Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, ngre bordin organizator të festimeve të 70-vjetorit të Çlirimit.

Çipa ka thirrur mbledhjen e parë të këtij bordi, pjesëmarrës në të cilin janë edhe Nënprefekti Ilir Hysi, drejtorja e Zyres Arsimore,  titullarë të komisariatit të policisë së Rendit e atij të Kufirit, si dhe drejtues të organizatave të Veteranëve e të Familjeve të Dëshmorëve dhe mjaft prej drejtorëve të drejtorive në Bashki.

"Nuk kemi kohë për të humbur, pasi 70-vjetori i Çlirimit të Sarandës më 9 Tetor dhe pas tij 29 nëntori, nuk janë larg, u shpreh Kryetari Stefan Çipa. Ai tha se merr shkas për këtë mbledhje direkt pas kthimit, së bashku me Nënprefektin Hysi, nga një takim që patën në fundjavë me Zëvendëskryeministrin Peleshi.

Në mbledhjen e parë te Bordit, u përcaktuan detyra konkrete, të cilat ndihmuan për të punuar sipas një programi të detajuar. U kërkua që të nxiten dhe të kërkohen nga veteranët propozime për dekorime, që do t'i dërgohen Ministrisë së Mbrojtjes në këtë kuadër. Po kështu, u tha se do të dendësohen veprimtaritë në të gjitha institucionet arsimore, me tematikën kushuar jubileut të 70-vjetorit të Çlirimit të Sarandës dhe Shqipërisë. I domosdoshëm u percaktua rivlerësimi i gjendjes së pllakave përkujtimore kushtuar LANÇ, gjendja e pllakave me emërtime të rrugëve e shesheve në territorin e Bashkisë Sarandë. Mbi këtë bazë, do të bëhet restaurimi i atyre që kanë nevojë.

Me shumë vend u gjet zgjidhja për 155 dëshmorë që nuk janë vendosur ende në Va-rrezat e Dëshmorëve të rrethit. Në mungesë të truallit për të patur edhe ata një altar në këto varreza, u vendos që emrat e tyre të shkruhen në një basoreliev që do të vendoset në pjesën ballore të hyrjes në Varrezat e Dëshmorëve.

Gjithashtu do të vendoset  një basoreliev me portretet e tre Heronjve të Popullit (Mitro Xhani, Vasil Laçi e Lefter Talo) në Parkun "Miqësia" në Sarandë. Po kështu, një sistem shkallësh do të shtohet pranë Lapidarit të dëshmorëve të 9 Tetorit 1944, në Qafë të Gjashtës. Një sesion historiko-shkencor u sugjerua të mbahet më 8 Tetor, në vigjilje të festës së 70-vjetorit të Çlirimit të Sarandës, ndërsa më 8 dhe 9 Tetor do të organizohen manifestime të shkollarëve nëpër rrugët e qytetit. Koncerte artistike do të përgatiten nga forca lokale krijuese e interpretuese, në bashkëpunim me këngëtarë e valltarë amatorë, të cilat do të jepen në sheshet e qytetit./ATSH/