Ndodhi një fenomen masiv në Shqipërinë e viteve ’90: Djemtë, vajzat, burrat dhe gratë më të mira të Shqipërisë u mënjanuan. Nuk rezistuan ndaj fluksit dhe ambicjes së mediokritetit dhe të ligësisë për të marrë drejtimin e vendit. Kishte një kosto të madhe përballja me ta dhe shumë preferuan të mos e bënin. Të heshtnin. Shumë probleme të këtij pasiviteti të përgjithshëm, të kulturës, dijes, mirësjelljes, i vuajtëm në gjithë këto vite dhe, natyrisht, duken qartë sot. Por vjen një ditë kur nuk mund të shtyhet për më vonë veprimi, reagimi, dhe ky vendim duhet marrë sot.

Nga këndet e rehatisë, mospërbaltjes, rutinës, qetësisë duhet të dalin të mirët e të zotët e të kontribuojnë. Shqipëria është në një udhëkryq jetësor, nga ato udhëkryqe që vendosin rrugën për vitet që do të vijnë: Duam të ndërtojmë, zbukurojmë e të harmonizojmë vendin tonë, apo dëshirojmë të risjellim kaosin, padrejtësinë dhe shëmtinë?

Shpeshherë në kryqëzime rrugësh të rëndësishme ndodh diçka si shenjë, si parathënie e asaj që vjen. Këto ditë kanë ndodhur disa: Për shembull një ekspozitë e rrallë dhe e paparë. Dalin në sytë e çdo shqiptari 800 libra që dergjeshin në magazinat e pluhurosura e në thasë “patatesh” të Bibliotekës Kombëtare, një pasuri e rrallë, një “arkë Noe” e kulturës sonë, por edhe të asaj greko-romake. Një nismë e drejtorit Piro Misha, një njeri që në gjithë këto vite librin dhe kulturën e ka pasur të pandarë. Librat ishin aty, kanë qenë përherë aty, por sot dolën në dritë për çdo shqiptar. Në sallën e COD mund të shkojë kushdo për t’i admiruar e për të kuptuar bërthamën tonë dhe të parëve tanë.

Pastaj doli në dritë shtëpia e At Gjergj Fishtës, ajo gërmadhë brenda së cilës i ndriçuari ynë ka qeshur dhe ka qarë. Në atë shtëpi duhen prekur gurët, e duhet thithur ajri përreth saj: Eshtë aroma që bëri At Gjergj Fishtën, një shqiptar kolos e atdhetar.

Shqiptarët e mençur, të ditur, deri më tani të papunë e të pafjalë duhet të gjejnë forcën e të veprojnë, të kuptojnë më të mirën e të punojnë fort. Duhet të marrë fund, i duhet vënë fre ambicjes së dëmshme e shkatërruese të kujt vodhi dhe dogji Shqipërinë vetëm për një vilë më shumë e për udhëtime luksi jashtë.  Në politikë, në media, në biznes, në kulturë e art, më të mirët duhet të bëhen bashkë, të ndjejnë e të kuptojnë se nga është era e rrugës së mbarë. Eshtë një shanc që nuk përsëritet më. Boll hapësirë iu dha të paudhëve të na dëmtojnë!