SHBA inkurajon juristët e rinj: Korrupsioni gjithandej në Shqipëri! Guxoni, luftojeni dhe demaskojeni!

SHBA inkurajon juristët e rinj: Korrupsioni gjithandej në Shqipëri! Guxoni, luftojeni dhe demaskojeni!

TIRANE-Zëvendës ambasadori amerikan në detyrë Daniel Koski inkurajoi të diplomuarit e Fakultetit Juridik të Tiranës për mbështetje të plotë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Koski tha se shpreson që të jenë faktorë ndryshimi për forcimin e integritetit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. "Puna juaj nuk do jetë e lehtë" u tha ai të diplomuarve duke thekuar se "Korrupsioni është gjithandej dhe fshihet në vendet më pak të dyshimta.

Ju bëj thirrje që të bëheni pjesë e një brezi të ri që kundërshton korrupsionin kudo që ta shihni. Dhe, ju sfidoj që të bëheni të guximshëm. Demaskojeni korrupsionin dhe nxirreni atë në dritë që ta shohin të gjithë. Kthejeni veten në mbrojtës të një sistemi etik drejtësie dhe heronj të atyre që ai u shërben" deklaroi ai.
 

Fjala e plote e zyrtarit te ambasades se SHBA-se ne Tirane
Jam i nderuar që jam me ju sonte. Përgëzime të gjithë të diplomuarve të sotëm në emër të Qeverisë së Shteteve të Bashkura! Ekziston një traditë të diplomimit amerikan që jam i sigurt se e njihni shumë mirë. Në dorën time po mbaj një fjongo. Fjongo si kjo vendosen në kapelet e të diplomuarve, duke u varur në anën e djathtë të kokës së tyre, gjatë ceremonisë. Në përfundim të ceremonisë, të diplomuarit – të gjithë njëkohësisht – e lëvizin fjongon në anën e majtë të kapeles. Fjongoja mund të duket si zbukurim apo stoli. Por për amerikanët do të thotë shumë më tepër se kaq. Ajo ka një kuptim të thellë, simbolik për ne. Ajo përfaqëson shpresat dhe aspiratat akademike e përmbushura. Ajo simbolizon fillimin e një kapitulli të ri në jetën e të diplomuarit, mbushur plot me premtime dhe potencial të pamatë.

Por, është veprimi i lëvizjes së fjongos nga e djathta në të majtë që është simboli final i arritjes dhe përmbushjes. Ai tregon që ia dolët mbanë. Që fituat të drejtën të quheni “të diplomuar”. Dhe është në dorën tuaj t’i jepni formë të ardhmes. Të diplomuar, ndërsa i afroheni çastit kur do të lëvizni fjongot tuaja nga e djathta në të majtë, ju kërkoj të mendoni për këtë pyetje: Cila është e ardhmja që dëshironi të ndërtoni për veten? Shpresoj ta ndërtoni duke patur në mendje këto tri aspirata:

Së pari, shpresoj të jeni faktorë ndryshimi për forcimin e integritetit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Por, dijeni, se puna juaj nuk do jetë e lehtë. Korrupsioni është gjithandej dhe fshihet në vendet më pak të dyshimta. Ju bëj thirrje që të bëheni pjesë e një brezi të ri që kundërshton korrupsionin kudo që ta shihni. Dhe, ju sfidoj që të bëheni të guximshëm. Demaskojeni korrupsionin dhe nxirreni atë në dritë që ta shohin të gjithë. Kthejeni veten në mbrojtës të një sistemi etik drejtësie dhe heronj të atyre që ai u shërben.

Së dyti, shpresoj të përkushtoheni çdo ditë për të nderuar veten, profesionin tuaj dhe bashkëqytetarët tuaj, ndërsa ndihmoni në ndërtimin e një sistemi drejtësie më të mirë për vendin tuaj. Përdoreni optimizmin dhe energjinë tuaj për ta bërë sistemin më të mirë.  Rrënjoseni veten tuaj në integritet, nder dhe etikë dhe luftoni për gjithçka që është e drejtë. Ju, kolegët tuaj dhe vendi juaj nuk meritoni asgjë më pak.

Në fund, shpresoj të merrni forcë dhe guxim nga profesionistët e nderuar dhe parimorë përreth jush që kanë nevojë për ju për t’u bashkuar me ta në këtë luftë për të ardhmen e vendit tuaj. Kërkoni partnerë të besuar në ligjzbatim dhe agjenci të tjera për të mbështetur përpjekjet tuaja fisnike. Ata janë atje, duke ju pritur. Dhe dijeni që Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të qëndrojnë me ju për sa kohë ju përkrahni një sistem gjyqësor transparent dhe etik. Mbështetja jonë për atë kauzë dhe për ata që na bashkohen në çuarjen e saj përpara, nuk do të lëkundet kurrë dhe nuk do të dobësohet asnjëherë. Ju uroj të gjithëve një të ardhme të gjatë dhe të suksesshme dhe ju përgëzoj dhe një herë.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ishte nisur për pushime me familjen, kryeministri britanik humbet njeriun e dashur

Ishte nisur për pushime me familjen, kryeministri britanik humbet njeriun e dashur