SHBA masa të mëtejshme ndaj kompanisë kineze Huawei

SHBA masa të mëtejshme ndaj kompanisë kineze Huawei

Kina u shpreh se është “thellësisht e shqetësuar nga njoftimet se Shtetet e Bashkuara po marrin masa të mëtejshme për të kufizuar shitjet e teknologjisë amerikane për kompaninë Huawei, një kompani e teknologjisë të cilën zyrtarët amerikanë e kanë shpallur prej kohësh një rrezik për sigurinë kombëtare, për shkak të mbështetjes që mendohet se i jep operacioneve të spiunazhit të qeverisë kineze.

Siç u njoftua fillimisht në gazetën “The Financial Times”, Departamenti amerikan i Tregtisë i ka informuar kompanitë amerikane se nuk do të japë më liçenca për eksportimin e teknologjisë për kompaninë Huwaei, duke e izoluar kështu kompaninë me seli në Shenzen nga furnizimet që i nevojiten për produktet e saj.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Tregtisë nuk i janë përgjigjur ende kërkesës së Zërit të Amerikës për t’i konfirmuar këto njoftime. Por, vëzhguesit thonë se kjo lëvizje mund të jetë taktika më e fundit gjeo-ekonomike e administratës së Presidentit Biden, ndaj së cilës është shtuar presioni nga republikanët për të dalë fitimtarë në konkurimin me Kinën.

Masat ndaj kompanive kineze filluan me administratën e ish-Presidentit Trump, i cili në vitin 2019 e shtoi kompaninë Huawei në listën e zezë të eksporteve, por bëri disa përjashtime që disa kompani amerikane, përfshirë kompanitë Qualcomm dhe Intel, të ofronin liçenca për teknologjinë jo-5G.

Që kur mori detyrën në vitin 2021, Presidenti Biden ka marrë një përqasje edhe më agresive se paraardhësi i tij, Donald Trump. Tashmë adminstrata e Presidentit Biden duket se po orientohet drejt një ndalimi total të të gjitha eksporteve të teknologjisë për kompaninë Huawei, tha Sam Howell, e cila është studiuese për shkencën e informacionit kuantik në Qendrën për Teknologjinë e Sigurisë së Re Amerikane dhe për programin e Sigurisë Kombëtare.

“Këto kufizime të reja, nga sa kuptojmë deri më tani, do të përfshijnë objekte nën nivelin 5G”, i tha ajo Zërit të Amerikës. “Pra, objekte 4G, Wi-Fi 6 dhe 7, inteligjencën artificiale, kompjuterat e nivelit të lartë si dhe kapacitetet për ruajtjen e informacionit në distancë”.

Nëse Departamenti i Tregtisë e vendos këtë masë ndalimi, do të ketë ndoshta kundërreagim nga kompanitë amerikane të cilave do t’u preken drejtpërsëdrejti të ardhurat, tha zonja Howell. Aktualisht, kompanitë Intel dhe Qualcomm vazhdojnë të shesin mikroqarqe që përdoren për kompjuterat portativë dhe telefonat që prodhon Huawei.

Kompania Huawei dhe Pekini mohojnë se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare të vendeve të tjera. Zëdhënësja e ministrisë së jashtme Mao Ning akuzoi Uashingtonin se e ka shtrirë përtej kufijve të duhur konceptin e sigurisë kombëtare dhe ka abuzuar me fuqinë shtetërore për të dëmtuar konkurentët kinezë.

“Praktika të tilla janë në kundërshti me parimet e ekonomisë së tregut” dhe janë “qartazi një hegjemoni teknologjike”, tha ajo.

Fitorja përballë konkurentëve kinezë

Lëvizja më e fundit amerikane ndaj Huawei-t është pjesë e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për t’ia kaluar Kinës në sektorin e teknologjisë së avancuar.

Në tetor, Presidenti Biden vendosi kufizime të mëdha për ofrimin e gjysmëpërçuesve të avancuar dhe paisjeve për prodhimin e mikroqarqeve për kompanitë kineze, duke u përpjekur kështu të ruajë dominimin, në veçanti për sa i përket mikroqarqeve më të avancuara. Administrata e tij po merr mbështetje për këtë përpjekje, në veçanti nga Holanda, Japonia, Korea e Jugut dhe Tajvani, ku kanë selinë kompani të rëndësishme që luajnë role jetike në zinxhirin e furnizimit të këtij sektori.

Zyrtarët amerikanë thonë se kufizimet ndaj eksporteve janë të nevojshme pasi Kina mund t’i përdorë gjysmëpërçuesit për të avancuar sistemet e saj ushtarake, përfshirë armët e shkatërrimit në masë, si dhe të bëjë shkelje të të drejtave të njeriut.

Kufizimet e tetorit pasuan ato të vendosura nëpërmjet ligjit që Presidenti Biden nënshkroi në fuqi në muajin gusht, i cili ua kufizon kompanive që marrin subvencionime amerikane investimin dhe shtrirjen në bizneset që prodhojnë mikroqarqe në Kinë. Ligji ofroi gjithashtu 52 miliardë dollarë fonde për të forcuar sektorin vendas të gjysmëpërçuesve.

Pekini ka investuar shumë në sektorin e tij të gjysmëpërçuesve, dhe pritet të investojë 1.5 trilionë dollarë në teknologjitë e avancuara, në përpjekje për të arritur një nivel prej 70% vetëmjaftueshmërie për gjysmëpërçuesit, brenda vitit 2025.

Në objektiv edhe TikTok-u

TikTok, një aplikacion i mediave sociale në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, që ka krijuar një audiencë masive në veçanti mes të rinjve amerikanë, është gjithashtu në vëmendjen e ligjvënësve amerikanë për shkak të dyshimeve se mund të përdoret si mjet për zbulimin e jashtëm apo influencën e Kinës.

Drejtori ekzekutiv Shou Zi Chew pritet të paraqitet më 23 mars në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Energjinë dhe Tregtinë për të dëshmuar për privatësinë e klientëve të TikTok-ut dhe praktikat për sigurinë e të dhënave, për ndikimin e kësaj platforme tek fëmijët, si dhe për marrëdhënien e tyre me Partinë Komuniste Kineze.

Ligjvënësit janë të ndarë nëse duhet ndaluar apo lejuar ky aplikacion popullor, që është instaluar në mbi 100 milionë celularë në Shtetet e Bashkuara, apo nëse duhet ta detyrojnë kompaninë që t’i shitet një blerësi amerikan. Më herët në janar, Kongresi krijoi Komisionin e posaçëm për Kinën, që ka detyrën të punojë me legjislacionin për të luftuar rreziqet nga një Kinë në rritje.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të takohet me zyrtarët kinezë javën e ardhshme në Pekin. Kjo do të jetë vizita e tij e parë që nga viti 2018 dhe synon të ruajë linja të hapura komunikimi ndërsa po rriten tensionet SHBA-Kinë./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

2-vjeçari me tumor priti mbi 10 ditë për ilaçin e kimioterapisë, Partia e Lirisë: Duhet hetim, sistemi shëndetësor ka degraduar

2-vjeçari me tumor priti mbi 10 ditë për ilaçin e kimioterapisë, Partia e Lirisë: Duhet hetim, sistemi shëndetësor ka degraduar