UASHINGTON - Këshilltarja e Barack Obama-s për sigurinë kombëtare, Susan Rice, rikonfirmoi angazhimin amerikan për mbështetjen e opozitës së moderuar siriane gjatë një takimi në Uashington, raportoi sot Shtëpia e Bardhë.
Takimi me Koalicionin Kombëtar të Opozitës Siriane, forca kryesore opozitare në azil, u zhvillua dje, ndërkohë që SHBA-ja dhe aleatët e saj rritën sulmet ajrore kundër grupit të Shtetit Islamik (ISIS) në Siri dhe në Irak.
"Susan Rice theksoi se sulmet ajrore në Siri kanë si shënjestër ISIS-in dhe përmendi mënyrat për të mbështetur opozitën e moderuar për arritjen e objektivave tona për të bllokuar ISIS-in dhe përforcimin e prespektivës për një tranzicion politik", sipas një komunikate të Shtëpisë së Bardhë.
Këshilltarja e Obama-s rikonfirmoi se "presidenti Assad ka humbur çdo legjitimitet", gjatë këtij takimi në Uashington me delegacionin e opozitës jo-xhihadiste të drejtuar nga Hadi al Bahra.
Ajo theksoi se "SHBA-ja angazhohet për negocimin e një marrëveshje që mundëson një tranzicion politik autentik dhe gjerësisht të hapur".
Uashingtoni përpiqet që të mos lejojë forcat e Assad-it të përfitojnë nga sulmet ajrore të koalicionit antixhihadist për të përfituar avantazh në luftën civile që trondit Sirinë që prej tre vitesh./ATSH/