SEEMO: Presion politik mbi mediat në Kosovë

SEEMO: Presion politik mbi mediat në Kosovë
Raporti i Organizatës së Evropës Juglindore për Media (SEEMO) thotë se tregu mediatik i Kosovës është i mbushur me numër të madh të medieve të shkruara dhe elektronike, që mund të mos iu mbijetojnë sfidave ekonomike, ndërsa mediat janë subjekt i presionit politik dhe ekonomik.


Presionet vijnë nga Qeveria apo partitë politike, por edhe prej biznesit dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, thuhet më tej në raportin e SEEMO.

Frikësimi, fyerja verbale, pengimi i mbulimit të ndonjë ngjarjeje të caktuar, dhe sulmet fizike janë pjesë e jetës së përditshme të gazetarëve.

“Frikësimi, fyerja verbale, pengimi i mbulimit të ndonjë ngjarjeje të caktuar, dhe sulmet fizike janë pjesë e jetës së përditshme të gazetarëve. Njerëzit frikësohen të dalin para kamerave dhe të shprehin atë që mendojnë”, thuhet ndër të tjera në raport, ndërsa citohen gazetarët kosovarë të kenë thënë se problem më vete është edhe vetë-censura.

Kërcënimet dhe presionet, sipas raporti të SEEMO-s vijnë nga institucione të ndryshme: Qeveria, përfshirë ministritë, partitë politike, organizatat ndërkombëtare, biznesi, gjykatësit dhe Akademia. Metodat qeveritare, sipas disa bashkëbiseduesve, janë më të sofistikuara.

“Presionet vijnë përmes thirrjeve telefonike. Ata nuk ju kërcënojnë se do të ju dërgojnë në burg, Ata përpiqen që t’iu korruptojnë”, citon SEEMO një redaktor i medias në Kosovë.

Organizata për mediet në Evropën Juglindore, për gjendjen e rëndë të medieve në Kosovë ka fajësuar edhe komunitetin ndërkombëtar.

Punonjësit e medieve citohen të kenë thënë se për dallim nga vitet e pasluftës kur ka pasur vërshim donacionesh për ngritjen e medies së pavarur, sot, komuniteti ndërkombëtar më shumë favorizon institucionet shtetërore sesa mediet.

“Përfaqësuesit ndërkombëtarë tash po e mbështesin Qeverinë, jo mediet”, citohet të ketë thënë një redaktor kosovar. Raporti vë në pah se kur media kritikon politikat e Qeverisë, ndërkombëtarët mbështesin Qeverinë dhe jo mediet.

“Agjencitë e ndryshme ndërkombëtare që kanë luajtur një rol thelbësor në krijimin e bazës legale për funksionimin e medieve të pavarura, aktualisht po shihen si mbështetës të institucioneve më shumë sesa promovues të lirisë së shprehjes”, thuhet në raport, por pa saktësuar se për cilat agjenci bëhet fjalë.

SEEMO vë në pah miratimin e Kodit të ri Penal, me nenet kundërthënëse 37 dhe 38, duke theksuar se me këto nene iu bëhet favor atyre që janë të akuzuar për korrupsion ose aktivitete të paligjshme, ndërsa gazetari fare lehtë mund të përfundojë në burg, po qe se nuk e zbulon burimin e informacionit.

Shumica e bashkëbiseduesve, vë në pah SEEMO, theksojnë se gazetaria nuk është profesion i respektuar dhe edhe atyre që ia kanë dalë të kenë ndonjë pozicion të mirë, u është ofruar ndonjë punë e mirë dhe e paguar mirë në Qeveri.

Gazetarët, sipas raportit, fitojnë mesatarisht 300 deri 400 euro në muaj.

SEEMO në raportin e publikuar për gjendjen e mediave në Kosovë, alarmon për mungesën e gazetarëve të profilit të lartë dhe me përvojë.

Në raport, një vend i veçantë i kushtohet dhe Televizionit publik të Kosovës, si cili po shihet “si një televizion shtetëror, për shkak të presionit politik dhe vetë-censurës.”

“RTK nuk mund të prodhojë gazetari kritike, sepse shumica e gazetarëve që punojnë atje, i kanë të afërmit në Qeveri, dhe nuk mund të jenë kritikë”, citon SEEMO një ekspert të medieve. 

Gjithashtu, Organizata për Media e Evropës Juglindore, SEEMO, i ka përkrahur gazetarët e Kosovës, duke vlerësuar se është e tronditur me ndryshimet e fundit të Kodit Penal të Kosovës. SEEMO i ka bërë thirrje presidentes Jahjaga që mos ta nënshkruajë këtë kod dhe ta kthejë ligjin në Parlament. Në një komunikatë të kësaj organizate, thuhet se me nenet e miratuara nga deputetët, në kundërshtim me mendimin e AGPK-së dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile, si dhe kundër këshillës së Ministrisë së Drejtësisë, duket se përfitojnë më së shumti të akuzuarit për ryshfet ose aktivitete të paligjshme.



Në Kosovë janë 105 media elektronike, 84 radio dhe 21 stacione televizive. Nga 84 radiot, 49 emetojnë në shqip, 26 në serbisht, një emeton në dy gjuhë - shqip dhe serbisht, tri janë në gjuhën boshnjake, dy në gjuhën gorane, dy në turke dhe një në rome.

Nga 21 televizionet, 15 janë në shqip, 5 në serbisht dhe një është turk. 


/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore