Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane dhe të Azisë Philip Reeker gjatë takimit me ministrin e Jashtëm Gent Cakaj deklaroi, sipas këtij të fundit, qartë dhe prerë se për SHBA-në, reforma në drejtësi nuk mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi, pasi ajo përbën një model për rajonin dhe përtej. Gjithashtu ai u shpreh se SHBA-të mbështesin në mënyrë absolute hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor. Bisedën e zbulon Gent Cakaj përmes një postimi në Facebook.

"Kënaqësi e veçantë takimi me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit në detyrë për Çështjet Evropiane dhe të Azisë, z. Philip Reeker! Në këtë takim edhe një herë u nënvizua marrëdhënia e shkëlqyer dhe partneriteti i patjetërsueshëm strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Në takim u nënvizua rëndësia e konsolidimit të mëtejmë të bashkëpunimit rajonal dhe nevoja absolute e mbylljes së çështjeve dypalëshe në të gjithë hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Angazhimi i ShBA-ve do të jetë maksimal në shërbim të realizimittë këtij objektivi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se reforma në drejtësi s’mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe ajo përbën një model për rajonin dhe përtej. Bazuar mbi modelin e pakrahasueshëm të reformës në drejtësi dhe rëndësinë gjeostrategjiketë thellimit të lidhjeve midis Shqipërisë dhe BE-së, ShBA-të mbështesin në mënyrë absolute hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor.

Po ashtu, Shqipëria është një partner strategjik i SHBA-ve dhe aleat aktiv në kuadër të NATO-s me kontribut të spikatur në operacionet paqeruajtëse të Aleancës. ShBA-të vlerësojnë pozitivisht rritjen progresive të buxhetit të mbrojtjes së Shqipërisë për ta jetësuar planin për realizimin e 2% të buxhetit në shërbim të mbrojtjes deri në 2024. Shqipëria është e përkushtuar ta thellojë bashkëpunimin e kultivojë partneritetin me ShBA-të në të gjitha fushat përkatëse! Orientimi euroatlantik është themeli vleror i politikës së jashtme të Shqipërisë në përgjithësi! ShBA-të janë referenca e pazëvendësueshme dhe e patjetërsueshme e politikës së jashtme të Shqipërisë" shkruan Cakaj. Deklarata e zyrtarit të lartë të SHBA-së vjen në një moment kur Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe opozita nuk heshtin sulmet kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama duke e cilësuar drejtësinë e re 'Ramaformë'.