/ATSH-AFP/ - Presidenti amerikan, Barack Obama njoftoi sot vdekjen e dy pengjeve perëndimorë të Al-Kaedës, vrarë gabimisht në muajin janar gjatë një operacioni amerikan në kufirin pakistanezo-afgan duke marrë përsipër përgjegjësinë e kësaj tragjedie për të cilën ai kërkoi falje.

Në një deklaratë të shkurtër, presidenti amerikan shprehu dhimbjen e thellë dhe ngushëllime për familjet e dy punonjësve humanitarë, amerikanit Warren Weinstein dhe italianit, Giovanni Lo Porto, vrarë në mënyrë tragjike në këtë zonë shumë të paqendrueshme ku SHBA-ja ka kryer shumë operacione me ndihmën e avionëve pa pilot.

"Në bazë të elementeve të mbledhura nga shërbimet sekrete, ekzekutivi amerikan mendonte se bëhej fjalë për një bazë të Al-Kaedës, që nuk kishte asnjë civil në qendër dhe se kapja e terroristëve ishte e pamundur", theksoi Obama.

"Shpreh keqardhjen e thellë për atë që ka ndodhur", shtoi ai duke shtuar se merrte përsipër si president dhe komandant i forcave të armatosura përgjegjësinë e kptij operacioni ashtu si të gjithë operacionet antiterroriste amerikane.

Italia shprehu keqardhje për një gabim tragjik, por nënvizoi se përgjegjësia për vdekjen e dy personave peshonte tërësisht mbi terroristët, kundër të cilëve ajoshfaqi vendosmërinë për të luftuar së bashku me aleatët.

Shtëpia e Bardhë nënvizoi se në të njëjtën kohë, një tjetër operacion i kryer në muajin janar mundësoi eliminimin e Adam Gadahn, një amerikan i konvertuar në islam, i ashtuquajtur "Azzam amerikani", që ishte bërë zëdhënës i Al-Kaedës.

Duke mbrojtur strategjinë amerikane në këtë rajon, Obama nënvizoi se, që prej 11 shtatorit 2001, kjo strategji kishte mundësuar shmangien e sulmeve dhe shpëtimin e jetëve në amerikë dhe në mbarë botën.