Turizmi është shtylla kryesore e ekonomisë së Himarës, që shtrihet në bregdetin jonian. Një kartolinë ku ndërthuren ujërat e kaltra me plazhet e Palasës, Drimadhesit, Dhërmiut, Jalës, Vunoit, Livadhit, Llamanit, Borshit, Lukovës. Por dhe fshatrat malor të Kuçit, Qeparoit, Pilurit, etj. Pas nuk mbeten as gjiret e shumta ndër më të veçantit ai i Gramës. Kjo bashki ka në territorin e saj dhe një sërë monumentesh historike dhe kulturore, nga kalaja deri tek manastiret e kishat.
Prej vitesh Himara vizitohet nga miliona turistë, duke bërë që popullsia të katërfishohet gjatë sezonit. Por bumi turistik ka sjellë edhe sfida për këtë bashki që sot është kthyer në një kantier ndërtimi, për të shtuar strukturat akomoduese. Nga ana tjetër pushuesit e shumtë lënë pas mbetjet.
Vangjel Tavo me marrjen e drejtimit të bashkisë, e gjen në ditë të mira me rritje të ardhurash e investimesh për frymë, me miliona turistë, por edhe me sfidën e mbetje dhe të borxheve të prapambetura.
Gjatë këtij viti Bashkia Himarë ka planifikuar të mbledhë në total 1.8 miliardë lekë të ardhura por nga këto 906 milionë lekë janë të trashëguara nga vjet (të ardhura nga debitor të prapambetur dhe të ardhura nga transfertat shtetërore të pashpenzuara). Të ardhurat e reja që pritet të gjenerohen këtë vit janë kryesisht nga ndërtimi dhe pastrimi.
300 milionë lekë planifikohet të mblidhen këtë vit vetëm nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, kjo për shkak se është rritur numri i ndërtimeve. Më pas janë tarifat e pastrimit dhe të zënies së hapësirës publike që do të sjellin në buxhet nga 90 milionë lekë. Kurse nga taksa e fjetjes në hotele që lidhet direkt me akomodimet e turistëve, do të arkëtohen 20 milionë lekë.
Po aq sa janë të ardhurat janë planifikuar edhe shpenzime në 1.8 miliardë lekë, ku 819 milionë lekë janë për investime. Sa i takon investimeve, pjesa më e madhe e shkon për infrastrukturën rrugore, por edhe kjo bashki vuan nga mbetjet.
34.4% e buxhetit të kësaj bashkie këtë vit do të shpenzohet vetëm për menaxhimin e mbetjeve, e cila po ashtu ka marrë edhe një grant nga buxheti i shtetit në 25.5 milionë lekë për trajtimin e mbetjeve dhe për transportin e tyre në zonën e menaxhimit të mbetjeve Gjirokastër.
Por kjo bashki vuan edhe borxhet e pashlyera ndër vite. Detyrimet e prapambetura përllogariten në 385,5 milionë lekë, e që lidhen kryesisht me investime të palikujduara, sidomos rikonstruksione rrugësh.
Problematika të tjera që presin radhën e zgjidhjes janë që nga çështjet e pronësisë, pasi shumë banorë ende s’kanë hipoteka, gjithashtu legalizimet, kontrolli i ndërtimeve, infrastruktura rrugore, furnizimi me uji të pijshëm e energji elektrike. Trajtimi i tkurrjes e popullsisë e deri tek misioni për tu bërë tërheqës për të rinjtë që të kthehen për të punuar në Himarë, e për ti shërbyer turizmit janë sfidat në tavolinën e kryebashkiakut të ri Vangjel Tavos.
Edhe pse me pasuritë të panumërta me sipërfaqe 571.94 km, Bashkia Himarë ka vetëm 8.328 banorë që jetojnë në territorin e saj. Sipas censit të 2023, 34% e popullsisë është e moshuar, mbi 65 vjeç; 55% janë të grupmoshës 15-65 vjeç dhe vetëm 11% janë fëmijë të moshës 0-15 vjeç.