Ndryshe nga sesioni i shkuar ku opozita nuk u bë pjesë, prej bojkotit mbi 5-mujor, në seancën e sotme ligjvënësit e majtë dhe të djathtë u bashkuan në sallën e Kuvendit.
Të dy komisionet ishin votuar më parë, por për shkak të mos prezencës së PD për 5 muaj në Parlament u shtynë afatet e tyre dhe u vendosën emrat e kryetarëve nga Partia Demokratike.
Votimi me konsensus i të dy komisioneve u paralajmërua në fillim të seancës plenare nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta i cili u shpreh se "“Gjatë këtij sesioni ne do të synojmë të përsosim më tej funksionimin demokratik dhe transparent të Kuvendit përmes promovimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të dialogut politik, konstruktiv midis mazhorancës dhe opozitës. Do të synojmë përmirësimin e mëtejshëm të funksionit kushtetues të ligjvënies së Kuvendit përmes shqyrtimit më cilësor të legjislacionit gjatë procesit legjislativ dhe përmirësimit të procedurave legjislative. Do të synojmë forcimin e mëtejshëm të rolit mbikëqyrës të Kuvendit përmes përdorimit intensiv dhe efikas të instrumenteve të kontrollit parlamentar dhe në veçanti, të rrisim më tej rolin e Kuvendit në kuadër të procesit të integrimit evropian në veçanti për përmbushjen e pesë prioriteteve, ku më e rëndësishmja natyrisht qëndron reforma në drejtësi””
Por përveçse emrave të krerëve të 2 komisioneve u votuan edhe anëtarët e tjerë të këtyre Komisoneve Hetimore. Për Komisioni Hetimor për serverin e tatimeve, anëtarë të Partisë Demokratike do të jenë Florian Mima, Jorida Tabaku, Helidon Bushati. Ndërsa për Komision Hetimor për largimet dhe shkarkimet në administratë anëtarë të PD do të jenë Genc Pollo, Voltana Ademi, Kletis Kruja, Alban Zeneli.
(Në foto: Kreu i kuvendit, Meta gjatë fjalës hapse të sesionit të ri parlamentar) FOTO
FOTO
Seanca plenare, miratohet kalendari i punimeve, në fokus reforma në drejtësi
Sot ka nisur edhe seanca e parë plenare e sesionit të ri Parlamentar, ku përveç dy komisioneve të kërkuara nga PD është miratuar edhe kalendari trejavor i punimeve.
Në draft-programin tre javor është parashikuar të jetë në axhendën e Kuvendit akt-normativ për buxhetin e vitit 2014 , dekreti i Presidentit Bujar Nishani për Gjykatën e Lartë.
Gjatë këtij tre-javori do të diskutohet edhe dekreti i presidentit për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejkon, si edhe ligji për Forcat e Armatosura, i ndryshuar. Por në fokus të punës së Kuvendit për këtë sesion do të jetë reforma në drejtësi, e konsideruar një prioritet parësor i ekzekutivit dhe një nga kërkesat e Bashkimit Evropian për Shqipërinë.
Komisioni i posaçëm parlamentar i konstituuar në fund të dhjetorit, të cilit pritet t’i bashkohet dhe opozita, konsiderohet si hapi i parë në përmbushjen e pritshmërive të larta për reformimin e sistemit të drejtësisë në vend. Nga ana tjetër Partia Demokratike ka njoftuar madje edhe ka dorëzuar në Kuvend kërkesat për ngritjen e dy komisioneve ajo e dekriminalizimit të politikës si edhe komisioni për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Duke qenë se tashmë Shqipëria ka hyrë në vit zgjedhor puna e kuvendit do të fokusohet edhe në këtë çështje si plotësimi i vendeve vakante në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ky i fundit mjaft i rëndësishëm për mbajtjen e zgjedhjeve lokale .
FOTO