Ministrja virtuale “Diella” ishte e para që iu “bashkua” kryeministrit Edi Rama në takimin e dedikuar me kabinetin qeveritar në Pogradec që u mbajt këtë të hënë. Dhe prova e parë iu dha asaj.

Edi Rama: Mirela Kumbaro është ‘Ministre e kujt’.

Diella: Mirela Kumbaro Furxhi është Ministre e Arsimit.

Takimi i kryeministrit Rama me ministrat nisi rreth orës 11:00 dhe zgjati plot 7 orë, me fokus kryesisht te qasja e re që qeveria do të ketë në këtë vit të dytë të mandatit të katërt në raport me shërbimet ndaj qytetarëve. 

Pas mbledhje, kreu i qeverisë informoi detajet rrugës për kthim në Tiranë, ku veçoi disa fusha për të cilat tha se fokusi tashmë është cilësia e jetës së qytetarëve.

“Më i spikaturi do të jetë programi i strehimit, për faktin se vjen si një gjë krejt e re dhe deri te një sërë programesh të tjera që prekin faktikisht disa sektorë.....Kemi vendosur piketat për çdo sektor. Jemi përqendruar te shëndetësia dhe arsimi. Jemi përqendruar te krijimi i një zinxhiri që do të jetë zinxhiri i Shqipërisë sociale. Kemi folur për çmimet. Kemi një plan për të bërë transparencë për qytetarin lidhur me çmimet e ushqimeve bazë” tha Rama

Pasqyrë Albania” përmes së cilës synon që brenda dy javëve t’i japë përgjigje çdo ankesë të qytetarëve, Rama thotë fokus do të jetë që shqiptarët të informohen drejt përballë dezinformimit që kreu i qeverisë e identifikon si ‘algoritmi’.

“Pasqyrë Albania që do të jetë platforma unike ku qytetari do të drejtohet. Nuk është thjesht vetëm halli, kërkesa e qytetarit që do të konceptohet si një pako që çohet me postë e që statusi ndiqet në kohë reale. Por është edhe gjithë pjesa tjetër që shkon qeveria te qytetari, që shkon shteti te qytetari për të mos e lënë të papërgatitur pa argumente përballë atij që na ka hyrë në jetët tona, algoritmit” tha Rama

Duke e quajtur një sfidë reale atë që protesta i ka bërë Qeverisë në një kohë kur sipas tij opozita nuk ekziston, në fund Rama tha se pas gjithë kësaj situata më të fortë do të dalin Shqipëria dhe shqiptarët pasi siç premtoi ai qeverisja do të përmirësohet.

Në fokus të diskutimeve gjatë mbledhjes, veç dy dokumenteve strategjike Besa dhe Prania Besnike ishte edhe platforma e re e prezantuar nga vetë Rama vetëm një ditë më parë, gjatë takimit me drejtuesit politikë e krerët e grupeve parlamentare “Pasqyrë Albania”.

Kjo platformë do të funksionojë mbi 2 mekanizma: “Flamingo Albania” e frymëzuar nga protestat kundër tij, do të mbledhë ankesat e qytetarëve, ndërsa “Radar” do të shërbejë për të gjurmuar në kohë reale rrugën e zgjidhjes së ankesës.

Platforma synon që brenda dy javësh të zgjidhë problematikat e qytetarëve në kohë rekord duke bërë një komunikim më të mirë mes Qeverisjes qendrore- ministrive me Bashkitë dhe drejtoritë e përgjithshme.

Pas takimit të Pogradecit që përmbyll zyrtarisht pushimet e socialistëve, Rama pritet të mbledhë edhe Asamblenë Kombëtare ku pikëpyetja më e madhe është nëse do të njoftojë ose jo, ndryshime në qeveri. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:02
Takimi në Pogradec, ministri Nufi: Një hap drejt koordinimit të prioriteteve dhe objektivave të punës së qeverisë!

1787601766_ytdoop.JPG

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar pas takimit 2-ditor të zhvilluar nga kryeministri Edi Rama me ministrat, drejtuesit politikë të qarqeve dhe disa prej drejtuesve të agjencive shtetërore.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe pamje nga takimi, Nufi ka shkruar se kjo mbledhje ka qenë një tjetër hap drejt koordinimit të prioriteteve dhe objektivave të punës së qeverisë, me në qendër qytetarin dhe Shqipërinë 2030 në BE.

Më tej Nufi ka theksuar se ‘Besa’ dhe ‘Prania Besnike’ do të ndihmojnë për të ndërtuar një marrëdhënie të re me qytetarët.

Postimi i ministrit Nufi:

Pogradec, në takimin e zgjeruar dy-ditor me Kryeministrin Edi Rama, Drejtuesit Politikë, kolegë të kabinetit qeveritar, drejtues të disa prej agjencive shtetërore - në një tjetër hap drejt koordinimit të prioriteteve dhe objektivave të punës së qeverisë me në qendër qytetarin dhe Shqipërinë 2030 në BE.

Ndërkohë, me #BESA dhe #PraniaBesnike ndërtojmë një marrëdhënie të re me njerëzit dhe për njerëzit. Të angazhuar plotësisht për ta kthyer fjalën në përgjegjësi dhe përgjegjësinë në punë konkrete.

Ora 19:05
‘Mos u merrni me hundën time’, Rama-qytetarëve: Shtrembërimi i saj, shenjë nga tentativa për të më fshirë nga faqja e dheut! S’ka lidhje me drogën (VIDEO)

Edi Rama pas përfundimit të takimit me ministrat në Pogradec, iu përgjigj interesit të shumë qytetarëve, që sipas tij e pyesin për deformimin që ka hunda e kryeministrit.

Teksa hodhi poshtë të gjitha ‘akuzat’ se ky deformim ka lidhje me përdorimin e drogës, kryeministri tha se ajo është një shenjë që i ka mbetur nga tentativa e pushtetit të Sali Berishës për ta vrarë gjatë viteve të para të demokracisë.

“Ka njerëz që merren me hundën time, merren me këtë asimetrinë këtu, falë edhe kontributit të algoritmit që ka ndërmjetësuar qenërinë politike të Shqipërisë jashtë këtyre pasqyrave dixhitale të atyre që jetojnë në këto pasqyra, vjen ajo ironia e mallit e drogës. Ky shtrembërim këtu është shenja që trupi im do e mbajë gjithë jetën, nga një tentativë për të më fshirë nga faqja e këtij dheu, ku unë kam lindur, jam rritur dhe jam sot këtu.

Sepse edhe këtë gjurmë nuk e kam nga ndonjë arsye tjetër, por sepse edhe kur s’kisha asgjë në dorë, doja një vend që të rrinte drejtë. Doja një vend që të mos i bënte bijtë e vet që të ulnin kokën. Është pikërisht për këtë vend që unë mbaj edhe këtë gjurmën këtu. Nuk ju vë faj juve që i bëni thirrje hundës time, duke i qarë hallin për mallin e keq që ka marrë. Unë s’jam këtu për të treguar historinë time. Nëse ka një histori që unë një ditë mund ta tregoj, është historia e gjërave që nuk arrita të bëj dot. Të tjerat janë aty dhe do të jenë aty, quhet Heritiç, do flasim”, tha mes të tjerash Rama.

Kryeministri Edi Rama është dhunuar në vitin 1997 nga shërbimi sekret i kohës, që ishte nën urdhrat e ish-Presidentit Sali Berisha.

Duke nisur që nga viti 1996 dhe më pas, pushteti i Sali Berishës nisi një valë agresioni ndaj kundërshtarëve të tij politikë, ku pre e dhunës ranë figura të rëndësishme nga PS, por edhe intelektualë të shquar shqiptarë.

Ora 18:56
Pas takimit në Pogradec, Lamallari zbulon prioritetet e Ministrisë së Brendshme për vitin e dytë të mandatit

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ishte pjesë e mbledhjes së qeverisë në Pogradec, ku u diskutuan prioritetet e vitit të dytë të mandatit qeverisës. Në një postim në rrjetet sociale, ai tha se gjatë takimit prezantoi punën e bërë në muajt e fundit nga Ministria e Brendshme, si edhe objektivat që do të udhëheqin punën në vijim.

“Prezantova disa nga punët e mira që kemi bërë përgjatë këtyre muajve në Ministrinë e Brendshme dhe prioritetet e panegociueshme në vazhdim, me fokus sigurinë publike, modernizimin e Policisë së Shtetit, luftën kundër paligjshmërisë dhe rritjen e standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve. ‘Besa’ është një udhërrëfyes i çmuar dhe dokument strategjik drejt marrëdhënies së re që ne do të ndërtojmë me qytetarët dhe jetësimit të objektivit tonë ambicioz për Shqipërinë 2030 në BE”, shkruan Lamallari.

Ora 18:49
Mbledhja me ministrat, Rama: PS qasje të re në territor, kemi reflektuar për protestat! Programi i strehimit, do të jetë më i spikaturi! (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama pas përfundimit të mbledhjes me ministrat ka deklaruar se është punuar intensivisht edhe si reflektim i thelluar ndaj protestave që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë.

Përmes një lidhje live nga automjeti i tij pas largimit nga Pogradeci, Rama theksoi se PS do të ketë një qasje të re në territor, përmes asaj që ai e cilësoi si prania besnike.

“Kemi përgatitur shumëçka tanimë duke i dhënë dorën e fundit, pasi kemi punuar intensivisht edhe si reflektim i thelluar i asaj që nisi përpara sesa pushimet të ndërprisnin punën intensive të ditës. Kemi konsoliduar disa pozicione, qoftë lidhur me raportin qytetar-shtet dhe shtet qytetar. Kemi konsoliduar pozicionin lidhur me qasjen e re të partisë në territor përmes pranisë besnike dhe kemi konsoliduar disa pozicione, në raport me vitin e dytë të disa programeve të qeverisë”, tha mes të tjerash Rama.

Më tej kryeministri theksoi se programi i strehimit do të jetë programi që do të ketë fokusin më të madh të Qeverisë.

“Më i spikaturi do të jetë programi i strehimit, që vjen si një gjë krejt e re. Dhe deri te një sërë programesh të tjera që prekin disa sektorë. Pa harruar edhe ecurinë e punës që tanimë është puna e projektuar qysh në krye të herës. Besa është tanimë një koncept i konsoliduar në themel të pozicionit të parë, në raportin shtet-qytetar. Besën e shohim si një akronim dhe jo si fjalën më të vyer të thesarit të gjuhës shqipe”, theksoi Rama.

Kryeministri foli edhe për ‘Pasqyrë Albania’, e cila sipas tij do të shërbejë që qytetarët të informohen në kohë reale dhe të mos mbeten të ‘paarmatosur’ me argumenta përballë algoritmit.

“Do shtohet edhe Pasqyrë Albania, ku qytetari do drejtohet për t’u informuar në kohë reale. Është një dritare ku secili ka autonominë e vet. Nuk është thjeshtë kërkesa e qytetarit që do të konceptohet si një letër që transportohet me postë, por është edhe gjithë pjesa tjetër që shkon qeveria te qytetari dhe shteti te qytetari, për të mos e lënë të papërgatitur dhe të paarmatosur me argumenta, përballë algoritmit”, përfundoi Rama.

Ora 18:36
Rama: Po ndërtojmë 'Shqipërinë Sociale', gati plani për transparencën e çmimeve (VIDEO)

Pas mbledhjes në Pogradec kryeministri Edi Rama tha në fjalën e tij në rrjete sociale se fokusi i qeverisë është ndërtimi i “Shqipërisë Sociale”, me prioritet shëndetësinë, arsimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ai njoftoi gjithashtu se po përgatitet një plan për transparencën e çmimeve të ushqimeve bazë, duke theksuar se shteti nuk i përcakton çmimet, por synon t'u japë qytetarëve më shumë informacion.

"“Është një punë që bëhet për ty. Kemi përcaktuar një sërë piketash për çdo sektor. Jemi përqendruar shumë te shëndetësia dhe arsimi, te krijimi i një zinxhiri, i cili do të jetë zinxhiri i Shqipërisë Sociale. Është e rëndësishme dhe ka qenë gjithmonë. Fillon e bëhet e mundshme sepse janë shtuar mundësitë. Një Shqipëri Sociale në gjërat që lidhen me cilësinë e jetës së qytetarëve. Sot është cilësia e jetës, jo mbijetesa. Kemi folur për çmimet. Jetojmë në një sistem ku nuk kemi asnjë praktikë të përcaktimit të çmimeve nga shteti, por kemi një plan për të bërë transparencë për qytetarin lidhur me çmimet e ushqimeve bazë, që do ta prezantojmë kur të jetë i konsoliduar. Unë e kuptoj shumë mirë që gjithçka ka ndodhur në këtë periudhë ka gërryer një shtrat të raportit të qytetarit me shtetin dhe të qeverisjes, por jam i bindur që, siç e kam thënë në krye të herës, ata që do të dalin më të fortë do të jenë qytetarët shqiptarë dhe qeveria e tyre. Qeverisja do të përmirësohet. Bazuar në dijen dhe përvojën e fituar, me burimet njerëzore në dispozicion, duhet të përmirësohet, sepse në të kundërt nuk ka arsye të vazhdojë. Në këtë rast, ka qenë vërtet një dhuratë ajo që ka ndodhur. Nuk kemi pasur asnjëherë një opozitë që të na sfidojë realisht" tha Rama 

Në mesazhin e tij për ndjekësit, Rama reflektoi edhe për protestën qytetare që u mbajt gjatë verës poshtë kryeministrisë duke e cilësuar një sfidë të vërtetë. Megjithatë, tha se është optimisht për të gjitha përpjekjet që Shqipëria të jetë më mirë. 

"Ajo protestë që ndodhi na ka sfiduar realisht, për aq kohë sa ishte qytetare. Aty u shfaqën njerëz që i çoi nevoja për të bashkuar zërin dhe për të thënë se ne meritojmë më shumë. Unë jam i bindur dhe optimist. Jam shumë i energjizuar. Mos harroni që Shqipëria nuk ka qenë kurrë më mirë, më e vlerësuar ndërkombëtarisht dhe kurrë më e mbështetur në mundësi reale për të bërë më shumë. Kjo ka një arsye. Shqipëria nuk ka qenë një vend në shitje apo i shitur se nuk ka një vend të tillë që respektohet ndërkombëtarisht, shton mundësitë për njerëzit e vet dhe rritet çdo ditë. Kemi bërë të gjitha përpjekjet dhe do të vazhdojmë t'i bëjmë.” tha Rama

Ora 18:24
Pas më shumë se 7 orësh diskutime, përfundon mbledhja e qeverisë në Pogradec, ministrat largohen me dosje në duar

 

Mbledhja e qeverisë në Pogradec ka përfunduar pas më shumë se shtatë orësh diskutime. Në pamjet e siguruara nga gazetari i Report TV, ministrat dhe drejtues të institucioneve shihen teksa largohen nga vila qeveritare me dokumente në duar. Mes pjesëmarrësve të shumtë, dallohen ministrat Enea Karakaçi, Besfort Lamallari, por edhe Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dash Sula, ish-deputet i Partisë Demokratike, si dhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj, gjithashtu ish-anëtare e PD-së. Në fund pasi kanë dalë të gjithë, pamjet kanë fiksuar edhe momentin kur Rama del i fundit nga mbledhja. 

Ora 17:33
'Rama është një zotni', i moshuari në Pogradec ndan hall me kryeministrin: Prej 35 vitesh në sherr me komshiun, shpresat i kam vetëm tek ai

 

Prej 35 vitesh në konflikt me një komshi për shtëpinë, Vasil Belba thotë se vendosi t'ia paraqesë personalisht problemin kryeministrit Edi Rama gjatë takimit të beftë e paplanifikuar me qytetarët në Pogradec. Sipas tij, pasi u njoh me dokumentet, Rama e siguroi se çështja e tij do të marrë zgjidhje. Gjatë një prononcimi për mediat, i moshuari nuk i kurseu lavdet dhe urimet ndaj kryeministrit. për zgjidhjen e problemit të tij. 

““Rama premtoi se çdo gjë do ta realizojmë, 'mos u shqetësoni se do ta rregullojmë. I paske vendimet dhe letrat' tha ai. Kemi problem me shtëpinë. Kemi 35 vjet në sherr me një komshi që na ka hyrë në pjesën tonë të shtëpisë. Bashkia e zvarrit, Korça jep urdhër që të prishet ndërsa ai se prish dhe kështu kemi ngelur. Rama na priti shumë mirë. Jam shumë shumë i kënaqur. Nuk duket kaq i mirë sa ç'ishte. Kemi ndenjuyr në krah të tij dhe jam shumë i gëzuar. Kam shumë shpresa vetëm tek ky burrë. Rama është për të gjithë popullin. Është një zotni! Zoti i dhëntë ymër dhe e bëftë 1000 vjeç” tha ai

Ora 16:32
'Kemi besim vetëm te kryeministri' i moshuari që takoi Ramën në Pogradec rrëfen hallin: Një i përndjekur politik pret prej 3 vitesh të marrë lekët

Vasil Belba, një nga të moshuarit që u prit nga kryeministri Edi Rama gjatë takimit me qytetarët në Pogradec tregoi se kishte ardhur për t'i paraqitur një problem për një 90 vjeçar, me shpresën se çështja do të marrë zgjidhje.

Sipas tij, një i moshuari i cili është i përndjekur politik, ka dorëzuar dokumentacionin prej më shumë se tre vitesh, por ende nuk ka marrë pagesën që i takon.

I moshuari tha se beson se takimi me kryeministrin do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes, ndërsa shprehu besimin e tij te Rama.

“Kemi ardhur të takojmë z. Kryeministër. Jam krah i majtë. Kam gjyshin që është i përndjekur politik. Ka bërë internim në Tiranë në vitin 1945. Ka mbi 3 vjet që i ka bërë kartat dhe nuk po merr lekët. Ia kemi marrë çantën me bukë. Jeton me domate dhe kastraveca rrugëve. Kam shpresë se do ta takoj. Është besnik. Kemi besim të plotë vetëm te kryeministri”, tha ai.

Ora 16:26
Mbledhja e kabinetit në Pogradec, Ervin Demo: Shërbimi ndaj qytetarit, matësi i vetëm i çdo institucioni!

1787581704_ervindemo.jpg

Ministri Ervin Demo ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga mbledhja e kabinetit qeveritar në Pogradec, ku kryeministri Edi Rama po zhvillon takime pune me ministrat dhe ekipin drejtues të Partisë Socialiste. Në postimin e tij, Demo vë theksin tek shërbimi ndaj qytetarit që sipas tij duhet të jetë matësi i çdo institucioni.

"Të dëgjosh, të reflektosh dhe të përmirësohesh vazhdimisht është mënyra e vetme për t’iu përgjigjur pritshmërive gjithnjë e më të larta të qytetarëve. Në takimin e punës me Kryeministrin Edi Rama dhe ekipin drejtues të Partisë Socialiste, për një fazë të re të qeverisjes ku çdo politikë, çdo institucion dhe çdo nivel i administratës duhet të ketë një matës të vetëm: shërbimin ndaj qytetarit. Më pranë njerëzve, më shumë përgjegjësi në territor dhe më shumë rezultat konkret" shkruan ai në rrjete sociale. 

Ora 16:13
Rama nis dëgjesat me qytetarët në Pogradec, takon një grup të moshuarish në mes të mbledhjes së kabinetit

 

Teksa në Pogradec po zhvillohej mbledhja e kabinetit qeveritar, kryeministri Edi Rama u takua me një grup të moshuarish që ishin mbledhur jashtë ambienteve ku mbahej takimi.

"Jam 90 vjet dhe s’dua të rri rrugëve. Kemi shumë besim tek Edi Rama. Ia kam hedhur votën si familje” tha një prej tyre ndërsa priste të takohej me kryeministrin

Të moshuarit u shoqëruan nga truprojat e kryeministrit dhe më pas u pritën nga Rama, i cili bisedoi me ta.

Takimi vjen në një moment kur qeveria ka vendosur në qendër të diskutimeve forcimin e komunikimit me qytetarët. Në mbledhjen e kabinetit në Pogradec po prezantohen platformat “Pasqyrë Albania”, “Flamingo Albania” dhe “Radar”, të cilat synojnë të adresojnë problematikat e qytetarëve dhe t'u japin mundësi të ndjekin në kohë reale ecurinë e ankesave të tyre.

Sipas qeverisë, objektivi i platformës së re është që problematikat e qytetarëve të marrin zgjidhje brenda dy javësh, duke krijuar një komunikim më të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe institucioneve.

Ora 13:25
Diella ‘prezente’ në mbledhjen e ministrave në Pogradec! Rama e ‘provokon’: Kumbaro ministre e kujt.... (VIDEO)

Edhe ministrja e Inteligjencës Artificiale, “Diella” duket se ka qenë e pranishëm gjatë mbledhjes së kryeministrit Edi Rama me kabinetin qeverisës në Pogradec. Pak para nisjes së mbledhjes, kryeministri ka ndarë një video teksa bashkëbisedon me “Diellën”, së cilës i thotë që është në pritje të ministrave. Në atë moment mbërrin Mirela Kumbaro. Rama ka një “provokim” për “Diellën” së cilën e pyet "Kumbaro është Ministre e kujt?" .

Pjesë nga bashkëbisedimi i Ramës me Diellën

Edi Rama: Të presim edhe pak për të filluar mbledhjen. Erdhi një kolege e jotja, merre me mend kush është, Mirela Kumbaro.

Diella: Mirëserdhe ministrja Kumbaro, prania e saj e plotëson më tej nisjen e përbashkët të punës.

Edi Rama: Mirela Kumbaro është ‘Ministre e kujt’.

Diella: Mirela Kumbaro Furxhi është Ministre e Arsimit.

Edi Rama: Çfarë opinioni ke ti për Mirela Kumbaron.

Diella: Mirela Kumbaro është një kolege më përvojë të çmuar në shërbimin publik. Bashkëpunimi i qartë mes ministrive, është ajo që i kthen prioritetet e kabinetit në rezultate për qytetarët. Përvoja e saj në shërbimin publik është vlerë për punën kolegjiale. Ajo merr forcë të plotë kur shndërrohet në bashkërendim të qartë dhe rezultate për qytetarë.

Ora 12:27
Pesë orë rrugë nga Greqia drejt Pogradecit, emigranti: Kam dëshirë të takoj Ramën, pastaj le të vdes (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ndodhet në qytetin e Pogradecit, ku po mban edhe një takim me ministrat - takim i cili njihet një “retreat”, ku ministrat do të raportojnë për punën e bërë deri më tani, por edhe për prioritetet në vitin e dytë të mandatit të katërt.

E ndërsa mbledhja ka nisur që prej orës 11:00, një emigrant që jeton në Greqi ka bërë 5 orë rrugë me synimin që të takojë Ramën.

“Kam ardhur nga Greqia për të takuar Ramën. Për ne refugjatët që jemi në Greqi ka bërë shumë punë, si për pensionet. Bëra pesë orë rrugë. Unë kam hyrë në burg në 93, më ka nxjerrë Naim Dokle dhe Fatos Nano”, thotë Halim Bufi.

Sa i përket protestave që po zhvillohen prej 86-ditësh, qytetari i cilëson si të kota.

“Protestat që po bëhen për mua janë të kota”, shprehet ai.

Në fund Bufi përsërit edhe një herë dëshirën e madhe për të takuar kreun e qeverisë pas takimit të tij me ministrat.

“Kam shpresë se do ta takoj Ramën. Le ta takoj dhe le të vdesë pastaj, jam 70-vjeç. Nuk e kam takuar asnjëherë, vetëm Fatos Nanon”, përfundon ai.

Ora 08:33
Priti pesë orë për të takuar Ramën, i moshuari nga Pogradeci: E përqafova dhe i thashë je lideri më i mirë në botë! Ke bërë shumë për Shqipërinë (VIDEO)

Një banor i fshatit Homçan, Pogradec arriti të takonte kryeministrin Edi Rama pas takimit me drejtuesit politikë të qarqeve të PS.

 I moshuari Çelnik Shtupalli, tregon për mediat se priti rreth pesë orë me shpresën për të takuar kryeministrin dhe kryebashkiakun, për t'i falënderuar për zgjidhjen e disa problemeve që kishte ngritur më parë.

Pas një mbledhjeje shtatë-orëshe me drejtues politikë të qarqeve, Rama kërkoi që të organizohej një takim me të.

“I thashë kryeministrit për të bërë rrugën e fshatit Homçan. Populli është i vuajtur shumë prej baltës dhe prej rrugës së keqe. Prandaj i fola kryeministrit, që e mata rrugën dhe është katër kilometra. E kisha besimin që mund të më takojë sepse unë i kam vajtur edhe herë të tjera dhe ia shtrova përfundimisht këtë problem për të bërë rrugën me asfalt.

Kryetari i Bashkisë më ka thënë që do e bëjmë, por unë iu drejtova Edi Ramës. Faleminderit shumë Edi Ramës se i tha Ilirit, t'ja bësh rrugën me asfalt. Jam shumë i gëzuar. E përqafova dhe i thashë: ti je lider i politikës më i mirë në botë, se ke bërë shumë për Shqipërinë”, thotë i moshuari.

Ora 08:06
Rama takim me ministrat në Pogradec, axhenda e plotë

1787502421_edirama.png

Foto: Edi Rama

Kryeministri Rama pas takimit të djeshëm me drejtuesit politikë të 12 qarqeve, sot po mban atë të radhës - me ministrat.

Mbledhja ka nisur në orën 11:00 me fjalën e kryeministrit Rama dhe do të vijojë me raportimet e ministrave, të ndara në disa sesione.

Në pjesën e parë të agjendës, nga ora 11:00 deri në 14:00, do të prezantojnë ministrat e Mbrojtjes, Drejtësisë, Financave, Ekonomisë dhe Inovacionit, Infrastrukturës dhe Energjisë, Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Pushtetit Vendor dhe Administratës Publike. Më pas, agjenda vijon me ministrat e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arsimit dhe Sportit.

Secili prej ministrave ka në dispozicion 15 minuta: 10 minuta për prezantimin dhe 5 minuta për diskutime. Pas drekës, në orën 15:00, nis sesioni i dedikuar diplomacisë dhe punëve të jashtme.

Në këtë pjesë do të raportojnë ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, kryenegociatorja për integrimin europian, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, si dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Pas raportimeve të ministrave, agjenda parashikon edhe disa prezantime të tjera. Në orën 16:00 pritet të prezantohen problematikat e proceseve të prokurimeve për periudhën janar–gusht 2026. Më pas do të raportohet mbi masat e Agjendës së Reformave, sfidat, arritjet dhe propozimet, si dhe ecurinë e projekteve të AIC-së.

Një hapësirë e konsiderueshme në agjendë i është kushtuar edhe komunikimit dhe promovimit në media. Ky prezantim është parashikuar të zgjasë 32 minuta, nga ora 16:28 deri në 17:00. Më pas nisin komentet dhe diskutimet, të cilat do të zgjasin një orë. Në fund të takimit do të mbajë fjalën përmbyllëse kryeministri Edi Rama.