe kompania Geo-Jade Petrolium Corporation që ka marrë në pronësi Bankers Petrolium.

Kryeministri Li Keqiang falenderoi Kryeministrin Rama për bashkëpunimin dhe e siguroi atë se mbështetja e qeverisë kineze ndaj kompanive që investojnë në Shqipëri do të vazhdojë edhe në fusha të tjera, si energjia dhe infrastruktura.

Kina renditet sot si partneri i dytë tregtar më i madh i Shqipërisë me 7,7% të vëllimit të përgjithshëm tregtar.​


Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com