Një super-grabitje ka ndodhur rreth orës 15:00 brenda në pistën e aeroportit të Rinasit, ku dyshohet të jenë marrë rreth 10 milionë euro, edhe pse shuma mund të jetë më e madhe. Policia e vënë në ndjekje të autorëve, ka mundur të vrasë një nga grabitësit, rreth 2 kilometra larg aeroportit, në rrugën e Hurmave, pasi ata kishin marrë paratë nga 4 makina blind të transportit të parave të 4 kompanisë të ndryshme private prej të cilave, "Nazeri 2000",  "Octapus", " dhe Anakonda".

Autorët e tjerë kanë mundur të largohen, ndërsa është kapur edhe një furgon me mbishkrimin të falsifikuar "Hetimi Tatimor" që autorët përdorën për të kryer grabitjen. Dhe duket se pikërisht ky furgon dhe kamuflimi i grabitësve të ketë qenë "mburoja" e tyre për të hyrë në aeroport.

Policia tha se grabitësit kanë hyrë duke thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse. Ata dyshohet të kenë pasur informacion për vlerat monetare të bankave të nivelit të dytë që do të niseshin nga Shqipëria me avion për në Vjenë, ndërkohë që dyshohet të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë të brendshëm në aeroport.  Autorët kanë mundur të shkojnë deri në barkun e avionit me pasagjerë që nisej për në Vjenë, aty ku në pjesën e bagazheve kanë bërë grabitjen teksa paratë kalonin nga makinat e blinduara për në avion. Mundën të dalin sërish nga aeroporti ndërsa janë ndjekur më tej nga forcat e policisë të cilave u janë përgjigjur me armë. Nga përplasja mbeti i vrarë një ngra grabitësit, ndërsa të tjerët vrapuan në këmbë duke u larguar bashkë me thasët me para ku i priste një tjetër automjet. Makinën e arratisë e dogën më vonë pranë zonës së Bathores, ndërsa në duart e ekspertëve është furgoni me mbishkrimin fals "Hetimi Tatimor", brenda të cilit mund të gjendet një pasuri provash, gjurmë gishtërinj dhe armët e sekuestruara.

Në ndjekje të tyre u vunë forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato të policisë kufitare të Rinasit. Ka pasur shkëmbim zjarri me policinë dhe gjatë këtij shkëmbimi zjarri pati një viktimë. Autori që mbeti i vdekur kishte një armë kallashnikov me vete, tre krehëra, një granatë dhe tritol.

Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një  helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes. Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësi

Nga shkurti i vitit 2015, kjo është grabitja e pestë që ka pasur si objektiv transfertat e vlerave monetare nga bankat e nivelit të dytë nga Shqipëria drejt Austrisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:54
Grabitja e 10 milionë eurove në Rinas, Krimet e Rënda marrin në dorë hetimin

Grabitja e 10 milion eurove në pistën e Rinasit nuk do hetohet nga prokuroria e Krimeve të Rënda, por tashmë hetimi është marë në dorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas burimeve të prokurorisë, grabitja me armë, është kryer nga një grup i strukturuar kriminal i përbërë prej më shumë se pesë persona, të cilët kanë qënë mjaft të organizuar dhe tepër të sofistikuar.

Që prej mbrëmjes së djeshme në prokurorinë e Krimeve të Rënda është ngritur një grup hetimor me qëllim zbulimin e autorëve të këtij krimi të rëndë. Sipas burimeve, grabitësi që është vrarë ende nuk është identifikuar. Ky person ka qënë njeriu që në ikje e sipër ka bërë rezistencë me armë ndaj policisë, e cila i ishte vënë nga pas. Ndërkohë grabitësi qëllonte anëtarët e tjerë kanë zbritur thasët me para nga makina dhe kanë ndarë çantat, duke u larguar më pas.

Por shoku i tyre ka vijuar të rezistojë me armë, duke tentuar të mbajë larg efektivët e policisë, por është qëlluar me një plumb në kokë duke mbetur i vdekur në vend. Identifikimi i këtij personi mund të jetë çelësi për zbërthimin e grupit kriminal, që tashmë është larguar pa adrresë duke marë me vete 10 milion euro që ishin në pronësi të katër bankave të nivelit të dytë në shqipëri. Tashmë prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për “Grabitje të bankave me armë” kryer në bashkëpunim, “Vrasje në rrethana cilësuese ndaj punonjësit të policisë e mbetur në tentativë”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Armëmbajtje pa lejë”. 

Ora 23:15
Ekskluzive/ 10 milionë eurot e grabitura ishin në 7 thasë

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se në aeroportin e Rinasit janë grabitur 7 thasë me para, 5 thasë kanë pasur kartëmonedha valutë ndërsa 2 thasë monedha metalike. Në total janë 10 milionë euro që janë grabitur. Policia vijon kontrollet në Tiranë dhe disa qytete të tjera, mes tyre në Elbasan.

Ora 22:57
Dalin pamjet e helikopterit që u vendos në ndjekje të grabitësve të Rinasit

Report Tv siguron pamje e helikopterit që u ngrit për operacionin nga ajri për të zbuluar autorët e grabitjes spektakolare në Rinas, por deri tani nuk raportohet për asnjë të arrestuar. Një nga autorët e grabitjes u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit, ndërsa të tjerët arritën që të arratisen së bashku me milionat.

Ora 22:11
Grabitësi që u vra mbrojti 'shpatullat' e shokëve, më shumë se pesë bashkëpunëtorë

Grabitja e 10 milion eurove në pistën e Rinasit nuk do hetohet nga prokuroria e Tiranës, por tashmë hetimi është marrë në dorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas burimeve të prokurorisë, grabitja me armë, është kryer nga një grup i strukturuar kriminal i përbërë prej më shumë se pesë persona, të cilët kanë qenë mjaft të organizuar dhe tepër të sofistikuar. Në prokurorinë e Krimeve të Rënda është ngritur një grup hetimor me qëllim zbulimin e autorëve të këtij krimi të rëndë. Sipas burimeve, grabitësi që është vrarë ende nuk është identifikuar. Ky person ka qenë njeriu që në ikje e sipër ka bërë rezistencë me armë ndaj policisë, e cila i ishte vënë nga pas.

Ndërkohë grabitësi qëllonte anëtarët e tjerë kanë zbritur thasët me para nga makina dhe kanë ndarë çantat, duke u larguar më pas. Por shoku i tyre ka vijuar të rezistojë me armë, duke tentuar të mbajë larg efektivët e policisë, por është qëlluar me një plumb në kokë duke mbetur i vdekur në vend. Identifikimi i këtij personi mund të jetë çelësi për zbërthimin e grupit kriminal, që tashmë është larguar pa adresë duke marrë me vete 10 milion euro që ishin në pronësi të katër bankave të nivelit të dytë në Shqipëri. Tashmë prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për “Grabitje të bankave me armë” kryer në bashkëpunim, “Vrasje në rrethana cilësuese ndaj punonjësit të policisë e mbetur në tentativë”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Armëmbajtje pa lejë”.

Ora 20:12
Grabitësi 'tullac' që u vra nga policia...ishte me flokë! Si ishte maskuar /FOTO Ekskluzive

Grabitësi që mbeti i vrarë nga policia gjatë shkëmbimit të zjarrit në tentativën për arrati, nuk ishte tullac, siç ai u pa në një foto që Report Tv siguroi ku ai shfaqej në një rrugë dytësore 2 kilometra larg pistës së avionit në aeroportin e Rinasit ku u grabitën rreth 10 milionë euro.  Report Tv mëson se grabitësi ishte jo vetëm i kamufluar me veshje komando, i pajisur me të gjitha mjetet, armë dha pranga, por edhe me paruke tullaci. Në një foto ekskluzive që Report Tv disponon është pikërisht parukja që grabitësi ka përdorur. Ai është pikasur nga kamerat e sigurisë edhe në pistën e avionit teksa grabit paratë në pjesën ku futen në barkun e avionit bagazhet.

Ngjitur me të është edhe një tjetër grabitës, që ndryshe nga tullaci me paruke, ai mban në kokë dhe me armën që ja drejton punonjësve të sigurisë në aeroport. Kjo ishte një taktikë e përdorur prej tij për t'i shpëtuar identifikimit dhe një "kamuflazh" për policinë, e cila do të vihej në kërkim të një tullaci. Por grabitja shkoi keq dhe ai humbi jetën, ndërsa bashkëpunëtorët e tjerë u larguan me thasët me para. Ndërkohë, nga përmasa e maskës, mendohet që grabitësi të ketë maskuar të gjithë fytyrën e tij. Policia tha se personi ende i paidentifikuar mund të jetë rreth 30 vjeç, ndërsa maska që ai ka vënë në gjithë fytyrën e tij e tregon një burrë rreth të 40-ave.

 

Ora 19:50
Dëshmia e qytetarit që u përplas me grabitësit e Rinasit: Mos flit asgjë ose të vrasim!

Report Tv mëson ekskluzivisht dëshminë e një qytetari i cili është hasur me grabitësit e parave në aeroportin e Rinasit. I ka pikasur ata teksa digjnin automjetin në zonën e Bathores. Ka pasur një bisedë me ta: "Përse e digjni makinën?"

Por autorët, të cilët dëshmitari nuk kishte dijeni se ishin grabitësit e parave në pistën e avionëve në Rinas, i janë kthyer duke e kërcënuar: "Mos flit asgjë ose të vrasim".

Sipas dëshmisë së tij, grabitësit më tej janë larguar me biçikletë ndërsa kishin me vete edhe disa çanta. Bëhet fjalë për paratë që ata grabitën, që edhe pse jo zyrtarisht, dyshohet të jenë 10 milionë euro.

Ora 19:33
Pamjet nga vendi ku ndodhi përplasja me armë mes policisë dhe grabitësve të Rinasit
Ora 18:38
Grabitësi i vrarë ende pa identitet! Morgu i Tiranës mbushet me familjarë

Nuk dihet ende se kush është grabitësi që mbeti i vrarë në grabitjen e ndodhur sot në pistën e aeroportit të Rinasit. Ai nuk ka pasur kartë identiteti me vete. Ndërsa një foto që i është paraqitur rreth 40 të shoqëruarve në polici për ngjarjen, nëse e njohin apo jo grabitësin, të gjithë janë shprehur që jo.

Fotoja i është bërë në vendin e ngjarjes grabitësit teksa mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.

Trupi i tij ka mbërritur në morgun e Tiranës dhe tashmë do t'i nënshtrohet autopsisë.

Ai ka marrë një plumb në kokë. Ndërkohë do t'i bëhen analizat e ADN-së përmes gjurmëve të gishtërinjve për të mësuar identitetin e tij. Pranë morgut të Tiranës kanë mbërritur shumë familjarë, persona që dyshojnë se i vrari mund të jetë i afërm i tyre.

Grabitësi, që është një mashkull mbi 30 vjec, 1.75 cm i gjatë, u vra në tentativë për tu arratisur me bashkëpunëtorët pas grabitjes së rreth 10 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit, por mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë. Autorët e tjerë ikën në këmbë me thasët me para me vete. Braktisën në vendin e ngjarjes një furgon me mbishkirm të falsifikuar "hetimi Tatimor" dhe u larguan me një automjet tjetër që i priste, i cili u gjet më tej i djegur pranë Bathoret. Për të humbur gjurmët ata dyshohet të kenë lëvizur me një automjet të tretë për të vazhduar arratinë e tyre. Për ngjarjen janë shoqëruar mbi 40 persona, dhe janë lëshuar 4 urdhër areste për personat përgjegjës të sigurisë brenda aeroportit të Rinasit.

Ora 18:03
PAMJE TË RËNDA/ Foto e grabitësit vrarë me plumb në kokë, veshur si komando me pranga në brez

1554827310_fotokryesoreviktima.jpg

Grabitësi i mbetur i vdekur ishte i veshur me uniformë e zeze të forcave komando. Nuk dihet nëse ai ishte pjesë e komandove apo nëse ky ishte vetëm një "kamuflazh", siç shpesh ka ndodhur edhë në grabitje të tjera. Sipas informacioneve uniforma e veshur nga viktima dhe grabitësit e arratisur është turke dhe është hequr nga përdorimi prej shumë vitesh.

Këto uniforma shiten në dyqanet që shesin pajisje dhe uniforma ushtarake. Në Tiranë janë vetëm dy subjekte të tilla.

Autori i veshur si komando mbeti i vrarë në një rrugë dytësore rreth 2 kilomtra nga pista e Rinasit, në tentativë për tu arratisur bashkë me grabitësit e tjerë bashkëpunëtorë. Ata u larguan me furgon dhe nga shkëmbimi i zjarrit me policine mbeti i vrarë njëri prej tyre ende i paidentifikuar. Ata kanë zbritur nga furgoni dhe janë larguar me vrap në këmbë me thasët me para, derisa të mbërrinin në një tjetër automjet që i priste. Grabitesi i mbetur i vrare eshte 1.75 cm i gjate, rreth 30 vjeç.

Ora 17:53
Gjendet makina e djegur e autorëve pranë Kamzës (Pamjet me dron )

Një automjet i djegur është gjetur pranë zonës së Kamzës. Dyshohet t'i përkasë grabitësve të rreth 10 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit. Një nga grabitësit u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë brenda një furgoni me të cilën hynë dhe dolën nga aeroporti. Por më tej, autorët e mbetur gjallë dyshohet të kenë lëvizur me një tjetër automjet, të cilin më tej e kanë djegur pranë Kamzës për të humbur gjurmët.

Automjeti i djegur është gjetur konkretisht pranë një gurorerje në Bathore, pranë një lumi.

Ora 17:44
DETAJET/ Grabitësi pa kartë identiteti, furgoni i 'Hetimit Tatimor' pasuri provash

Grabitësi që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë pas grabitjes në pistën e aeroportit të Rinasit, është ende i paidentifikuar. Në trupin e tij nuk është gjetur asnjë mjet identifikimi. Ai kishte armë kallashnikov, krehër me fishekë dhe një granatë që fatmirësisht nuk ka shpërthyer. Grabitësi, ishte së bashku me bashkëpunëtorët e tij të cilët kryen grabitjen e rreth 10 milionë eurove që transportoheshin me 4 makina të blinduara për në avionin e linjës për në Vjenë. Siç dëshmitarët nga aeroporti tregojnë për Report Tv,  autorët i kanë marrë paratë në pistën e avionit, teksa makiant blind i fusnin thasët me para në pjesën e bagazheve të avionit. Fluturimi i avionit të mbushur me pasagjerë është shtyrë pas ngjarjes së rëndë.

Pas grabitjes, makina e autorëve, një mjet furgon me një mbishkrim të falsifikuar "Hetimi Tatimor" që u ka shërbyer atyre si kamuflazh për t ëhyrë lehtësisht në aeroport, u vu në ndjekje nga forcat e policisë. Pati shkëmbim zjarri, ku teksa ndiqeshin nga forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë autorët kanë hapur derën e pasme të furgonit dhe kanë qëlluar ndaj efektivëve. Aty ka mbetur i vrarë një prej grabitësve, ndërsa të tjerët kanë mundur të largohen bashkë me thasët me para.

Autorët janë larguar fillimisht në këmbë, ndërsa një tjetër automjet dyshohet t'i ketë pritur ata për tu larguar pa gjurmë. Por provat më të forta të policisë, dqë mund t'i cojë hetuesit drejt zbardhjes së identitetit të grabitësve, është pikërisht furgoni me letrën false të "Hetimit Tatimor". Plani i grabitësve mund të ketë qenë për ta djegur automjetin pas grabitjes. Por fakti që makina tashmë është sekuestruar, është një "pasuri" provash në duart e hetuesve.

 

Ora 17:26
Grabitja me vdekje në Rinas/ Policia shoqëron 40 persona, katër urdhra arresti

Lidhur me gabitjen e ndodhur rreth orës 15:00  të ditës së sotme dyshohet se janë shoqëruar 40 persona ndërkohë që janë lëshuar 4 urdhër arreste. Dyshohet se urdhrat e arrestit janë lëshuar mbi persona të cilët punonin për ruajtjen e sigurisë në ambientet e aeroportit. Mbi ta ka dyshime se mund të kenë bashkëpunuar me autorët duke i informuar mbi kohën e lëvizjes së parave.

Dyshohet se një prej tyre është personi përgjegjës për kangjellat dhe një tjetër për kamerat e sigurisë.

Ora 17:18
Grabitja në Rinas, shtyhet fluturimi me të cilin do tranportoheshin paratë e vjedhura (FOTO)

Pas grabitjes së ndodhur në Rinas, është shtyrë edhe fluturimi me të cilin do të transportoheshin paratë e vjedhura rreth orës 15 të pasdites së sotme. Avioni do të udhëtonte drejt Vjenës në orën 15:05.

Ora 17:15
Lleshaj telefonon Ardi Veliun: Zbardhni menjëherë grabitjen, përgjegjësit para drejtësisë

Jo vetëm grupi i ekspertëve. Në vendin e ngjarjes ishin edhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, kryepolici i Tiranës, Rebani Jaupi.

Kreshnk Ajazi dhe Ndini Tavani, dy prokurorë të Krimeve të Rënda mbërriën gjithashtu në vendin e ngjarjes. Mbi dy orë pas ngjarjes, makina e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u pa të largohet nga vendi ku mbeti i vrarë njëri prej grabitësve në rrugën dytësore që të çon për Nikël, rreth 2 kilometra nga aeroporti.

Gazetari Arsen Rusta raportoi se përmes burimeve kishte mësuar për një komunikim të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, me kryepolicin Ardi Veliu. Ai mësohet ti ketë kërkuar angazhim maksimal të forcave të policisë në zbardhjen e ngjarjes. dhe në nxjerrjen e përgjegjësive, se cfarë e solli këtë grabitje, dhe ku mund të jetë neglizhuar detyra.

Makina e drejtorit te Policise Ardi Veliu duke u larguar nga vendi ku mbeti i vrare nje nga grabitesit
Ora 17:03
Detajet e fundit për grabitjen me një viktimë në Rinas! Autorët hynë brenda në avion, terrorizuan pasagjerët (VIDEO)

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta, raporton nga vendi i ngjarjes se grabitësit dyshohet të jenë futur brenda avionit me të cilin do të transportoheshin paratë e bankave të nivelit të dytë.

Ai raporton se grabitësit e armatosur të kenë terrorizuar nën kërcënimin e armës edhe pasagjerët, teksa kanë marrë paratë dhe janë larguar nga një derë që hapet fare lehtësisht nga pista, dhe më tej janë mundur të largohen në drejtim të Fushë-Krujës, por njëri prej grabitësve mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.

1554822421_ngshyne001.jpg

Vendi nga ky dyshohet se kane dale grabitesit me makina
Ora 17:00
Largohet trupi i pajetë i grabitësit të vrarë në Rinas (VIDEO)

Rreth dy orë pas grabitjes në pistën e aeroportit të Rinasit të parave që do të nxirreshin jashtë Shqipërisë nga banka të nivelit të dytë në vendin tonë, trupi i pajetë i një prej grabitësve që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë është transportuar me ambulancë për tu dërguar në morg për ekspertizën.

Ora 16:31
Informacioni i parë zyrtar nga policia për supergrabitjen me viktima në Rinas

Pak minuta më parë, pranë aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, dyshohet se disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar.

Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit.

Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet fugon. 

Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një  helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes.  

Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit.

Ora 16:27
Grabitësi në pistën e aeroportit, u vra në Rrugën e Hurmave (VIDEO)

Gazetari Arsen Rusta raporton nga Aeroporti i Rinasit, ku u krye grabitja, se një prej autorëve ka mbetur i vdekur në një distancë jo më larg se dy kilometra larg pistës së aeroportit të Rinasit. Grabitja ndodhi brenda pistës ku një transfertë erdhi ng ajashtë vendit. Autoblinda me para e firmës Nazeri 2000 ra pre e grabitësve të armatosur.

Nuk dihet nëse kanë qenë punonjësit e policisë private, apo ata të rendit që kanë ndjekur autorët. Por Rusta raporton, se një prej grabitësve është gjetur i vdekur në rrugën e Hurmave siç njihet, 2 kilometra larg aeroportit. Mendohet të kenë qenë 4 autorë të armatosur dhe të maskuar. Ndërsa të tjerët kanë mundur të largohen së bashku me shumën e parave të grabitura, që mendohet të jenë 10 milionë euro.

Autori u gjet i pajetë me një armë kallashnikov me vete, tre krehëra dhe një granatë.

Vendi ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit ku mbeti i vdekur një nga grabitësit

 

Ora 16:14
Detajet e grabitjes/ Paratë u morën në pistën e aeroportit

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta, raporton se grabitja ka ndodhur në pistën e aeroportit të Rinasit. Katër persona dyshohet të jenë grabitësit, ndërsa mësohet se ata kanë qenë me një furgon me mbishkrimin Hetimi Tatimor, dhe ky mendohet të ketë qenë kamuflimi i tyre përmes të cilit kanë mundur të futen lehtësisht deri në pistën e aeroportit. Aty kanë marrë paratë teksa do të kalonin në makinën e blinduar për transportin e tyre, e cila është e firmës "Nazeri".

Pas grabitjes, autorët dyshohet të jenë larguar në drejtim të Fushë-Krujës, ndërkohë që një automjet që dyshohet t'i përkasë autorëve, mendohet të jetë duke u djegur në Shkallën e Tujanit.

Avioni me te cilin do te transportoheshin parate
Ora 16:00
Grabiten rreth 10 milion Euro në Rinas, vritet një nga autorët (FOTO)

Një nga autorët e grabitjes ka mbetur i vrarë pas shkëmbimit të zjarrit me forcat policore në vendin e ngjarjes.

Ora 15:55
Grabitja në Rinas, dyshohet se ka viktima

Grabitja e ndodhur në rrugën e Rinasit dyshohet të ketë pasoja tragjike. Nga terreni, për ngjarjen që sapo ka ndodhur, dyshohet që një person të ketë mbëtur i vdekur. Nuk dihet ende nëse personi i pajetë është personi që shoqëronte paratë, apo ndonjë prej grabitësve. Por ajo që dihet është se në këtë ngjarje ka pasur rezistencë, dhe fatkeqësisht është shënuar një viktimë. 

Ora 15:53
Prokurorët e Krimeve të Rënda në rrugën e Rinasit (VIDEO)

Kreshnk Ajazi dhe Ndini Tavani, dy prokurorë të Krimeve të Rënda kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Shifra e grabitur dyshohet të jetë rreth dy milionë euro,

 

Ora 15:46
Grabitja në Rinas/ Dyshohet se po digjet një automjet

Pranë vendit ku u grabit blindi me para, nga persona ende të paidentifikuar, një automjet dyshohet të jetë duke u djegur. Dyshimet janë që makina t'i përkasë autorëve, që njëjtë si edhe më grabitjet e tjera, autorët i djegin makinat për të humbur gjurmët. Policia në postblloqe të shumtë të ngritur pas ngjarjes, pritet të mbërrijë në vendin e ngjarjes nga ku po vjen tymi.