Shkenca na ndihmon për të shikuar në errësirë, apo më saktë shkenca të triumfojë mbi errësirën. Njerëzimi që në fillesat e tij ka tentuar të mposhtë frikën dhe të panjohurën që sillte errësira. Fillimisht përdori zjarrin dhe me të tentonte të shpërfillte natën kur ajo binte. Më vonë, identifikoi shkencën dhe zhvillimin si mjetin më të mirë për të mbijetuar mbi errësirën që na rrethon. Universi i errët dhe i frikshëm me të panjohurat e tij të panumërta pret vazhdimisht të zbulohet nga kjo specie e vecantë, supreme, që quhet homo sapiens.
Pikërisht arsimimi, edukimi dhe shkenca është baza e davaritjes së errësirës, është thelbi për të cilin njeriu u krijua dhe është pjesa përbërëse kryesore e këtij realiteti që ne njohim.

Sidomos në momentet që vendi ynë përjeton, kur arsimi i lartë është i goditur rëndë në thelbin dhe cilësinë e tij gjatë dekadave të fundit, reforma në këtë fushë është tejet e rëndësishme dhe jetësore për të ardhmen e vendit dhe të brezave të ardhshëm. Strukturimi i arsimit të lartë në baza dhe parime të reja sipas modeleve europiane do të përbënte edhe bazën e një progresi të ri në këtë fushë. Sigurisht që modeli aktual është i dështuar në mënyrë evidente. E ashtuquajtura demokraci dhe autonomi universitare ka sjellë vecse forcimin e tarafeve dhe nepotizmit në institucionet universitare dhe akademike.

Reforma kurrikulare, pothuajse inekzistente ka sjellë një distancim të theksuar të shkollave tona nga simotrat europiane. Sigurisht fenomenet e tjera të shoqërive në zhvillim sikurse mungesa e një legjislacioni adekuat, organizimet tribale dhe shpesh herë familjare brenda departamenteve apo fakulteteve të caktuara, forma të ndryshme korruptive, financime të reduktuara të institucioneve akademike, mungesa të laboratoreve, bibliotekave, mungesa e eksperiencës në mësimdhenien moderne, mos ndërthurja e kërkimit shkencor me mësimdhënien, kanë sjellë një rënie akoma edhe më të skajshme të nivelit të cilësisë të institucioneve universitare shqiptare.

Në këtë kontekst edhe edukimi mjeksor universitar përbën sot një nga problematikat më të rënda të sistemit universitar në Shqipëri. Ky segment i edukimit mjeksor ka kohë që lëngon sëmundjet e tij kronike të cilat mesa duket tashmë janë bërë aq evidente sa edhe publiku shpesh ka vërejtur konfliktet e hapura midis grupimeve të caktuara pedagogësh të këtyre strukturave, pakënaqësi të studentëve të cilët shpesh herë kryejnë protesta apo janë në prag të tyre, interferenca politike në punën dhe organizimin e strukturave edukative të këtij sistemi, një akademizëm dhe kërkim shkencor inekzistent, ecejake politikanësh të cilët tentojnë por nuk arrijnë asgjë, po të njëjtët konsulentë të përjetshëm ministrish të cilët induktojnë vetëm dështime reformash edhe kur këto janë realisht pozitive dhe më së fundi, si për ti vënë kapakun, themelimin e universitetit mjeksor, akt ky i cili kishte për të vetmin qëllim heqjen e fokusit dhe të vëmendjes së mjekëve universitarë apo jo, dhe publikut nga problemet e mëdha të mbartura të cilat kërkojnë zgjidhje kurajoze por të menjëhershme dhe energjike. Servilizmi i hapur dhe mungesa e profesionalizmit përkundrejt konflikteve të pakuptimta janë tashmë në rendin e ditës.

Sot fakulteti i mjeksisë i transformuar në mënyrë artificiale në universitet apo në një shkollë tekniko-profesionale komsomolase, ka shfaqur më së miri tiparet e një shkolle të tillë, ku profesorë të nderuar, të merituar dhe të pamerituar i gjen të ndërthurur në ngercet e tyre për të dalë nga kjo situate e krijuar, të cilët shpesh herë tentojnë të gjejnë fajtorët për këtë situatë, pa kuptuar që jemi të gjithë ne, shkaktarët e vërtetë të kësaj situate absurde.

Harrojmë kur situata e studentëve është dramatike, kur kërkimi shkencor mjeksor është inekzistent, kur fakulteti është copëzuar në ngastra të vogla, kur mësimdhënia është nga më primitivet, kur nepotizimi dhe organizimi familjar intrauniversitar është evident, kur titujt në këto 20 vjetë jepen sipas dëshirës, aftësisë per te krijuar apo për tu bërë pjesë e tarafeve, kur politika vendos se kush quhet profesor apo jo, kur puna shkencore konsiderohet si një dobësi e individit, kur agresiviteti i injorancës mbizotëron mbi aftësinë, kur errësira dhe hija sundon.

Pikërisht në këtë realitet tronditës, na duhet të ideojmë dhe të rindërtojmë edukimin e brezave që do të vijnë. Vendi ka nevojë për edukimin mjeksor të zhvilluar, vendi ka nevojë për mjekë të trajnuar, vendi ka nevojë për zhvillimin sa më të shpejtë dhe adekuat të shkencave mjeksore, vendi ka nevojë që shkenca të mbizotërojë mbi errësirën dhe llumin e prapambetjes, ka nevojë që zhvillimi dhe progresi perëndimor dhe europian të mbizotërojë mbi primitivizmin rrënqethës oriental, ka nevojë që iluminizmi shkencor të fitojë betejën e tij përfundimtare.

Intervistat e profesorëve të mjeksisë në mas media duke anatemuar dhe përfolur njëri-tjetrin janë emblematike, kur strukturat drejtuese të universitetit nuk arrijnë të gjejnë zgjidhjet e duhura institucionale, kur era e rëndë e dekompozimit të sistemit ka shkuar aq lart sa erën e keqe të ndotjes po e ndjejnë të gjithë. Dhe pikërisht, kur problemet fillojnë të bëhen evidente, kur shkaqet fillohen të përcaktohen, kur njerëzit kanë filluar të bëhen të ndërgjegjshëm për errësirën që i ka mbërthyer, për ironi të fatit, në vend që ujërat të kthjellohen, ato turbullohen edhe më tej.

Pikërisht, individë të deformuar, të cilët benevrekët e zverdhura nga urina e tyre për shkak të inkontinencës intelektuale mundohen ti mbulojnë me borsalinat ala pariziene, riciklohen edhe pse të deformuar nga e kaluara e tyre e hidhur, të përfolur për abuzimet e shfrenuara financiare në postet që kanë patur, të deformuar nga ndërgjegja e tyre e dëmtuar, nga morali i tyre sindromik, të zhdëpur nga anakronizmi i tyre i përdalë, tentojnë të faktorizohen pa patur asnjë skrupull. Pasi e drejtuan sistemin mjeksor për vite me radhë dhe e cuan drejt një “suksesi të padiskutueshëm” evident për publikun, pasi me “iluminizmin” e tyre indigjen të “mbarsur” me materialin gjenetik të neandertalit, shndërruan dhe shkatërruan cdo aspekt pozitiv të trashëguar, tani kanë kurajon të deklarojnë aspiratat e tyre pozitive për të ardhmen.

O tempora, o mores. Ky fenomen mund të ndodh vetëm në vende si Shqipëria, ku pikërisht e drejta dhe virtyti anatemohet, dhe ku hipokrizia dhe padrejtësia respektohet. Mendoja se kjo është e vërtetë për mjediset e tjera të shoqërisë shqiptare, dhe jo për fakultetin e mjeksisë i cili presupozohet të mbarti aristokracinë e inteligjencës së vendit, gjenezën e zhvillimit. 
Dhe pikërisht scientias vincere tenebras. Ky është momenti për të besuar se shumica e profesoratit është koherent dhe shkon paralel me dritën, shkencën, moralin, profesionalizmin.

Fakulteti i Mjeksisë së shpejti do të bëjë zgjedhjen e kryetarit të këshillit të profesorëve, pozicion ky më se i zakonshëm në cdo fakultet, por kaq i përfolur në publik për fakultetin e mjeksisë, aq sa ka ngjallur edhe interesimin e strukturave të ministrisë së linjës. Pse? Cila është arsyeja?  Zgjedhjet në këshillin e profesorëve të fakultetit të mjeksisë, janë treguesi më i mirë, i kapaciteteve intelektuale të këtij institucioni. Nëse ky keshill do të zgjidhte një njeri model të shkencës, pedagogut dhe intelektualit, apo modelin tjetër të kundërt me të, tipikun e tarafit dhe “agait ballkanas”.

Është në dorën e tyre për të përcaktuar të ardhmen e tyre dhe të këtij institucioni i cili duhet të jetë përfaqësuesi historik i jetës profesionale dhe emrit të secilit prej profesorëve. Është në dorën e tyre që ky institucion që e ka emrin Fakulteti i Mjeksisë të mos transformohet në një film multiplikativ të tipit Mickey Mouse apo Piter Pan me të cilët argetohen fëmijët e vegjël, por të largohet njëherë e mirë nga hipokrizia dhe errësira dhe të pranojë përfundimisht shkencën, dritën, prosperitetin, iluminizmin, civilizimin, dedikimin dhe dijen. Shpresoj shumë që zgjidhja dhe zgjedhja e tyre të jetë e duhura dhe e denjë për ta. Në të kundërtën mendoj që ne nuk do të ruajmë dot respektin ndaj vetvetes, integritetin dhe dinjitetin individual, dhe kjo është më e rëndë se gjithshka.
 
*) Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë 
 

Shkrimi u publikua sot (07.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)