Thellohet hendeku mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe opozitës shqiptare. Pas sagës së përplasjeve për Reformën në Drejtësi, Uashingtoni ka fshikulluar dje Partinë Demokratike, edhe për ligjin që lejon mbetjet e padëmshme.

Ambasada Amerikane në Tiranë, me anë të një njoftimi për shtetasit amerikanë, u ka dhënë dy mesazhe të forta krerëve të Partisë Demokratike.

Së pari, Ambasada Amerikane ka rrëzuar zhurmën dhe alarmin e Partisë Demokratike, për pasojat dhe impaktin e hyrjes në fuqi të ligjit të ri për mbetjet. Ndryshe nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha, të cilët dhanë alarmin se ky ligj helmon Shqipërinë, Ambasada e SHBA i konsideron mbetjet jo të rrezikshme.

Teksa krerët e PD po tentojnë ta kthejnë në kauzë betejën kundër ligjit, në një moment krize të thellë politike, amerikanët mendojnë se mbetjet janë të padëmshme, duke i ftuar qytetarët se nuk ka vend për panik. “Ambasada e SHBA-ve në Tiranë i informon qytetarët amerikanë se partitë e opozitës shqiptare po organizojnë një demonstratë kundër importit të mbetjeve jo-të rrezikshme në Shqipëri e cila pritet të zhvillohet më 1 tetor, në ora 11:00”, thuhet në mesazhin e Ambasadës Amerikane.

Mesazhi i dytë
Sipas Ambasadës Amerikane në Tiranë protesta e sotme para Kryeministrisë nuk organizohet nga shoqëria civile, por nga opozita shqiptare. Në njoftimin e saj, ambasada informon se pas kësaj proteste fshihet opozita. “Nuk kemi dijeni për ndonjë rrezik specifik. Qytetarët të shmangin çdo demonstratë apo tubim”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Ç’është e vërteta, raporti i PD me protestën është diskutuar në mbledhjen e fundit të grupit të PD. Deputetët kanë qenë të mendimit që opozita duhet ta mbështesë protestën, duke e shfrytëzuar maksimalisht këtë situatë.

Ambasada
Ambasada njofton se për shkak të protestës do të ketë rëndim trafiku dhe amulli në Tiranë. “Protestuesit do të mblidhen pranë kompleksit Taiëan, e më pas përmes bulevardit “Dëshmorët e Kombit” do t’i drejtohen Kryeministrisë. Prania e madhe e protestuesve pritet të shoqërohet me rëndim të trafikut, mbyllje të rrugëve dhe pranishmëri të forcave policore”, thuhet në njoftim. Ambasada njofton shtetasit amerikanë se, aktualisht nuk është në dijeni të ndonjë rreziku specifik ndaj qytetarëve amerikanë apo interesave të SHBA-ve, megjithatë, ata duhet të jenë vigjilentë dhe të shmangin demonstratën apo ndonjë turmë njerëzish. “Amerikanët duhet të monitorojnë mediat lokale dhe të marrin parasysh përditësimin e planeve personave për udhëtim apo aktivitete të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Deklarata
Ambasada e SHBA-ve në Tiranë i informon qytetarët amerikanë se partitë e opozitës shqiptare po organizojnë një demonstratë kundër importit të mbetjeve jo-të rrezikshme në Shqipëri e cila pritet të zhvillohet më 1 tetor, në ora 11:00
 
Kauza
Ambasada ka rrëzuar alarmin e PD, për pasojat e ligjit të ri për mbetjet. Ndryshe nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha, të cilët dhanë alarmin se ky ligj helmon Shqipërinë, Ambasada e SHBA i konsideron mbetjet jo të rrezikshme. 


Redaksia Online
Al.N/Shqiptare.com