UASHINGTON, 10 mars /ATSH-AFP/ - Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë me ngulm terrorin në Krime dhe në lindje të Ukarinës, të nxitur nga rebelët separatistë prorusë dhe nga Moska, deklaroi sot ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për çështjet evropiane, Victoria Nuland, para Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit amerikan.
"Edhe pse Ukraina përfaqëson një vend paqësor, demokratik dhe të pavarur në 90 për qind të territorit të saj, Krimeja dhe Ukraina Lindore janë nën sundimin e terrorit", u shpreh ashpër diplomatja më e lartë amerikane për Evropën.
"Ne dënojmë pushtimin e paligjshëm dhe dhunimin e të drejtave të njeriut në Krime, të pushtuar nga Moska në mars të vitit 2014, si dhe dhunën dhe grabitjet e tmerrshme që shkaktohen nga Rusia dhe kukullat separatiste në Ukrainën Lindore", theksoi ajo.
"Ky konflikt i krijuar dhe i kontrolluar nga Kremlini, i ushqyer nga tanket dhe ushtria ruse dhe i financuar nga taksapaguesit rusë, u ka marrë jetën më shumë se 6 000 ukrainasve si dhe qindra të rinjve ruse, të dërguar nga Kremlini për të luftuar dhe vdekur, në një luftë që qeveria e tyre e mohon", u shpreh ashpër Nuland./ a.jor.











