Schütz: Reforma në Drejtësi, një histori suksesi për të cilën Shqipëria mund të krenohet

Schütz: Reforma në Drejtësi, një histori suksesi për të cilën Shqipëria mund të krenohet

Shqipëria duhet të sigurojë kushtet e duhura themelore për investitorët potencialë – si shqiptarë ashtu dhe të huaj, ku më të rëndësishmet janë siguria, transparenca dhe një administratë mirëfunksionale, efektive dhe jo e korruptuar. Ambasadorja gjermane në Shqipëri, Susanne Schütz, thotë në një intervistë të posaçme për “Monitor” se sipërmarrjet gjermane, pra ato potenciale, por edhe investitorët tashmë aktivë në tregun shqiptar, ankohen shpesh për një politikë informacioni dhe transparencë të mangët, p.sh. në lidhje me tenderët publikë dhe gjithashtu, marrëdhënie pronësore të paqarta në objekte potenciale investimi.

Schütz thotë se marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë e Gjermanisë janë më të ulëta në krahasim me shtetet e tjera të rajonit, pasi këto të fundit kanë pasur lidhje më të hershme me shtetin perëndimor.

Ajo shton se sektorët kryesorë ku investitorët gjermanë kanë shprehur interes janë turizmi, energjia e gjelbër, por edhe bujqësia dhe sektori i shërbimeve.

Schütz pohon se Reforma në Drejtësi është një histori suksesi, teksa shton se kjo reformë mund të kontribuojë në mënyrë thelbësore në rritjen e atraktivitetit të Shqipërisë si destinacion investimi.

Intervistë me Ambasadoren Gjermane, Susanne Schütz

Si do t’i vlerësonit marrëdhëniet ekonomike mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane pas viteve ’90?

Pas dekadash izolimi, Shqipëria, në vitet ’90, filloi të hapej ekonomikisht. Lidhur ngushtësisht me këtë ishte orientimi i saj në drejtim të Bashkimit Europian. Hapa të rëndësishëm ishin hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë në vitin 1992 dhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë në vitin 2009. Këto marrëveshje vendosën dhe themelet për tregtinë dhe investimet ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë.

Gjermania ka filluar të bashkëpunojë me Shqipërinë në fushën e politikave të zhvillimit në vitin 1998, qysh përpara hapjes përfundimtare të vendit. Gjermania u angazhua atje, ku nevoja ishte më e madhe dhe ndihma më e domosdoshme. Me Bashkëpunimin tonë për Zhvillim, tashmë më të gjatë se tridhjetëvjeçar, ne kemi arritur të jemi tani donatori më i rëndësishëm bilateral, në ndihmën për zhvillim në Shqipëri. Mbështetja e zhvillimit ekonomik është sot një nga prioritetet e bashkëpunimit tonë. Ne jemi të lumtur që, nëpërmjet kësaj, kemi dhënë një kontribut konkret për përmirësimin e kushteve të jetesës.

Ndërsa qeveria gjermane mbetet një nga donatorët më të mëdhenj në Shqipëri, marrëdhëniet tregtare nuk janë në nivele aq të larta. Gjermania është partneri i katërt i Shqipërisë për sa u përket eksporteve (sipas të dhënave zyrtare të INSTAT), ndërsa në vende të tjera të rajonit është përgjithësisht partneri kryesor. Si e shpjegoni nivelin e ulët të marrëdhënieve tregtare?

Ne jemi krenarë për angazhimin tonë të vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës në fushën e politikave për zhvillim. Kjo mbështetje është në të vërtetë e pavarur nga interesa të mundshme të sipërmarrjeve gjermane këtu në Shqipëri.

Fluksi ndërkombëtar i mallrave ndikohet nga faktorë të ndryshëm. Një kriter i rëndësishëm janë sigurisht doganat dhe barriera të tjera tregtare, por edhe faktori i afërsisë gjeografike luan një rol. Kështu, ne shohim se vende, të cilat janë në afërsi direkte me Shqipërinë, para së gjithave Italia, janë partnerë të rëndësishëm. Në tregtinë me vendet e tjera fqinjë në rajon, si p.sh. Kosova ose Maqedonia e Veriut, ne shohim një volum tregtar në rritje. Dhe kjo është një gjë e mirë. Ne do të dëshironim që shkëmbimi me vendet fqinjë të merrte edhe më shumë vrull.

Përveç kësaj, marrëdhëniet tregtare të Gjermanisë me shumë nga vendet fqinjë të Shqipërisë kanë mundur të zhvillohen tashmë prej një kohe shumë më të gjatë. Qysh kur Shqipëria ishte ende një vend i mbyllur, Gjermania kishte marrëdhënie tregtare të konsiderueshme me ish-Jugosllavinë.

Është gjithashtu e vërtetë që Shqipëria ndodhet në një konkurrencë globale për marrëdhënie tregtare dhe investime. Për të rritur peshën e tyre në ekonomi, aktorët e tregut nga Gjermania dhe vende të tjera, duhet të binden që Shqipëria është një destinacion tërheqës dhe ofron kushte të drejta.

Cilët janë sektorët konkretë ku investitorët gjermanë kanë shprehur interes për të investuar dhe çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të konkretizuar interesin e tyre?

Shqipëria ka një potencial të madh zhvillimi në shumë sektorë, ku bëjnë pjesë turizmi, sektori i energjisë së gjelbër, por edhe bujqësia dhe sektori i shërbimeve. Në të gjithë sektorët është po aq e rëndësishme të krijohen kushtet e duhura themelore për investitorët potencialë – si shqiptarë ashtu dhe të huaj. Këtu vlejnë para së gjithash siguria, transparenca dhe një administratë mirëfunksionale, efektive dhe jo e korruptuar. E rëndësishme është që investitorët potencialë nga Gjermania të priten krahëhapur nga pala shqiptare dhe të marrin prej saj një kujdes profesional.

Edhe në kahun e investimeve, Gjermania është partneri i dhjetë i Shqipërisë për sa i përket stokut të investimeve të huaja në fund të tremujorit të tretë 2018. Si e shpjegoni interesin e ulët të investitorëve privatë gjermanë për Shqipërinë? Në një dalje të fundit për shtyp ju deklaruat: “Për fat të keq, shpesh investitorët gjermanë dhe të huaj, të cilët kanë tashmë përvojë në tregun shqiptar, kanë shprehur kohët e fundit dyshime serioze dhe shqetësime të shtuara në lidhje me një mjedis jo ‘fair’ dhe solid në sektorin e ekonomisë në Shqipëri”. Konkretisht për çfarë e kishit fjalën dhe sa ndikon kjo klimë në tërheqjen e investimeve të huaja?

Sipërmarrjet gjermane, pra ato potenciale, por edhe investitorët tashmë aktivë në tregun shqiptar, ankohen shpesh për një politikë informacioni dhe transparencë të mangët p.sh. në lidhje me tenderët publikë dhe gjithashtu marrëdhënie pronësore të paqarta në objekte potenciale investimi. Mangësia në sjelljen e pagesave në tenderët publikë nuk kontribuon edhe në krijimin e një imazhi të mirë të Shqipërisë si destinacion biznesi.

Të gjithë këto probleme janë ngritur kohët e fundit gjithnjë e më shpesh nga anëtarët e shoqatave gjermano-shqiptare të ekonomisë. Unë e shoh këtë si një detyrë të rëndësishme të qeverisë, të pengojë që ky trend negativ të vazhdojë më tej. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë, të kundërshtojmë këtë përshtypje me shembuj pozitivë dhe të tregojmë që Shqipëria i mirëpret investitorët e huaj.

Si do ta vlerësonit ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe sa prisni të ndikojë ajo në klimën për të bërë biznes dhe tërheqjen e investimeve të huaja?

Reforma në Drejtësi është një histori suksesi, për të cilën Shqipëria mund të krenohet. Sidomos procesi i vetting-ut, i cili mesa duket është unikal në të gjithë botën, forcon besimin në shtetin e së drejtës dhe mund të kontribuojë në mënyrë thelbësore në rritjen e atraktivitetit të Shqipërisë si destinacion investimi. Ai më është mburrur edhe nga sipërmarrës gjermanë. Nga këndvështrimi i ekonomisë gjermane, këto reforma duhet të vazhdojnë medoemos.

Reforma në Drejtësi

Reforma në Drejtësi është një histori suksesi, për të cilën Shqipëria mund të krenohet. Sidomos procesi i vetting-ut, i cili mesa duket është unikal në të gjithë botën, forcon besimin në shtetin e së drejtës dhe mund të kontribuojë në mënyrë thelbësore në rritjen e atraktivitetit të Shqipërisë si destinacion investimi. Ai më është mburrur edhe nga sipërmarrës gjermanë

Sa po ndikon situata e fundit politike në klimën për të bërë biznes në vend dhe interesin e sipërmarrësve gjermanë për të investuar në Shqipëri?

Natyrisht që edhe në mediat gjermane raportohet për situatën e politikës së brendshme në Shqipëri dhe konfrontimet e dhunshme në protestat e organizuara nga partitë opozitare. Investitorë potencialë gjermanë shohin pamje të gurëve fluturues, koktejeve molotovë dhe gazit lotues. Pikërisht, edhe për të mos dëmtuar Shqipërinë si destinacion investimi, mendoj se edhe opozita ka përgjegjësinë të drejtojë diskursin politik në mënyrë paqësore dhe në institucionet e parashikuara në Kushtetutë për këtë, d.m.th para së gjithash në Parlament.

 

Klima politike

Për të mos dëmtuar Shqipërinë si destinacion investimi, mendoj se edhe opozita ka përgjegjësinë të drejtojë diskuesin politik në mënyrë paqësore dhe në institucionet e parashikuara në Kushtetutë për këtë, d.m.th para së gjithash në Parlament.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu në Report TV: “Paketa e maleve” pozitive, por jo të gjithë emigrantët mund bëjnë bujtina apo hotele! Duhen oferta për kthimin e profesionistëve

Kreshnik Spahiu në Report TV: “Paketa e maleve” pozitive, por jo të gjithë emigrantët mund bëjnë bujtina apo hotele! Duhen oferta për kthimin e profesionistëve