Në “Bima dhe Shendeti” në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, specialisti i njohur i bimëve mjekësore, Ylli Merja, ndalet në një temë që prek drejtpërdrejt shëndetin dhe mirëqenien tonë: fuqinë shëruese të bimëve medicinale. Fokusi i diskutimit ishte tërfili i kuq, një bimë e përhapur në mbarë botën, e njohur për bukurinë e saj, por mbi të gjitha për vetitë e jashtëzakonshme kurative. Cilët janë përbërësit kimikë që e bëjnë këtë bimë kaq të veçantë, veçanërisht në ndikimin e saj në shëndetin hormonal të femrës, por edhe në përfitimet më të gjera për organizmin.  

“Tërfili i kuq, ‘tri-folium’ tre gjethe: simbol i harmonisë, ekuilibrit, fatit dhe mbrojtjes. Në livadhet e hapura ku era përkund barin e gjelbër ngrihet plot madhështi tërfili i kuq, një bimë e brishtë, por me shpirt të madh shërues. Kjo bimë e cila është e përhapur në të gjithë botën dallohet se ka 3 gjethe të gjelbra me një vijë të bardhë në mes, kërcell të hollë e të gjatë dhe petale të kuqe të mbledhura si një kurorë e vogël. Bima lulëzon nga muaji prill deri në tetor”, thekson Merja në fillim të bisedës.

Përbërësit kimik të tërfilit të kuq janë të shumtë dhe me benefite shëndetësore. Në këtë bimë gjenden izoflavone, genisteinë, daidezinë, fermononetin, të cilat kanë veprim në balancimin e estrogjenit, duke e bërë kështu këtë bimë një aleate të padiskutueshme për gratë në periudhën e menopauzës.

“Eshtë mbështetësi më i mirë i shëndetit hormonal tek femrat. Të tjërë përbërës kimikë janë flavonoidet, kuercetina me veprim antioksidant dhe antiinflamator, mbrojnë dhe forcojnë enët e qarkullimit të gjakut, ndërsa saponinat pastrojnë organizmin. E pasur me acide fenolike, kafeik, me vitamina C, A, B dhe minele të shumta si kalcium, magnez, kalium, fosfor, etj, e bëjnë këtë bimë një thesar të natyrës”, nënvizon Merja.

Vlerat shëndetësore dhe terapeutike të tërfilit

Forcon mukozën e brendshme të sistemit tretës kundër dizanterisë

Përdoret në rast të dhimbjeve dhe çrregullimeve hormonale para menopauzës si një aleat i çmuar i shëndetit femëror

Ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, zvogëlon venat varikoze

Ndihmon në shtimin e oreksit, tonik i mirë i trupit sidomos pas ndërhyrjeve kirurgjikale

Pastron gjakun, rigjeneron organizmin dhe lëkurën

Lehtëson shqetësimet e menopauzës

Ndihmon në luftimin e osteoporozës

Përdoret për qetësimin e syve të lodhur dhe të skuqur

Përdorimet e tërfilit të kuq

- Për qetësimin e çrregullimeve hormonale femërore në menopauzë: Në 1 litër ujë zieni 2 minuta një dorë tërfil të kuq, një dorë sherebelë, një dorë bishtamith dhe një dorë bar blete. Konsumohen 3 x 1 gota në ditë para buke.

- Kundër dizanterive dhe çrregullimeve në tretje: Në 1 litër ujë zieni një dorë tërfil të kuq, një lugë rigon, një dorë bar majasilli, dy fije basani. Konsumohen 2-3 gota në ditë. Mirë është të konsumohet dhe 1 lugë gjelle boronicë dhe 1 ftua i pjekur.

- Për të qetësuar ekzemën dhe psoriasin: Në 1 litër ujë zieni 2 minuta një dorë tërfil të kuq, një dorë lëvore shelgu, një dorë plikokorth, një dorë baj majasilli. Lahet lëkura e irrituar 2 herë në ditë më këtë përzierje, pasi thahet vendoset krem hidratues.

- Për pastrimin e gjakut: Në 1 litër ujë zieni 2 minuta një dorë tërfil të kuq, një lugë pelinë të ëmbël dhe një dorë rradhiqe.

- Kompresa për sytë: Në 0.5 litër ujë zieni 2 minuta një dorë tërfil të kuq, një lugë kamomil dhe një lugë çaj të gjelbër. Bëhen kompresa të syve çdo darkë më një garzë 10-12 minuta.

Kujdes! Femrat që kanë tumore për shkak të estrogjenit të lartë nuk duhet ta përdorin. Ndërsa për njerëzit që kanë dalë rishtazi nga një operacion është mirë ta përdorin çajin e tërfilit shoqëruar me mjaltin e melatës.