Presidenti i Parlamentit evropian, gjermani, Martin Schulz theksoi se një marrëveshje e vendeve të eurozonës me Greqinë për ndihmën evropiane për Athinën është e mundshme deri në fund të javës, në një intervistë të dhënë sot për të përditshmen "La Repubblica".

"Për mendimin tim, deri në fund të javës do të arrijmë në një marrëveshje të re që do të jetë e mjaftueshme për zhbllokimin e financimeve, për të cilat Greqia ka një nevojë urgjente", deklaroi Schulz.

"Më pas, nuk do ketë më shumë se tre muaj, deri në afatet e ardhshme financiare greke në muajin qershor për të pasur një projekt të besueshëm, të detajuar dhe përfundimtar në bazë të të cilit do të jetë i mundur lançimi i një programi konstruktiv investimesh në Greqi", theksoi presidenti i Parlamentit Evropian.

Përballur me vështirësi për rimbursimet, ndërkohë që arkat janë pothuajse bosh, Athina pret zhbllokimin e pjesshëm të këstit të kredisë (7,2 miliardë euro) parashikuar në kuadër të zgjatjes së ndihmës financiare të vendosur më 20 shkurt nga evropianë

Schulz, një veteran i politikës evropiane, përfitoi nga kjo intervistë për t'i dërguar disa mesazhe ministrit grek të Financave, Janis Varufaqis , toni aspak diplomatik i të cilit irriton shpesh kolegët e zonës euro.

"Varoufaqis mund të jetë një ekonomist shumë i zoti, por shihet pa asnjë hije dyshimi që atij i mungon eksperienca politike", theksoi ai.
"Kur shprehesh brenda një forumi ndërkombëtar duhen respektuar opinionet e të tjerëve me formën më minimale dhe elegancë diplomatike.", nënvizoi Schulz./ATSH/