Beograd - Pavarësisht aspiratës për t’u futur në BE dhe dëshirës për të fituar simpatinë e Perëndimit, serbët vazhdojnë të mbeten besnikë të Moskës dhe adhurues ndaj presidentit rus Vladimir Putin.

Kjo është bërë e qartë në një manifestim pro rus në Serbi, të mbajtur mbrëmjen e 25 shkurtit, nën sloganin “Serbët dhe rusët vëllezër përgjithmonë”, ku rreth 1 mijë njerëz dolën në Beograd për të shënuar 2 vjetorin e luftës së nisur në Ukrainë.

Gjatë marshimit të tyre rrugëve të Beogradit, serbët nuk lanë pa përmendur edhe Kosovën, duke thënë se kjo e fundit nuk mundtë pushtohet pa ndihmën e presidentit rus.

Pjesëmarrësit, që mbanin në duar flamuj serbë dhe rusë, gjithashtu dhe pankarta të ndryshme me simbolin Z të përdorur nga ushtria e Putinit gjatë luftës në Ukrainë, marshuan drejt monumentit të Nikollës së Dytë, në shenjë proteste kundër politikës së Bashkimit Europian.

"Rroftë Rusia, Rroftë Putin”,-ishin disa nga thirrjet e tyre ndërkohë që nuk mungonin as pankarta kundër NATO-s.

Mediat vendase shkruajnë se manifestuesit thanë se Serbia do ta harrojë kurrë atë që NATO-ja i bëri Beogradit.

“Ne do të jemi gjithmonë solidare me Rusinë dhe popullin rus”,- deklaruan disa prej tyre.

Pjesëmarrësit kënduan gjithashtu këngë diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe kore kërcënuese për Kosovën. Manifestimi pro rus erdhi në një ditë kur u shënua 2 vjetori I nisjes së luftës në Ukrainë. Më herët në Beograd u zhvillua dhe një marshim pro Kievit dhe paqes.